Ç’kuptimkaëndrraime?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

Më ndjekin - Çfarë do të thotë të shikosh në ëndërr sikur të ndjekin dhe nuk gjen dot shpëtim? - Një ëndërr e tillë tregon se mbani një përgjegjësi të madhe dhe e ndjeni si një barrë të rëndë, prej së cilës nuk po dini si të shpëtoni. Përgjithësisht, ëndrra të tilla tregojnë gjendje stresi në jetën reale. Duhet të jeni më të kujdesshëm, sepse një gjendje e tillë nuk bën gjë tjetër veçse thellon më shumë ndjesinë e përndjekjes. Ka gjithmonë një zgjidhje, mendojeni.

Motra dhe dhëmbët Motra ime ka parë në ëndërr veten sikur po numëronte dhëmbët e saj dhe, ndërkohë, më thoshte mua: “Shiko sa të bukur i kam, ndërsa ti i ke të shëmtuar!”. Unë e shikoja e nevrikosur. Çfarë do të thotë? - Dhëmbët kanë shumë kuptime, tregojnë mënyrën si i trajtoni problemet dhe çështjet tuaja në jetë, mënyrën se si komunikoni dhe se si i përballoni situatat e ndryshme që ju dalin përpara. Në këtë rast, tregon se motra juaj është shumë e zgjuar, di si ta menaxhojë jetën e saj dhe matet shumë kur flet. Ajo ka shumë besim në vetvete, ndërsa ju jeni më e brishtë dhe e dobët, gjë që motra juaj e ka vënë re. Por, ëndrra tregon gjithashtu se ju keni nevojë të bisedoni me motrën tuaj për çdo gjë, sepse ajo do t’ju ndihmojë shumë për të shfaqur anën më të fortë të karakterit tuaj. Kini besim tek ajo.

Lakuriq - E shoh veten shpesh lakuriq në ëndërr dhe kjo më shqetëson, sepse të nesërmen kaloj gjithmonë siklete të ndryshme. Mos vallë një ëndërr e tillë paralajmëron ditë jo të mira, ters dhe probleme në përgjithësi? - Duhet të mësoheni që të shikoni anën pozitive edhe tek ëndrrat më të këqia që shikoni sepse shpeshherë, ngjarjet e ditës apo e ardhmja, varet pak dhe nga mënyra se si e mendojmë ne, duke filluar nga mendimet, një përqindje e madhe e të cilave, sigurisht, shprehen me vepra. Në rastin konkret, ëndrra tregon që jeni person shumë pesimist dhe çdo gjë e shikoni bardhë e zi. Një ëndërr e tillë tregon pikërisht karakterin tuaj të dobët, tregon se keni ndjesinë sikur jeni gjithmonë të pambrojtur dhe shumë i hapur para të tjerëve. Mendoni se të gjithë jua dinë pikat e dobëta dhe problemet tuaja, por në fakt, kjo është një gjë që ekziston në mendjen tuaj, më shumë sesa një fakt i vërtetë. Në momentin që ndiheni kështu, edhe ata që ju rrethojnë mund ta kuptojnë frikën tuaj. Kontrolloni mendimet tuaja dhe do të shikoni se edhe ëndrrat tuaja do të ndryshojnë. Duhet ta vlerësoni më shumë veten.

Ujëra të qeta - Më ndodh shpesh në

këtë periudhë që të shikoj lumenj apo liqene, ama janë të qetë. Mbrëmë pashë ujvarë që rridhte dhe mahnitesha, sepse uji binte qetësisht. Pres një shpjegim... - Kjo është një ëndërr shumë e bukur, që tregon se po kaloni një periudhë të qetë. Uji, përgjithësisht është jetë, është zhvillim, është riprodhim, pra, është gjithçka. E tillë është edhe jeta juaj tani; po kaloni periudhën më të bukur të saj. Nëse jo, atëhere ju pret një periudhë e tillë. Plus kësaj, do të thotë që ndiheni edhe shumë e plotësuar nga ana intime dhe gati për të pasur një fëmijë.

Vonesa për udhëtim - Çfarë kuptimi ka në ëndërr kur e shikon veten gjithmonë sikur vonohesh për të kapur aeroplanin, trenin apo autobusin? Unë shoh shumë ëndrra të tilla, ndaj dua të di kuptimin nga ana juaj. Faleminderit. - Përgjithësisht, ëndrrat ku shikojmë mjetet e transportit, simbolizojnë aftësitë që keni për të arritur objektivat apo qëllimet tuaja në jetë. Vonesat që keni për të kapur këto mjete transporti, tregojnë që keni përgjithësisht pengesa në arritjen e planeve tuaja, ama kjo s’do të thotë që ju të ndaloni, por që të ecni përpara duke përdorur taktikë tjetër. Ndoshta keni nevojë të reflektoni më shumë para se të ndërmerrni veprime të tjera në jetë. Ky është si një lloj mesazhi për ju, përderisa e shikoni kaq shpesh.

Po binte shumë shi - Isha me familjen dhe po shkonim për pushime, kur papritur filloi një shi shumë i rrëmbyeshëm dhe ne nuk po e shihnim dot rrugën. Unë i thashë mamit: “Si ka mundësi, tani është verë dhe bie kaq shumë shi?”. Ndërkohë, shoferi i autobusit po thoshte: “Duhet të ndalojmë se ka shumë shi dhe kam frikë mos na ndodh ndonjë aksident”. Kur zbrita, më tha një plak goxha i vjetër: “Ti nuk je fëmijë i mirë, sepse nuk e dëgjon familjen!”. E habitur, i thashë: “Ik në punën tënde, ç’të duhet ty?!”. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Theksoj që isha bërë qull nga shiu... - Të shkuarit me familjen për pushime, tregon që ju duhet patjetër të jeni pjesë e problemeve, apo debateve në familje dhe të mos tregoheni kaq indiferente sa jeni realisht. Keni një konflikt me familjen, për arsye që vetëm ju i dini, por ka ardhur koha t’i shuani këto probleme dhe të vendosni njëfarë paqeje mes jush. Shiu që keni parë, nëse ka qenë i pastër, simbolizon pjellori, rinovim, falje dhe lehtësim shpirtëror. Ndoshta fakti që do të flisni me familjen dhe do të sqaroheni, do t’ju bëjë të ndiheni shumë mirë. Kritika e plakut tregon atë çfarë ju thashë më sipër, konfliktet që realisht i keni shkaktuar po ju vetë me familjen tuaj. Plaku përfaqëson dhe urtësinë, pjekurinë dhe këshillat në përgjithësi, që duhet t’i dëgjoni.

Përgatiti faqen: Valbona VUKULAJ

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.