Ramën nuk e lënë të zbardhë vrasjen e Azemit

Jaho Mulosmani, i nxitur nga politikanë, po përpiqet të falsifikojë të vërtetën

Intervista - - AKTUALITET -

I dënuari me burgim të përjetshëm, Jaho Mulosmani, para pak kohësh, në një intervistë për vrasjen e Azem Hajdarit, u mundua të hedhë dritë mbi çfarë ndodhi në ditën e vrasjes, çfarë roli luajti Fatmir Haklaj dhe ai vetë, por edhe Sali Berisha. Mirëpo, roja personale e Azem Hajdarit, Marjan Gryka, i cili sot ndodhet në mërgim, pasi ka kërkuar azil politik, përgënjeshtron tërësisht thëniet e Mulosmanit, madje Gryka pohon që Mulosmani po përpiqet që të falsifikojë të vërtetën, i nxitur nga politikanë. Roja personale e Azem Hajdarit thotë se kryeministri i tanishëm Edi Rama ende nuk po mban premtimin e tij politik, se do të punojë për zbardhjen e vrasjes së Azem Hajdarit, sikurse nuk po mundohet të zbardhë as vrasjet e 21 janarit 2011, vrasjet e Gërdecit, etj.

Petraq Barjami: - Zoti Marjan, së pari dua t’i referohem intervistës së Jaho Mulosmanit, dhënë kohët e fundit, ku ju përmend edhe juve. Cili është këndvështrimi juaj për intervistën në tërësi?

Marjan Gryka: - Kanë kaluar 15 vite nga pushkatimi i Azem Hajdarit, deputet dhe lider i Dhjetorit ’90 dhe pavarësisht nga ndikimi i të dy kampeve politike në këtë vrasje, edhe pas 15 viteve, për Azemin flitet sikur ai është vrarë dje ose sot! Kështu do të ndodhë gjithmonë, deri në zbardhjen e vrasjes. Këtë e kanë kuptuar politikanët e të dy krahëve, siç e kanë kuptuar më së miri edhe gjithë shqiptarët në të gjithë botën, ata shqiptarë që duan demokraci e drejtësi. Të gjithë e kanë kuptuar se vrasja e Azemit nuk falet kurrë, sepse ishte lideri i së drejtës dhe i fjalës së lirë. Shohim sot deputetë nga e majta duke bërë gjoja përpjekje për të rihapur dosjen Hajdari, por shohim edhe se si gazetarë të dërguar dhe të paguar shkojnë te vrasësit e Azem Hajdarit për të gërvishtur sadopak atë pjesë që i intereson atij që e ka dërguar. Ndaj sot, ne, shoqata mbarëkombëtare “Azem Hajdari” dhe vetë unë si kreu i kësaj shoqate me emër të madh, ndjejmë detyrim juridik, statutor, mediatik dhe politik ndaj popullit shqiptar, por edhe institucioneve ndërkombëtare, që të sqarojmë çdo moment dhe çdo detaj për zbardhjen e çështjes Hajdari dhe zhvillimet e saj, ashtu siç kemi bërë dhe nuk jemi ndalur për 15 vjet me radhë!

- Diçka më konkrete, ju lutem, për intervistën e Jaho Mulosmanit. Nuk thotë të vërtetën ai për vrasjen e Azemit?

- Nuk dua t’i jap vlera aspak një personi si Jaho Lepuri, por dua t’i them se kur flet për vrasjen e Azemit, nuk duhet të flasësh si i burgosur, por si shef komisariati në detyrë që ishe kur shtive mbi Azemin dhe kur flet për Fatmir Haklajn, duhet ta citosh si drejtor policie në Tropojë, siç ishte kur shtiu mbi Azemin. Ajo vrasje qe e mirorganizuar. Aty ndërthureshin edhe Nano-kryeministër, që me aftësitë e tij komuniste përdori puçistët brenda PD-së, edhe Berisha në krye të opozitës, që ishte i pari për të marrë pjesë në varrime dhe për t’i përdorur ato për politikë!

Jaho gënjen plotësisht kur thotë se kishim ardhur për sqarim në Tiranë atë ditë, sepse me Haklajt ishte sqaruar çdo gjë më parë dhe kasetën e famshme e kishte me vete plaku i Haklajve, kur iku atë ditë dhe u përqafua me Azemin, si i ati me të birin. Po kështu, gënjen edhe kur thotë se Saliu mund të hynte në Tropojë sa herë të donte. Kur sollëm në Tropojë Saliun dhe Azemin, unë isha komandant i grupit të shoqërimit atë ditë dhe isha i pranishëm kur na njoftuan që në Koman,

Do të vijë një kohë që Berishën nuk do ta thërrasin, por do ta arrestojnë...

që të ktheheshim mbrapsht. Ne nuk ndaluam, por kur shkuam, tribunën e kishin hedhur në erë me dinamit. Atë ditë, ne bëmë luftë me armë. Kjo është dhënë edhe në televizionet e asaj kohe. Ishte luftë me policinë e Tropojës, në krye të së cilës ishte Jaho dhe njerëzit e tij...

- Pse askush nuk do të që të (ri)hapet dosja e Azemit?

- Me rihapjen e çështjes Hajdari, kërkesë që ne nuk kemi reshtur së bëri, kohët e fundit po luan “fort” edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke futur në lëvizje për këtë edhe deputetë të PS-së. Nuk e di nëse do ta lënë Edi Ramën të bëjë një burrëri të tillë, pasi të akuzuar dhe të implikuar në këtë vrasje janë shumë aktorë politikë nga e majta, por edhe nga e djathta, si i përmenduri disa herë, Taulant Dedja, që në Tropojë rrinte natë e ditë me vrasësit e Azemit, Fatos Nano, Fatos Klosi, Skënder Gjinushi, Thimio Kondi edhe ca të tjerë. Janë shsumë ata që nuk duan të hapet ajo çështje, ashtu siç nuk duan të rihapet çështja e vrasjeve të 21 janarit, apo Gërdecit... - Si e parashikoni të ardhmen? - Çështjen Hajdari do ta dërgojë në gjykatë populli, kur të ketë drejtësi, sepse drejtësia e ka thirrur Saliun mbi 8 herë për t’u paraqitur dhe ai e injoron. Por, do të vijë një kohë që nuk do ta thërrasin, por do ta arrestojnë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.