I dolëm në krah nuses së djalit

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga numri i kaluar)

Në mbrëmje, në kohën që djali duhet të kthehej në shtëpi, ne ishim në shtëpinë e tij, sepse edhe ne kishim një kopje të çelësit. Ai bëri sikur nuk ...

u çudit kur na pa, por asnjëri nga ne nuk mund të duronte gjatë pa iu përveshur. E filloi im shoq, duke menduar se do të ishte më i qetë, por sinqerisht, 39 vjet me të dhe nuk e kisha parë asnjëherë në atë gjendje. Fjalët i dilnin si furtunë nga goja, jo me zë të lartë, por një dridhje e inat që edhe mua më trembi. Im bir, në fillim u shushat se nuk e mendoi që ne e dinim, por pastaj u ul dhe m’u duk sikur po mendonte. Nuk m’u ndenj pa folur dhe i thashë:

- Po bën sikur po mendohesh? Po nuk je pak vonë të mendosh për budallallëkun me brirë që ke bërë? Po sikur dhëndrri të sillej kështu me motrën tënde, ç’do bëje? Po ta them unë, unë e para do merrja çiften në krah. Si mund t a nëpërkëmbësh kështu bashkëshorten tënde? Vetë e ke zgjedhur, është nëna e dy fëmijëve të tu. Apo nuk janë fëmijët e tu? – ia thashë të gjitha këto pa marrë frymë, po ndërsa i thashë këtë të fundit, e pashë që im bir shqeu sytë.

- Nuk kam dyshuar ndonjëherë në dashurinë dhe besnikërinë e gruas sime... - më tha.

- Epo atëhere, që sot e tutje dije se do të jem unë ajo që do t’ia gjej një të dashur asaj, do ta ruaj ndërsa e takon ajo të dashurin e ri dhe provoje se si është ndier ajo, që ti të mbledhësh mendjen. Pale, po i ke thënë edhe “po, të kam tradhtuar dhe e dashuroj këtë të renë”. Dije që nuk je më im bir nëse do të vazhdosh me këtë mendje.

Pasuan dy minuta, apo nuk e di se sa, heshtje që m’u duk sa qindra vite dhe e pashë që mori telefonin në dorë. Nuk e dija se me kë do të fliste dhe në fillim s’po ia vija veshin, por e dëgjova të thoshte:

- Mbaroi, nuk ka më asgjë mes nesh. Kam grua e dy fëmijë dhe e dua familjen time. Fshije numrin tim nga telefoni sepse edhe unë të njëjtën gjë do të bëj. Dhe, mos bëj gabim të kalosh nga puna ime! - tha dhe e mbylli. E kuptova që kishte folur me atë.

Im shoq i tha se do ta ndiqte, do të linte pazaret pa bërë dhe të mos i shkonte mendja se do ta besonte atë që dëgjoi t’ia thoshte asaj në telefon.

- Kjo është zgjedhja juaj, - tha ai, - por për mua ka marrë fund.

Edhe një herë mori telefonin në dorë dhe këtë radhë foli me nusen-engjëll, vetëm kështu dua ta quaj:

- Të lutem, hajde në shtëpi, nuk do ta takoj më dhe të lutem mos merr hak duke më tradhtuar. Gjej diçka tjetër për të më ndëshkuar sepse unë e kisha fajin, por të lutem, mos më tradhto. Të betohem që s’do ta takoj më, të betohem...

Nuk e di se çfarë i tha ajo nga ana e tjetër e telefonit, por të nesërmen paradite, kur u takuam me nusen, ajo më puthi e më përqafoi fort. Kanë kaluar nëntë muaj nga kjo tronditje e më duket se im bir po e mban fjalën që na dha. Shpresoj shumë që ata të dy të lumturojnë njëri-tjetrin, sepse kam rritur djalë të mirë edhe pse bëri këtë gabim dhe kam shancin më të mirë të më vijë në derë një nuse aq e mirë sa ç’është nusja jonë. Ia uroj çdo nëne të marrë një nuse të tillë për djemtë e saj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.