Dy disfatat e jetës sime

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga numri i kaluar)

Kështu, nisa të mësoja. Deri në atë kohë, nuk kisha pasur asnjë lidhje. Kushtet e mia të vështira të jetesës kishin bërë që të mos interesohesha për vajzat, pasi nuk kisha mundësi. Në vitin e dytë të fakultetit, arrita të sistemohesha disi. Punoja, arrija t’i nxirrja vetë shpenzimt e mia dhe të isha i qetë për mësimet, por gjatë asaj kohe, njoha Julin. Ajo studionte bashkë me mua. Ishte një vajzë e urtë dhe shumë e mirë. Në fillim, vetëm mësonim bashkë. Shkëmbenim idetë dhe mendimet tona për mësimet. Më pas, nisëm të pinim kafe pas mësimit e të bisedonim edhe për gjëra të tjera. Nisëm të pëlqeheshim. Nga fundi i vitit të dytë, ne u lidhëm.

Jetonim të dy në konvikt, ishim në një klasë, kështu që më të shumtën e kohës ishim bashkë. Përveç meje, ajo dilte edhe me dy shoqe, të cilat i kishte në dhomë. Me ato hapej për çdo gjë. Kur nuk ishte me mua, pa diskutim, ishte me to.

Isha shumë i qetë dhe i lumtur me të. Në disa gjëra, ajo më kujtonte mamanë time. E doja gjithnjë e më shumë, aq sa po mendoja që të fejohesha me të. Isha i bindur që ajo ishte vajza që kisha ëndërruar, me të cilën doja të kaloja jetën time, por qe vetë Juli që ia vuri shkelmin kësaj ëndrre. Ajo u tregua shumë harbute dhe e ulët.

Atë ditë, unë kisha blerë një tufë me lule dhe po shkoja në dhomën e saj për t’i bërë një surprizë. Ende nuk isha i sigurtë nëse duhet t’i thoja për fejesën apo jo, por isha i sigurtë se e doja shumë atë vajzë.

Po ecja në korridor dhe ndalova përpara derës së saj. Nga aty, dëgjova zërin e saj karakteristik, ndërsa po fliste me shoqet.

“Hë mi se Sokoli se si është!”, tha njëra prej tyre.

Po flisnin për mua. Qesha dhe vazhdova të qëndroja aty, sepse doja të dëgjoja si do të më mbronte Juli, por në fakt, dëgjova prej gojës së saj gjëra të tmerrshme.

“Është njëçik si katundar, madje pak si shumë, tha ajo. Po çfarë t’i bëj?! Jam rehat me të, të paktën derisa të mbarojë shkolla. Kështu, asnjeri nuk më ngacmon. Si për të dashur të parë, mirë është! Pastaj, “ciao”!”.

Nuk po arrija ta besoja që ishte ajo që i nxirrte nga goja këto fjalë. I rashë derës. Kur ma hapi, nisi të buzëqeshte ëmbël, ndërsa vajzat e tjera po nënqeshnin. I hodha lulet përtokë, i thashë se isha krenar që isha fshatar, por të paktën unë kisha dinjitet dhe ndershmëri, dy gjëra që ajo nuk do t’i kishte kurrë. U largova dhe nuk i fola më.

E pata të vështirë të rikthehesha në shkollë dhe të përqendrohesha në mësim ndërsa e kisha atë aty rrotull, por i vura qëllim vetes ta neglizhoja dhe ia dola. Tani po pres që diploma të më hyjë në punë për të rindërtuar një jetë të qetë dhe të lumtur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.