Më ndihmoni të gjej djalin që braktisa

Intervista - - SOCIALE -

Jam një zonjë nga Jugu, 44 vjeçe... Fati nuk më ka buzëqeshur kurrë... U martova me dijeninë e prindërve në një qytet tjetër. Martesa shkoi mirë në fillim. Më pas ngela shtatzënë. Burri që kisha, filloi të ftohej shumë me mua, derisa një ditë, erdhi në shtëpi dhe më tha se do të shkonim te njerëzit e mi. U nisëm dhe gjatë rrugës, nuk fliste fare. Kur mbërritëm në shtëpi, mamaja u gëzua, por nuk e dinte se do të vinte vreri më mbrapa. U bë mëngjes. Vëllai mori ish-burrin tim dhe dolën për kafe, kurse unë me mamanë, po shikonim rroba për bebin. Kështu, burri vendosi të më linte në shtëpinë e prindërve... Nuk mendoi në asnjë moment për fëmijën tonë, që unë e kisha në bark...”, kjo ishte letra që na erdhi në redaksi nga një zonjë, e cila na kërkonte ta ndihmonim për të gjetur djalin e saj, të cilin ka qenë e detyruar ta linte në maternitet para 21 vjetësh... Ne kontaktuam me të dhe zhvilluam këtë intervistë që përcjell dhimbjen dhe njëkohësisht, shpresën se ndoshta një ditë, Lindita do të mund të përkëdhelë fëmijën e saj të parë e të shkrepë një foto me të...

Blerina Çizmja: - Lindita, letra jote na preku të gjithëve në redaksi... Na trego diçka më shumë për jetën tënde...

Lindita Maloku: - Unë jam nga Fieri dhe u martova më 8 Mars 1993 në Kapshticë të Korçës, por kur isha shtatë muajshe shtatzënë, im shoq më la te dera e babait dhe mori një tjetër. Kur mbeta në shtëpinë e prindërve, familja më kërkoi ta hiqja fëmijën, por a hiqet fëmija shtatë muajsh?! U bë një debat i madh dhe ata këmbëngulnin se, nëse do ta mbaja fëmijën, do të më nxirrnin nga shtëpia e tyre...

- Por ti e linde fëmijën, gjithsesi...

- Nuk abortova, ama familjarët më vunë kusht që kur ta lindja atë fëmijë, nuk do t’ua sillja atye në shtëpi, ose duhet të largohesha edhe unë, bashkë me të. Fëmijën e linda më 21 janar të vitit 1994, në maternitetin e Fierit. Nuk kam dhënë emrin tim personal, por një emër tjetër, Vera Banaj, kurse emrin e të atit, ashtu siç e kishte babai i tij, Pëllumb Sulaj. Lindjen e pata normale, me një mami që e quanin Vera dhe që tani është transferuar në Tiranë. Nuk kam patur shqetësime gjatë lindjes, fëmijën e linda normal, të seksit mashkull, 3 kile e 100 gramë, por u detyrova të dilja nga materniteti pa fëmijë...

- Si e le fëmijën? Bëre një deklaratë për ta lënë për birësim apo diçka tjetër?

- Jo, asgjë, asnjë deklaratë, thjesht e lashë. Nuk doja ta lija atë fëmijë dhe, kur të gjithë gëzoheshin që lindnin, unë qaja... Më pyesnin nëse qaja sepse isha mërzitur që kisha lindur djalë, se mos e doja vajzë... Unë kisha hall më të madh; kisha lindur një fëmijë që isha e detyruar ta braktisja... Nuk më mbështeste asnjë nga familja. Atë ditë që vajta për të lindur, prapa meje qëndronte një çift, jam shumë e sigurtë që e kam parë atë çift...

