U dashurova me njerkun tim!

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Por vuajtjeve të mamasë sime, pas shumë kohësh, dukej se po u vinte fundi... Ajo u njoh me një burrë që ajo e do dhe që mua më duket shumë i veçantë. Këtë e kuptova që në momentin e parë që u prezantuam. Në ato momente ndjeja emocione të forta dhe nuk po kuptoja çfarë po ndodhte. Kisha përpara meje një burrë të gjatë, zeshkan e me shikim depërtues. Nuk kisha pasur asnjë figurë mashkullore pranë vetes gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve të jetës sime. Duke qenë se ishim gjithnjë vetëm, mamaja më mbante shumë afër. Ajo nuk më ka lejuar të dal apo të jem shumë e shpërndarë, pasi kishte frikë, ndaj edhe unë nuk kam pasur të bëj me meshkujt. E ndiej që shumë shpesh, sapo ata më afrohen, emocionohem shumë. Asnjëherë nuk di çfarë të them apo të bëj kur jam përpara një djali, edhe sikur ai të mos më interesojë fare. Këtë e dinë të gjithë, ndaj dhe s’më afrohet njeri. Për shkak të historisë së familjes sime e faktit që më dinë për të ngathët, unë jam paksa e veçuar.

Kështu, kur takova atë që do të bëhej njerku im u emocionova shumë. Nuk dija çfarë të thoja, por ai çuditërisht më bëri të ndihesha mirë. Më ra lehtë në faqe dhe më tha se edhe ai vetë e kishte të vështirë t’i gjente fjalët që duhet të më thoshte. Kuptova që ishte gjithashtu në siklet, ashtu si edhe unë. U ulëm në divanin e dhomës së ndjenjës dhe nisëm të bisedonim. Më pyeti për gjimnazin ku studioja. Më tha se edhe ai aty kishte qenë. Nisi të më pyeste për mësueset dhe për mësimin. Ishte një gjë aq e bukur dhe aq e thjeshtë të flisje me të. U ndjeva shumë mirë. Më pas donte të ikte, por unë këmbëngula që ai të qëndronte edhe për darkë. Ndërsa ishim të ulur të tre në tavolinë, ndjeva për herë të parë një ngrohtësi që nuk e kisha provuar më parë. Isha e lumtur dhe e qetë. Ai i afrohej herë pas herë mamasë sime ose i shtrëngonte dorën asaj. Kjo më çonte në qiellin e shtatë. Më dukej sikur kishim vite që ishim ashtu, si një familje. Kurrë nuk kam për ta harruar atë natë. Ka qenë nata më e lumtur e jetës sime.

Kur Besoja u largua dhe mami mbylli derën, unë vrapova dhe iu hodha në qafë. Ajo e kuptoi që më kishte pëlqyer shumë.

- Mos e lër të të ikë! - i thashë mamait. - Është shumë i mirë dhe duket që të do shumë!

Edhe mami vetë më tha se e donte shumë dhe se ndihej me fat që unë e kisha pëlqyer.

Për një vit, Besoja dhe mamaja ime nisën të shiheshin më shpesh. Shpesh më merrnin edhe mua me vete. Nga njëra anë doja që t’i lija vetëm, ndërsa nga ana tjetër kisha shumë qejf kur dilja me ta sepse bëja muhabet me Beson. Ai më trajtonte si të madhe. E ndieja që atij mund t’i thosha gjithçka, edhe ato që nuk ia thoja mamit. Ajo, duke qenë se i shte j ashtë mase mbrojtëse ndaj meje nuk i pranonte disa gjëra, ndërsa Besoja ishte më i qetë, më i shtruar. Ai i thoshte mamit që nuk duhet të më mbante kaq mbyllur, sepse do të mbetesha pa shoqëri dhe do të më kalonin vitet më të bukura të jetës. Qëkur Besoja hyri në jetën time, isha më e lirë. Shkoja nëpër ditëlindjet apo festat e shkollës. Ndonjëherë, kur e dinte që kisha ndonjë mbrëmje, për të më bërë qejfin, Besoja më sillte dhurata. Akoma e kam fustanin e parë që më ka dhuruar. Është një nga kujtimet më të çmuara që kam prej tij.

Pas një viti, mami më tha që kishte vendosur të martohej. Kjo gjë më bëri shumë të lumtur, pasi do të thoshte se Besoja do të jetonte me ne. Dhe ashtu ndodhi. Pas katër muajsh ata u martuan. Më pas u bëmë një familje dhe nisëm të jetonim nën një çati.

Javët e para, nga qejfi unë ngrihesha që herët dhe përgatisja mëngjesin. Kisha qejf kur Besoja, që ngrihej më shpejt se mamaja ime, e gjente gjithçka mbi tryezë. Ai më përqafonte fort, hante shpejt e shpejt dhe më pas ikte për në punë. Ndonjëherë, kur kishte kohë, më shoqëronte edhe për në shkollë. Ato ishin gjërat më të bukura që mbaj mend nga ajo kohë, por dalëngadalë nisa të ndieja më shumë për të. Sa herë që më afrohej, më shpeshtohej frymëmarrja. Kur vinte mëngjeseve për të më zgjuar bëja sikur flija, vetëm që ai të më afrohej. Nisa të krijoja shkaqe të ndryshme vetëm që ai të më prekte. Kur mami dhe Besoja putheshin apo rrinin afër njëri-tjetrit bëhesha shumë xheloze. Në çdo moment përpiqesha t’i ndaja, të mos i lija bashkë. Nga njëra anë kisha frikë se mos ata e merrnin vesh, por nga ana tjetër nuk përmbahesha dot. Kjo ndoshta vinte edhe nga fakti që ai ishte i pari mashkull që më qëndronte aq afër, ama edhe ashtu nuk vazhdohej. E ndieja që kisha rënë në dashuri kokë e këmbë me të. Dridhesha sapo dëgjoja hapat e tij ndërsa ngjisnin shkallët dhe drejto- heshin për nga dera...

Një ditë i thashë mamasë sime që doja të konkuroja për shkollën e lartë, gjë që do të thoshte se do të shpërngulesha në Tiranë. Ajo më tha se do të mendohej për këtë, pasi nuk donte të më linte vetëm, ndërsa Besoja i tha mamasë sime se kishte ardhur koha që unë të bëhesha e zonja e vetes, të rritesha. Kur tha kështu, u kthye nga unë dhe ma bëri me sy. Nuk e kam pyetur asnjëherë pse u soll ashtu, por mendoj se ai e ka kuptuar që unë e pëlqej, megjithëse asnjëherë nuk ma ka përmendur këtë gjë. Ai vazhdon të sillet me mua si ditën e parë, ndërsa unë mezi pres të mbaroj gjimnazin dhe të nisem për në Tiranë. E ndiej që vazhdoj ta dashuroj Beson, madje më fort se më parë, por ai është burri i nënës sime dhe duhen shum... Jam unë ajo që duhet të largohet. Atë që ndjej do ta mbaj gjithnjë përbrenda. Jam e lumtur që të paktën një herë arrita ta ndieja lumturinë e të qenit një familje, ndaj nuk kam ndërmend ta prish tani. Ai njeri nuk do të jetë asnjëherë i imi. Shpresoj që ardhja ime në Tiranë të ndryshojë shumë gjëra në jetën time dhe të më sjellë një njeri, me shpirtin dhe bukurinë e brendshme të Besos...

(Vijon nga numri i kaluar)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.