Gjithçka mund të ndodhë...

Për pushime me Sofinë e "Zonë e lirë"

Intervista - - FAQE 1 -

Me Sofinë...

Blerina Çizmja: - Sofi, si janë ditët pa “Zonë e lirë”?

Romina Alku:

- Si ditët e gjithkujt me pushime dhe me angazhime familjare...

- Çfarë të mungon më shumë nga ky emision, apo më saktë, a të mungon ndonjë gjë prej tij?

- Më mungon veshja ime AMC... Big up i Dj Çerrit, alegria, rrëmuja, zhurma e çdo përgatitje emisioni. Sigurisht, edhe intervistat që vetëm Ariani di t’i bëjë...

- Si i bën pushimet stafi i “Zonë e lirë”, secili për qejf të vet, apo edhe së bashku...

- Pushimet, gjithsekush, në qetësinë e tij. Pas 9 muajve punë së bashku, pak relaks duhet për veten... për t’u rikthyer me energji dhe ide të reja në “Zonë e lirë”.

- Atëhere, rasti juaj mund të quhet ai i një stafi që “ndan edhe jetën jashtë pune”, apo ai i një stafi që, kur mbaron puna, “nuk njihen me njëri-tjetrin”?

- Në fakt, asnjëri nga të dy rastet e lartpërmendura. Stafi i “Zonës së lirë” është unik dhe ky është çelësi i rezistimit ndër vite. Ndajmë çdo gëzim familjar me njëri-tjetrin sepse njihemi shumë mirë...

- A do të kishe dashur që Çani të të vinte një emër tjetër dhe jo Sofi?

- Ariani është një gazetar me shumë shije dhe asnjë emër tjetër nuk do të më shkonte e nuk do të bëhej njësh me mua... Ndaj më pëlqen dhe e dua emrin Sofi, më shumë se çdo emër tjetër. Edhe për veten, të njëjtin emër do të kisha zgjedhur, pa asnjë dyshim.

- Ndonjëherë njeriut i pëlqen të kthehet në “identitet”. Ka patur një moment kur ke dashur që tashmë të të thërrisnin Romi, për shembull?

- Sofi është më në identitet se Romi… S’e njoh këtë të fundit, askush nuk më ka thirrur kështu asnjëherë… (Buzëqesh)

- Si do ta kishe pritur një propozim të tillë nga Çani?

- Të jem realiste, nuk e pres një propozim të tillë. Ne jemi staf që ndajmë të njëjtën shije pëlqimi…

- ...dhe meqë jemi te Çani, tashmë ju mund të quheni pa frikë një çift televiziv. Çfarë e bën të fortë bashkëpunimin tuaj?

- Duam të njëjtën punë... duam “Zonë e lirë”... Mes nesh ka shumë përkushtim, korrektësi e bashkëpunim...

- Cili nga personazhet e ftuara është i pari që të kujtohet tani, nëse të pyes për të?

- Të gjitha personazhet në “Zonë e lirë” më kujtohen sepse kjo është puna ime, por do të thoja se e diskutuara më gjatë, që theu çdo tabu në ekranet tona dhe që mendoj se të gjithëve u ka mbetur në memorie është Dj toples Katjusha…

- Pse?

- Sepse “Zonë e lirë” është emisioni ku gjithçka mund të ndodhë! Të ftuarit janë të lirë dhe ajo performoi e lirë... (Qesh)

Me Rominën

- Romina, a po të shijojnë pushimet sivjet?

- Më pëlqen të vizitoj dhe eksploroj vende ku nuk kam qenë më parë, ndaj gjithnjë më shijojnë pushimet.

- Kur, ku dhe si i nise?

- I nisa nga fundi i majit disa ditë, në bregdetin e Adriatikut me shoqërinë, pastaj në lëvizje, në Jug dhe jashtë Shqipërisë.

- Kur, ku dhe si parashikon t’i mbarosh?

- Pushimet mbyllen më 12 shtator, pasi rikthehet “Zonë e lirë”... Mendoj t’i mbyll në Jordani, nëse nuk vonojnë procedurat e vizës... Pas fillimit të punës, do jenë pushime vetëm fundjavat... varet si do të mbajë moti.

- Të kam parë më së shumti në shoqëri femërore... Kaq diskrete je sa të mos na e tregosh edhe fytyrën e “shoqërisë mashkullore”?