- Ti dyshon se ky çift priste që të merrte fëmijën tënd? - Po... - Pse mendon kështu? - Sepse në mes të kësaj ngjarjeje ka qenë një doktoreshë e quajtur Teuta, që tani ka ikur në Amerikë. Ajo ishte në dijeni që unë do ta lija fëmijën aty, ajo doktoreshë madje më ka hequr dhe numrin nga dora... Para se të ikja e ta lija, unë u ngrita e vajta e pashë fëmijën te krevati, mes fëmijëve të tjerë... Nuk më hiqet nga mendja... Flokët i kishte gështenjë...

- Sa ditë e mbajte fëmijën?

- Asnjë ditë. Linda në mëngjes dhe dola nga materniteti në orën dhjetë, me tension 9 me 8. Njerëzit e mi donin të nxitoja e të dilja sa më shpejt...

- Dhe më pas, nuk u interesove të mësoje çfarë u bë me atë fëmijë?

- Më mbrapa jo, jo sepse nuk doja, por sepse nuk kisha asnjë mundësi. Ishte viti ‘94 atëhere dhe unë jetoja në Levan. Për të shkuar në spital, duhet të shkoja nga Levani në Fier. Lekë s’kisha për biletën dhe pastaj... kështu ishim ne atëhere, duhet t ’u rrije prindërve pronto... Më pas u martova prapë dhe nga kjo martesë linda dy fëmijë të tjerë, një vajzë dhe një djalë. Vite më mbrapa, në gazetën tuaj, lexova një artikull ku një vajzë shkruante: “U dashurova me vëllain tim” dhe më ngriu gjaku... Direkt mendova vajzën time... ajo ishte në moshë të rritur atëhere dhe e mendova sikur t’i ndodhte asaj. Kështu, vendosa të in- teresohesha e të mësoja se ku ishte djali im, thjesht, ta dija... - Ku shkuat së pari? - Kam shkuar te materniteti i Fierit për të marrë një letër, një dokument që të tregojë për fatin e tij, por më thonë që “na janë djegur dokumentet”. Shkova te Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë dhe u interesova. Aty më thanë që deri në moshën tre vjeç kishte ndenjur aty dhe pastaj e kishin birësuar, por se ku, nuk ma treguan... U thashë nuk dua që ta marr, dua thjesht një shkrepje aparati dhe asgjë tjetër, thjesht që ta futja mes dy fëmijëve të tjerë, thjesht që ata ta njihnin. Kërkoj vetëm ta shoh një herë fëmijën tim. Vajzën e kam të martuar dhe tre muajshe shtatzënë, djalin tani e kam 16 vjeç. Unë dua vetëm ta shoh, nuk dua që ta marr. Ai, më 21 janar, bëhet 21 vjeç, kurse unë, nuk kam as mundësi ekonomike që të udhëtoj në Tiranë apo kudo tjetër ku mund ta gjej...

- Po martesa jote e dytë, Lindita, si shkoi? Me sa më the, tashmë je e divorcuar...

- Po, u martova dhe u divorcova. Kështu shkoi jeta ime... Tani, jetoj në kushte shumë të vështira, në një ishstallë kuajsh që, për më tepër, s’është as në emrin tim, por

Kur u rrit vajza, më pyeste se pse qaja fshehurazi dhe, kur u rrit, e mësoi brengën time... Unë prisja të shikoja reagimin e saj dhe, të më besoni, kam qarë me lot, kur më tha se gëzohej që kishte një vëlla më të madh. “Do të mundohem ta gjej dhe unë!”, më tha. Më kanë prekur jashtë mase fjalët e saj...

në emër të ish-vjehrrit. Jam me ujë në mushkëri, me bronkopneumoni, nuk po marr dot një shtëpi, nuk po interesohet askush për mua... Djali është në të nëntën, sepse u fut me vonesë në shkollë, ndërsa unë përpiqem ta mbaj familjen, me aq sa fitoj duke shpërndarë shtypin dhe me ndihmë sociale...

- Sa janë të ardhurat e tua mujore?

