Cila është ora më e mirë për t’u marrë me sport?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- E lexoj rregullisht këtë rubrikë, por ajo çfarë dua të di më saktësisht është ora kur duhet të bëjmë ushtrimet. Cila është ora më e përshtatshme dhe që ka më shumë efekt në fizikun dhe shëndetin tonë? Faleminderit.

Mario Instruktori: - Të ushtruarit në fitness në natyrë apo kudo, në çdo orë të bëhet, ka të mirat dhe të këqiat e veta nëse nuk e bëni siç duhet dhe me kohën që duhet. Ama, ka një ndryshim nga ora në orë kur bëhen ushtrimet. Për shembull, ata persona që ushtrohen në mëngjes, nuk kanë të njëjtat efekte me ata që ushtrohen në mbrëmje. Një gjë është e përbashkët, se të ushtruarit përgjithësisht ndikon pozitivisht në gjithë organizmin tonë, në të gjitha këndvështrimet. Dalim te pyetja juaj: Sipas një studimi që është bërë rreth orës së të ushtruarit thuhet se të bërit për shembull joga pas zgjimit dhe para se të hani vaktin e mëngjesit, ndihmon shumë në rritjen e dëshirës për t’u marrë me ushtrime fizike dhe ju do të ndiheni të lehtë gjatë gjithë ditës. Nëse merresh me ushtrime me stomakun bosh, bie në peshë shumë më shpejt, ama mund të dëmtoheni nga ana shëndetësore dhe ndoshta nuk mund t’i bëni ushtrimet siç duhet, do të jeni pa energji. Pra, këtë gjë, nuk do t’jua sugjeroja. Dua të theksoj që ushtrimet në orare të ndryshme, kanë efekte të ndryshme në organizëm.

- Ushtrimet e mëngjesit ndihmojnë shumë që të jeni më energjik gjatë ditës dhe të përmirësoni cilësinë e gjumit, si dhe redukton oreksin gjatë gjithë ditës.

- Të ushtruarit pasdite, ndihmon për ekuilibrimin e orës biologjike. Çfarë do të thotë kjo? Aktiviteti i pasdites, domethënë nga ora 14.00- 16.00 ndihmon shumë në rregullimin e ritmit kardiak, problemet e diabetit, obezitetit, humbjen e memories dhe ndryshimin e humorit.

- Orari më i mirë për t’u marrë me sport është 17.00- 19.00. Ky quhet ndryshe fundi i ditës për marrjen me aktivitet sportiv, fitnes, etj. Pse quhet më mirë? Sepse gjatë gjithë ditës, ju keni akumuluar tension nga puna, shkolla e jeta në përgjithësi dhe të ushtruarit pas një dite të tillë ndikon pozitivisht në organizmin e personit. Temperatura e trupit në këtë orar është në maksimumin e saj dhe ju jeni gati të përmirësoni gjithë fizikun tuaj, sepse doni të shkarkoni në radhë të parë stresin e akumuluar gjatë ditës. Ndërsa pas orës 19.00 ose 20.00, nuk duhet të ushtroheni, sepse rritja e temperaturës trupore, bën që të mos ju zërë gjumi dhe të keni vazhdimisht çrregullime të tij.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.