A ka lente për shtrembërish sysh?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam 19 vjeç dhe kam problem me shtrembërimin e syrit të majtë. Mbaj syze, por kur bëra kontrollin e fundit, mjeku tha që duhet të bëj operacion. Unë kam frikë. A ekzistojnë thjerrëza kontakti për shtrembërim sysh, apo duhet patjetër ndërhyrje kirurgjikale? A janë të rrezikshme këto lloj operacionesh? Ju lutem, më thoni, sepse jam shumë i mërzitur. Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: - I nderuar letërshkrues! Shtrembërimin e syrit ju e keni që në fëmijërinë tuaj dhe ndërhyrja do të ishte mirë të isht e bërë që në moshë të vogël, që ju të korrigjonit edhe drejtimin e syve tuaj, edhe të arrihej një mprehtësi shumë e mirë pamjeje e syrit të majtë. Duke qenë i shtrembëruar syri i majtë, ai, edhe pse është me syze, nuk arrin të ketë të njëjtin shikim të mprehtë si i djathti, pasi nuk e sheh objektin drejt, nuk e fikson, kështu që gjithmonë, syri juaj i mprehtë ka qenë i djathti dhe kjo është vërtetuar edhe në vizitat që keni kryer. Arsyeja pse mjeku ju ka rekomanduar ndërhyrje, është sepse ju keni një kënd të tillë strabizmi i cili nuk mund të sistemohet më me anë të syzeve. Ju jeni 19 vjeç dhe këto procedura të sistemimit të këndit të shtrembërimit vetëm me syze, bëhen në moshë të vogël, ndoshta deri në 7- 8 vjeç dhe duke e mbyllur syrin e mirë ( pra, të djathtin) me mbyllëse. Më pas, me rritjen e fëmijës, shtrembërimi mbetet dhe duhet të sistemohet patjetër vetëm me ndërhyrje kirurgjikale. Ndërhyrja në moshën tuaj bëhet me anestezi lokale në sy, pra, ju, gjatë ndërhyrjes, jeni zgjuar dhe komunikoni me mjekun.

- Edhe pse do të kryeni ndërhyrje për drejtimin e syrit, kjo nuk ndikon aspak në numrin tuaj të syzeve dhe ju do të vazhdoni të jeni me syze dhe me të njëjtin numër. Nuk ka arsye përse t ë keni frikë, pasi nuk do të keni dhimbje. Përsa i përket faktit se sa do të përvetësohet shtrembërimi i syrit tuaj nga operacioni, kjo varet shumë nga shkalla e shtrembërimit, mbasi mund të dojë jo vetëm një ndërhyrje, por ndoshta edhe më shumë se një. Lentet e kontaktit, në rastin tuaj, janë të pakëshillueshme, pasi duke qenë se vendosen direkt mbi korne ( mbi xhamin e syrit) ato rritin gradën e shtrembërimit dhe shtojnë problemin. Rekomandohet vetëm ndërhyrja estetike me operacion dhe mbajtja e syzeve korrigjuese. Faleminderit që e besuat tek unë shqetësimin tuaj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.