- Nuk mund të flas për të ardhura mujore... Unë i bëj mbylljet ditore dhe në ditë fitoj 150 lekë, 100 lek të reja... Ndihma sociale është 3800 lek të reja në muaj, që unë i dua vetëm ilaçe. Këtu ku jetoj, nuk kam një tavolinë, një karrige e jo më të kem kushte të gatuaj... Nuk mund të marr dot një pako ilaçe, një pompë për astëm.

- Nuk na tregove se pse u divorcove...

- Ish-burri im ishte i dhunshëm... Ai më rrihte me rripin e pantallonave, edhe në sy të fëmijëve... Në vitin 2009 kisha djalin të shtruar në spital, në Tiranë. Unë kisha hallin e djalit, kurse ai, në vend që të vinte të pyeste për djalin, erdhi dhe më kërkoi 100 lek të reja. Kur nuk ia dhashë, nisi të më godiste me grushta e me shqelma, aty, në spital. Unë rashë pa ndjenja dhe më morën ata që ishin të pranishëm, kurse atë e mori policia... Pas kësaj, erdhi ish-vjehrri, që në vend që të mbante krahun tim, nisi të më kërkonte llogari. Në 13 maj 2009, e nxora djalin nga spitali dhe i bëra ditëlindjen. Me datë 18, filloi prapë sherri. Ai më rrahu keq dhe unë u detyrova e ika nga shtëpia. Për gjashtë muaj kam jetuar në Qendrën e Rehabilitimit në Tiranë dhe, kjo periudhë ka qenë me e qeta e jetës sime... Për gjashtë muaj, atje kam mundur të jetoj si duhet... ishin të tëra kushtet, kishe ku të laheshe në radhë të parë, kishim psikologe, na shërbenin, na trajtonin si njerëz. Jam ndier shumë e qetë në atë kohë...

- Po fëmijët, rrinin me të atin?

- Fëmijët rrinin me vjehrrën e vjehrrin dhe me të atin.

- Pastaj u ktheve në shtëpi?

- Jo, ika në Greqi bashkë me disa gra të tjera, duke u munduar të siguronim një të ardhme për jetën tonë, por u ktheva sepse më kërkonin fëmijët të kthehesha dhe kisha merak për ta... Vajza, në atë kohë ishte 13 vjeçe, ndërsa djali 11. Por, prapë filloi avazi, ndaj thërrita policinë dhe u kërkova ndihmë. Kështu i dhashë fund asaj martese...

- Ish-burri, nuk të ngacmoi më?

- Ai nisi të vinte prapë, por unë kërkoja ndihmë në polici dhe policia më mori në mbrojtje. Që nga ajo ditë, ai nuk më ngacmoi më.

- Si mendon se do të reagojnë dy fëmijët e tu, nëse do ta gjesh djalin e parë?

- Do të gëzohen! Kur u rrit vajza, më pyeste se pse qaja fshehurazi dhe, kur u rrit, e mësoi brengën time... Unë prisja të shikoja reagimin e saj dhe, të më besoni, kam qarë me lot, kur më tha se gëzohej që kishte një vëlla më të madh. “Do të mundohem ta gjej dhe unë!”, më tha. Më kanë prekur jashtë mase fjalët e saj...

- Çfarë u kërkon sot, të gjithë atyre që e lexojnë këtë intervistë?

- Ka 20 vjet që sytë e mi nuk i shterin lotët dhe do t’ju lutesha, kush ka dijeni se ku ndodhet im bir, të më njoftojë... Vetëm dua ta shoh, vetëm ta puth një herë. Edhe pak ditë më kanë ngelur nga jeta sepse jam shumë e stresuar, shumë e mërzitur, nuk pashë një ditë të bardhë. E kam shumë të vështirë të jetoj dhe dua të iki e qetë nga kjo jetë. Nuk kam frike nga vdekja, por dua ta shoh njëherë djalin tim... Për kë ka një informacion që mund të më ndihmojë, po lë numrin tim të telefonit: 0699114042...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.