Intervistë me specialistin bankier Ernest Kotoni

Intervista - - AKTUALITET -

Ernest Kotoni, me një përvojë 40 vjeçare si specialist bankar, i cili ka punuar mbi 20 vjet në kontrollin e Bankës së Shqipërisë, në intervistën për gazetën “Intervista” argumenton se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fullani, por edhe Këshilli Mbikqyrës janë fajtorë të drejtpërdrejtë të vjedhjes së thesarit në BSH-së, pasi, siç pohon zoti Kotoni, ata, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, nuk kërkuan që para se të transportohej departamenti i thesarit nga BSH-ja në Linzë, të hartohej rregullorja e brendshme. Gjithashtu, Fullani, por edhe të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, sikurse edhe Inspektori i Përgjithshëm i BSH-së janë fajtorë, me papërgjegjshmërinë dhe me paaftësinë e tyre profesionale, që për 4 vjet nuk kanë kërkuar inventarizimin periodik të thesarit, që siç thotë zoti Kotoni, nëse do të ishte kryer me përgjegjësi, do ta kishte identifikuar qysh herët vjedhjen. Zoti Kotoni pohon se ligji “Për Bankën e Shqipërisë” përcakton se drejtuesit, sikurse Guvernatori, Inspektori i Përgjithshëm dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, duhet të shkarkohen menjëherë, nëse dëshmohet papërgjegjshëria dhe paaftësia e tyre profesionale për të drejtuar, sikurse u dëshmua në vjedhjen e thesarit të BSH-së. Ndaj, që të shkarkohet Fullani, anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, thotë specialisti banker, zoti Kotoni, nuk është e nevojshme që çështja të procedohet në Parlament, sikurse edhe ligji “Për Bankën e Shqipërisë” nuk është e domosdoshme që të ndryshohet, duke marrë shkak nga vjedhja e thesarit...

Petraq Barjami: - A mund të konsiderohet një vjedhje ordinere vjedhja e Bankës së Shqipërisë?

Ernest Kotoni: - Këtë vjedhje mund ta ketë kryer edhe një njeri i vetëm, duke patur parasysh që nuk është zbatuar asnjë lloj rregulli i ruajtjes dhe kontrollit të vlerave monetare në kasafortë. Që në momentin që çelësat iu dhanë në administrim një personi të vetëm, u krijuan të gjitha mundësitë për të realizuar vjedhjen…

- Fakti që çelësat e kasafortës iu dorëzuar një njeriu të vetëm, a nuk lind dyshimin se mund të kemi edhe bashkëpunim në vjedhje?

- Një veprim të tillë mund ta kryejë vetëm një njeri që e ka idenë e organizimit të punës në arkën e Bankës. Nga ky shkak nisem, që them se vjedhja mund të kryhet edhe nga një njeri i vetëm, por teorikisht, nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë patur dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

- Ju, keni qenë për një kohë të gjatë nëpunës i Bankës së Shtetit. Mund të na thoni se, si ka mundësi që kjo vjedhje u krye në një periudhë 3 vjeçare dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë nuk e kishin pikasur?

- Kryerja e vjedhjes për një periudhë 3 vjeçare tregon se kontrollet në thesar kanë qenë formale. Nuk janë zbatuar rregullat e inventarizimit, ose nuk janë kryer fare këto veprime.

- Vetë prokuroria dyshon që shuma e deklaruar e vjedhjes mund të jetë më e madhe nga 713 milionë lekë. Pyetja është: A e ka deklaruar Banka e Shqipërisë shumën e vërtetë të vjedhjes?

- Duke patur parasysh që pasi u publikua vjedhja e kryer në thesar, Banka e Shqipërisë organizoi kontrollin e plotë të thesarit, mendoj se shuma e vjedhjes prej 713 milionë lekësh që ka deklaruar Banka e Shqipërisë është e saktë. Nuk mendoj se do jenë shkelur rregullat e inventarizimit edhe në një situatë të tillë. Nëse vërtetohet hipoteza që thatë, se prokuroria dyshon që shuma e vjedhjes është më e madhe nga ajo e deklaruar zyrtarisht nga vetë Banka e Shqipërisë, në rastin më të mirë është paaftësi e theksuar profesionale, si e drejtuesve, ashtu edhe e punonjësve të thjeshtë. Dhe, në rastin më të keq, është mashtrim.

- Mos ndoshta as tani, Banka e Shqipërisë nuk e di shumën e vërtetë të vjedhjes?

- Teorikisht, ekziston kjo mundësi, nëse nuk është kryer në rregull inventarizimi i fundit i thesarit.

- Kjo vjedhje që ndodhi në Bankën e Shqipërisë, a mund të ndodhë edhe në ndonjë bankë të nivelit të dytë?

- Vjedhje nëpër banka kanë ndodhur, por vjedhje të kësaj natyre, të tërheqjes fizike nga kasaforta e Bankës së parave nga vetë punonjësit e bankës, aq më keq në një periudhë sistematike 3 vjeçare, nuk ka ndodhur asnjëherë, sepse ruajtja fizike e parave në çdo bankë nuk i është besuar asnjëherë një njeriu të vetëm, por minimalisht 3 personave, që janë drejtuesit kryesorë të çdo njësie dhe filiali.

- Kush janë përgjegjësit për vjedhjen e ndodhur në Bankën e Shqipërisë?

- Vjedhja në Bankën e Shqipërisë ka ndodhur për arsyen e vetme sepse siguria fizike e parave në kasafortë iu besua një njeriu të vetëm dhe jo 3 personave, siç ka qenë historikisht ky rregull. Sasia e vjedhjes ka qenë në varësi të moskryerjes së kontrolleve dhe inventarizimeve sipas rregullave. Për të përcaktuar përgjegjësinë e vjedhjes, duhet të përcaktohet: Kush e ka dhënë urdhërin që të tre çelësat e kasafortës t’i dorëzohen Adrian Bitrajt? Dhe, cilët e kanë miratuar këtë urdhër? Këta janë personat përgjegjës? Përgjegjës, për mendimin tim, janë dy punonjësit që kanë dorëzuar çelësat, pavarësisht nga urdhëri i dhënë, pasi kjo nuk ka qenë e përfshirë në rregullore.

- A nuk të shtyn kjo te dyshimi, që vjedhja të ketë qenë e organizuar?

- Teorikisht, ekziston kjo mundësi, por bindja ime, si specialist, është që ky urdhër është dhënë nga njerëz të mangët mendërisht dhe profesion-

(Vijon në faqen 10)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.