Ç’kuptim ka ëndrra ime?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

Kishin çelur kumbullat

- Kam parë një ëndërr shumë të çuditshme, e cila më ka bërë merak. Shkova në fshat te gjyshja dhe më tha: “Dil përjashta se kanë çelur kumbullat”. Dola dhe, ç’të shikoja? Kishte lulëzuar i gjithë vendi! Më kanë thënë se, të shikosh kumbulla në ëndërr, është fatkeqësi. A është e vërtetë kjo gjë? - Nuk duhet të shqetësoheni, sepse një ëndërr e tillë nuk tregon fatkeqësi, përkundrazi, ajo parashikon rini, gjallëri dhe karakterin tuaj të pafajshëm. Nëse gjer tani keni kaluar disa probleme, tani e tutje, pas kësaj ëndrre, do t’i kapërceni të gjitha vështirësitë dhe fati tashmë do të jetë me ju. Pra, siç e shikoni, kjo është një ëndërr fatsjellëse. Gjithë të mirat!

Humba të dashurin

- Isha në makinë dhe po udhëtoja me të dashurin tim. E mora për ta ngarë dhe pashë që diçka nuk shkonte me makinën time. Nuk po ecte. I dashuri, më tha: “Ma jep mua se ti nuk di t’i japësh makinës”. I them: “Ok, nise ti makinën se unë po dal pak jashtë”. U gjenda në një ambient të humbur dhe u kujtova se e kisha humbur të dashurin. E mora në telefon, por nuk punonte celulari. Kërkova në xhepin e pantallonave dhe gjeta ca para. Po men- doja se me këto mund të shkoja gjer tek i dashuri, duke marrë taksi. Nga sikleti se nuk po gjeja dot asnjë taksi dhe që nuk po komunikoja dot me të dashurin, u zgjova nga gjumi. Ju lutem, më thoni, çfarë parashikon? - E nderuar lexuese! Një ëndërr e tillë tregon marrëdhënien tuaj me të dashurin, si e menaxhoni atë, si ndiheni për momentin dhe çfarë parashikon e ardhmja. Ka gjëra në jetën tuaj private që kanë nevojë për t’u rishikuar, sepse ju keni kohë që heshtni për diçka, ndaj ka ardhur koha që të reagoni menjëherë, ndryshe mund të rrezikoni marrëdhënien tuaj. Duhet të tregoni që keni edhe ju të drejtë të flisni, sidomos kur shikoni diçka që nuk shkon. Në ëndërr, i dashuri ju merr timonin e makinës, që do të thotë se ai ju drejton siç do ai, pa pyetur për dëshirat tuaja. Vështirësia e komunikimit me celular është vështirësia që keni për t’u shprehur. Paratë tregojnë debate, por edhe vlerën që i jepni vetes suaj dhe, në këtë rast, nuk e vlerësoni siç duhet vetveten. Në ëndërr, në fund, jeni vetëm, keni humbur dhe realisht, ashtu ndiheni në të vërtetë. Nëse ka diçka që nuk shkon, ka ardhur momenti të reagoni dhe t’i jepni një drejtim ndryshe lidhjes suaj. Ky është mesazhi që ju përcjell ëndrra.

Me nënën e shokut

- Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur isha me disa miq e po festonim diçka jashtë, por nuk e mbaj mend se çfarë. Më telefonoi një shoku im dhe më tha: “Dil në rrugë më prit, se do vij të të marr me makinën time”. Kur po rrija aty, kaluan disa djem me makinë, që më shikonin mua dhe më përqeshnin. Unë ua bëra me dorë, pavarësisht se u ndjeva keq. Pashë makinën e shoku tim, por u habita se në të ishte nëna e tij, që fatkeqësisht, nuk jeton më. Hipa në të dhe ndihesha keq e nuk guxoja ta pyesja për shokun tim. A ka ndonjë kuptim? - Një ëndërr e tillë, së pari, tregon që jeni në pritje të ndonjë lajmi shumë të rëndësishëm, por kjo pritje po ju torturon disi, sepse nuk e dini ç’lajm do merrni. Se çfarë prisni e dini vetëm ju, por ama jeni në ankth dhe keni frikë se do të talleni nga shoqëria. E gjitha kjo është në mendjen tuaj, sepse realisht, nuk do të ndodhë kështu. Ju keni frikë dhe krijoni ngjarje në mendjen tuaj, për sa kohë po prisni lajmin që vetëm ju e dini. Ama, fundi i ëndrrës tregon që gjithçka do të zgjidhet shumë mirë. Lajmi nuk do të jetë mbase ashtu siç e prisnit, por përfundimi do të jetë pozitiv. Nëna e shokut, pavarësisht se nuk jeton, tregon fat për ju.

Në provim

- Kam parë veten në

ëndërr sikur isha në shkollë dhe kisha provim, por nuk po i jepja dot drejtim, nuk dija t’i zgjidhja ushtrimet. U kërkoja ndihmë shoqeve, por asnjëra nuk më jepte asnjë lloj ndihme. Theksoj që unë jam shumë e madhe në moshë dhe nuk jam në shkollë. - Shpesh, kur gjendemi përballë një problemi, ose një situate që nuk dimë se si t’i japim zgjidhje, e shohim veten në provim. Keni frikë se nuk do t’ia dilni mbanë, ju duket se keni ngecur dhe nuk po gjeni

dot rrugëdalje, ndaj e keni parë këtë ëndërr. Për sa kohë nuk do t’i merrni frenat e jetës tuaj në dorë, do ta shikoni sërish këtë ëndërr. Mos prisni nga askush që t’ju ndihmojë, sepse vetëm ju mund ta zgjidhni situatën, problemin që keni.

I fejuari ishte sëmurë

- Kam parë në ëndërr të fejuarin tim sikur ishte shumë i sëmurë dhe më thanë që do të vdiste. E pashë sikur ishte në agoni, vetëm reagonte ndonjëherë dhe unë qaja me dënesë.

- Mos u mërzitni! Një ëndërr e tillë tregon që jeni para disa ndryshimeve thelbësore në jetën tuaj, por kjo s’do të thotë që të shqetësoheni, pasi ato s’kanë lidhje as me vdekjen, as me sëmundjen. Mund të jetë një ndryshim në karakter nga ana juaj, mund të jetë ndryshim në jetën tuaj personale, mund të martoheni, ose nëse keni pasur ndonjë shqetësim shëndetësor, ai është në kalim e sipër. E qara në ëndrrën tuaj, tregon ngushëllim në jetën reale.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.