Si ta përfitoj pasurinë e gjyshes?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar zoti avokat! Jam trashëgimtar i pjesës së gjyshes, me testament të rregullt. Kam bërë të gjitha formalitetet. Gjyshja është martuar në vititn 1932. Pas martese, janë ndërtuar dy shtëpi. Pas vdekjes së gjyshit, është hartuar Akti i Trashëgimisë (datë 22.6.1996) konform rregullave. Në Aktin e Trashëgimisë, cilësohet që pronarë janë gruaja dhe katër fëmijët, me 1/5 e pasurisë. Pse është shprehur kështu? Ky akt trashëgimie është dorëzuar në ZVRPP Vlorë. Kjo zyrë e ka marrë në konsideratë dhe ka bërë regjistrimin e pasurisë me 1/5 për të gjithë pronarët. Pas vdekjes së gjyshes, pasi u bërë të gjitha formalitetet e testamentit, ai u dorëzua në ZVRP Vlorë. Vendimi ishte i datës 28.2.2000 dhe unë u bëra pronar për 1/5. Në bazë të Kodit Civil, gjyshja, për pasurinë pas martese, fiton ½ e pasurisë. Prona është dhënë për ndërtim. Çfarë rruge duhet të ndjek për ta përfituar? Faleminderit. Mikeli, Vlorë.

- Përshëndetje Z. Mikel! Kodi i Familjes së Republikës së Shqipërisë përcakton se:

- Regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore zbatohet kur bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë për regjim tjetër pasuror martesor.

- Bashkësia përbëhet nga:

a) pasuria e fituar nga të dy bashkëshortët, së bashku ose veç e veç, gjatë martesës;

b) të ardhurat nga veprimtaria e veçantë e çdo bashkëshorti gjatë martesës, nëse nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;

c) frytet e pasurisë së çdo bashkëshorti, që janë marrë dhe nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;

ç) veprimtaria tregtare e krijuar gjatë martesës.

- Pasuri vetjake e bashkëshortit që nuk bën pjesë në bashkësi është:

a) pasuria, e cila para lidhjes së martesës ishte në bashkëpronësi t ë bashkëshortit me persona të tjerë ose kundrejt së cilës ai ishte titullar i një të drejte reale përdorimi;

b) pasuria e fituar gjatë martesës me anë të dhurimit, të trashëgimisë ose lekut, kur në aktin e dhurimit ose në testament nuk përcakto- het se ato janë dhënë në favor të bashkësisë;

c) pasuritë e përdorimit ngushtësisht vetjak të secilit bashkëshort dhe pasuritë e fituara si aksesorë të pasurisë vetjake;

ç) mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit të njërit prej bashkëshortëve, përveç atyre që janë caktuar për administrimin e një veprimtarie tregtare;

d) pasuria e fituar nga shpërblimi i dëmit vetjak, me përjashtim të të ardhurave që rrjedhin nga pensioni i fituar për shkak të humbjes së pjesshme ose të plotë të aftësisë për punë;

dh) pasuria e fituar nga tjetërsimi i pasurive vetjake të sipërpërmendura;

e) shkëmbimi i tyre, kur kjo është deklaruar shprehimisht në aktin e blerjes.

Ajo çfarë ju duhet të shikoni është origjina e pronës suaj. Nëse truallin e ka të trashëguar gjyshi, atëherë gjyshja juaj është pronare me ½ e ndërtimit (shtëpisë) që mund të jetë ndërtuar në atë truall.

Nëse truallin, gjyshja dhe gjyshi e kanë blerë pasi ata janë martuar, në këtë rast, gjyshja është bashkëpronare me gjyshin në ½ pjesë për truallin dhe për ndërtimin që ndodhet në këtë truall.

Ju duhet t’i drejtoheni Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ( ZVRPP) Vlorë duke bërë aplikimin për të regjistruar pjesën tuaj të cilën e keni të përfituar nga gjyshja me testament, bashkëlidhur do të depozit oni t estamentin. Nëse ZVRPP Vlorë jua refuzon aplikimin tuaj, ju duhet t’i drejtoheni gjykatës me kërkesë padi dhe t’i kërkoni Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë t’ju regjistrojë si bashkëpronar me ½ pjesë, të cilën e keni trashëguar me testament nga gjyshja juaj. Në seancën gjyqësore, do të paraqisni edhe provat që vërtetoni pretendimin tuaj.

Nga letra që ju shkruani, unë kuptoj se kemi të bëjmë me një pronë të cilën gjyshi e ka të trashëguar dhe ju, me t ë drejtë, keni përfituar pjesën e gjyshes, të cilën ajo e ka përfituar nga bashkëshorti i saj, gjyshi juaj. Pasi të keni marrë informacion më të detajuar lidhur me origjinën e pronës dhe nëse nuk jeni i qartësuar me këtë përgjigje, mund të kontaktoni në adresën e Studio Ligjore “Duraj”. Gjithë të mirat, Av. Drn. Alban Duraj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.