- Nuk jam diskrete aspak, madje në shoqërinë time ka shumë shoqëri mashkullore, por kur i bën publik, keqinterpretohet nga ana e disa uebeve këtu te ne.

- Si janë pushimet me shoqërinë?

- Mbresëlënëse dhe mjaft aktive.

- Cila është gjëja më e bukur dhe më e vështira e tyre?

- E bukura: Energjia. E vështira: Pagjumësia dhe zhurma... (Qesh)

- Po me familjen, do të pushosh apo ke pushuar sivjet?

- Këtë vit nuk kam bërë pushime të mirëfillta pasi shëndeti i mashkullit tim, që e dua me shpirt, i babait tim, nuk ka qenë i favorshëm për të lëvizur, por falë Zotit dhe mjekëve të klinikës “FIZART”, shëndeti i tim eti po përmirësohet dita-ditës dhe besoj se me shumë mundësi, në fundjavat e shtatorit a tetorit, pa diskutim, do jenë pushimet familjare që për mua janë të paharrueshme... E dua familjen time!

- Si janë familjarët e tu? Për shembull, a ka për Rominën një orë të caktuar kur duhet të kthehet në darkë, një shoqëri të caktuar që nuk duhet frekuentuar, apo një vend të caktuar ku nuk

duhet shkuar?

- Unë kam një familje të mrekullueshme! E respektojmë njëri-tjetrin dhe çdo vendim e rregull në familje është i konsultuar nga ne. Nuk kemi kushte e rregulla të shkruara... E dimë ç’do të thotë familje dhe sa e rëndësishme është ajo për ne... Ata nuk janë të rreptë, por të rregullt... i dua pafund... janë formimi im.

- Ti je nga Laçi dhe neve na është krijuar përshtypja se atje, njerëzit janë shumë të ashpër e fanatikë...

- (Qesh) Unë jam dibrane dhe vendlindja ime është Laçi. I dua të dyja këto vende, ndaj s’mund t’i ndaj. Jam krenare për origjinën time dibrane, edhe pse nuk kam jetuar asnjëherë atje. Familja ime është shumë e respektuar dhe me zë të mirë në Pesh- kopi. Në Laç kam lindur dhe kam jetuar 7 vitet e para të jetës. Kam shumë nostalgji për fëmijërinë... Është ide e gabuar; laçjanët nuk janë të ashpër e as fanatikë. Të rregullt, po.

- Tjetër, si janë ata nga Laçi?

- Nëse të konsiderojnë mik apo mikeshë, janë shumë të rregullt e të respektueshëm, të gjendshëm dhe të gatshëm për shoqërinë...

- Në foto dukesh perfekte, ama ne femrat shpesh jemi të pa- kënaqura me veten... Ndihesh në formën e duhur me rrobabanjot?

- Ndjehem shumë ok, nuk kam komplekse... Jam shumë elegante e me forma të rregullta; pse të mos ndihem kështu?!

- Ah, po, edhe një pyetje... Me shumë rrobabanjo të kam parë. Sa ke blerë për sivjet?

- Bikini kam shumë se dhe vetë pushimet janë 2 muaj e gjysëm, ndaj duhen... (Qesh)

Je dakord apo ke ndonjë mendim tjetër...

- Më mirë një mik apo një thesar?

- Thesari më i madh për mua është miqësia...

- Gur-gur bëhet kalaja?

- Në rastin tim, po... Janë vitet e punës që forcojnë bashkëpunimin, pra, kalanë!

- Shokun zgjidhe më të mirë se veten?

- Shoqërinë e kam më të mirën e mundshme sepse besoj në këtë shprehje.

- Gënjeshtra është një plagë; edhe në u shëroftë, të le nishan?

- S’i duroj dot gënjeshtrat dhe nuk u kam lënë kohë e as hapësira shërimi, ndaj për mua nuk mbeten kurrë nishan...

- Nuk i gjenden gjarpërit këmbët?

- Intuita dhe syri i mprehtë, jo vetëm që ia kap këmbët gjarpërit, por edhe ia këput ato.

- Mendjemadhi niset me kalë, kthehet me këmbë?

- Aq mendjemëdhenj sa kam parë, kështu më ka rezultuar t’i shoh; duke ikur me kalë e duke u kthyer në këmbë.

- Pula bën vezën, gjelit i dhemb barku?

- Marrë nga fasada, kështu ndodh, jam dakord, por unë shtirjen nuk e kapërdij dot, ndaj largohem nga këta tipe gjelash, njerëzish, domethënë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.