Pyetje-përgjigje për seksin...

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje! Më kanë dalë disa lytha në vaginë dhe doktori ku u vizitova, më rekomandoi të përdorja Condyline 0.5 % ose Vvartec, por problemi është se nuk po i gjej dot në farmaci. A mund të më rekomandoni ndonjë gjë tjetër që mund ta gjej në farmaci? Po ndërkohë, a mund të bëj seks me burrin tim? Faleminderit.

- Një nga mjekimet kryesore të papiloma virusit, në mjekimin e lythave është condylina e cila ndodhet në disa farmaci. Në pamundësi për ta gjetur, do të kontaktoni me një mjek dermatolog, për të bërë djegien e tyre me azot të lëngshëm. Përsa u përket marrëdhënieve seksuale, mund të bëni, por duhet të përdorni një mbrojtje shumë të lartë, sepse mund të infektohet edhe partneri juaj. Në raste të tilla, mjekimi duhet të jetë për të dy, pra, dhe partneri juaj duhet të bëjë vizitë tek andrologu.

- A mund të bëj seks me të dashurën kur është me menstruacione? E bëj këtë pyetje sepse ajo pikërisht ato ditë ka më shumë dëshirë për seks, ndërsa unë kam frikë mos lëndohet...

- Më vjen mirë që ju kujdeseni për të dashurën tuaj. Ju shqetësoheni për shëndetin e saj, me sa kuptoj dhe kjo është më se e drejtë. Ka shumë femra që kanë më shumë dëshirë në ditët e menstruacioneve, ama duhet patur parasysh edhe se marrëdhëniet gjatë këtyre ditëve e shtojnë shumë mundësinë për infeksione të ndryshme. Unë nuk do t’ju këshilloja të kryeni marrëdhënie gjatë këtyre ditëve, por nëse dëshira është e parezistueshme, mund të bëni seks, por duhet të kujdeseni për një pastërti intime në maksimum dhe mbrojtja duhet të jetë më e lartë se kurrë. Krijoni kushte të tilla që të ndiheni shumë komodë, ndërkohë që kryeni marrëdhënie. Unë do t’ju sugjeroja që përpara se të bëni marrëdhënie seksuale, partnerja juaj të bëjë një dush dhe menjëherë pasi të arrini kënaqësinë që dëshironi, të laheni të dy, pa kaluar në atë momentin e qetësisë dhe përgjumjes që ndodh te të gjithë pas seksit. Pasi të pastroheni, mund të pushoni të qetë.

- Jam një burrë 65 vjeç. Kam pasur një jetë seksuale të shëndetshme, por u bënë disa muaj që më ka rënë aftësia menjëherë, edhe pse dëshira ekziston shumë për të kryer marrëdhënie. Çfarë ilaçesh më rekomandoni, që të përmirësoj jetën seksuale?

- Nga ajo fare pak që përshkruani, duket që ju keni çrregullime të ereksionit psikogen. Ndërprerja e menjëhershme e ereksionit tregon se ky çrregullim ka natyrë psikogene, ndërkohë që rënia e aktivitetit seksual në mënyrë graduale është organike. Uroj vërtet ta keni rënie të aftësisë seksuale me natyrë psikogene, sepse mjekimi i çrregullimeve psikogene ka më shumë rezultat. Sidoqoftë, duhet të bëni një konsultë për të përcaktuar më me saktësi shkakun, në mënyrë që edhe mjekimi të ketë efekt.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.