ATA QË NUK INTERVISTUAM DOT KËTË JAVË

Intervista - - AKTUALITET - Nga Artan KRISTO

EDI RAMA

Kryeministrin Edi Rama deshëm ta takonim këtë javë e të bisedonim pak për konferencën e shtypit që ai organizoi me Tuiter. Na pëlqeu ideja e tij e re, por nuk na pëlqyen ca përgjigje që ai u dha atyre që e pyesnin. Besoj se edhe juve, të dashur lexues, nuk ju pëlqeu për shembull, përgjigjja e tij kur e pyetën për situatën në Bankën e Shqipërisë pas zbulimit të skandalit mbi vjedhjen e 7.13 milionë dollarëve nga thesari. Kreu i Qeverisë tha se nuk mund t’i kërkonte dorëheqjen drejtuesit të një institucioni tërësisht të pavarur sikundër është Banka e Shqipërisë. Sepse, t ’i kërkoke dorëheqjen governatorit Fullani qenka njëlloj sikur të kërkoke dorëheqjen, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, atij të Gjykatës së lartë, apo Presidentit të Republikës… Në fakt, nuk është tamam ashtu, zoti Rama. Ju, vërtet nuk keni fuqi e të drejtë në bazë të ligjit t’i detyroni ata të japin dorëheqjen, por mund të kërkoni dorëheqjen, qoftë për Fullanin, qoftë për Nishanin. Ju mund të kërkoni dorëheqjen e kryetarit të një institucioni të pavarur, zoti Rama, edhe si Kryeminister, por edhe si qytetar i thjeshtë që paguani taksa për të ushqyer (dhe pasuruar) ata funksionarë t ë pavarur. Çdo qytetar i thjeshtë, në demokraci, ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen kur një funksionar nuk e kryen mirë detyrën e tij e jo më një kryeministër. Aq më shumë që si kryeministër dhe kryetar i partisë më të madhe në pushtet, ju mund të mblidhni parlamentin dhe të shkarkoni bordin mbikqyrës të bankës, për shembull… Por, ju nuk doni. Ose nuk ju lënë... Apo jo?

PAPA FRANÇESKU

Këtë javë, Hirësia e tij, Papa Françesku, deklaroi personalisht se do të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator, ndërkohë që shtypi ka deklaruar edhe hollësirat e vizitës së tij. Pikërisht për këto ne deshëm t’i bëjmë një intervistë Hirësisë së tij, ta pyesim nëse është e vërtetë se ka kërkuar një makinë joluksoze për transportin e tij dhe, nëse po, a mund të ndërrojë mendje për këtë? Jo vetëm sepse mikpritësit e tij shqiptarë janë vënë në pozitë shumë të vështirë, ngaqë parku i makinave të personaliteteve të larta dhe Gardës ka vetëm makina luksoze, por edhe sepse automjeti i Papa Françeskut do të bjerë për sy të keq rrugëve të Tiranës kur të “ballafaqohet” me vargun e makinave luksoze të personaliteteve pritës, por edhe me qindra Benza, Hamera, Porsha, apo Ferrari të prodhimeve të fundit të parkuara në rrugë. Me siguri, Hirësia e tij do kthejë mendje për këtë kërkesë kur të shohë makinat e shqiptarëve…

GILBERT GALANXHI

Korrespondenti ynë në SHBA, u mundua të kontaktonte këto ditë me ambasadorin tonë aty, zotin Gilbert Galanxhi, por nuk mundi ta takonte pasi ai ishte me pushime. Deshëm ta pyesnim zotin ambasador për zhvillimet e fundit në qytetin Ferguson të SHBA, ku demonstratat kundër policisë dhe trazirat nuk kanë të sosur për shkak të vrasjes nga policia të një të riu. Deshëm ta pyesnim zotin Galanxhi: A ka ndërmend ai të dalë në CNN ose ABC dhe të japë ndonjë deklaratë për këto ngjarje, ashtu siç bëri zoti Arvizu për Guvernatorin Fullani? A ka ndër mend të bëjë ndonjë deklaratë si zoti Arvizu, ku të inkurajojë policinë të vazhdojë punën e saj në interes të vendit dhe të japë mesazhin se stabiliteti i Amerikës, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.