Pas dy vjetësh dashuri, mësova se ishte me SIDA

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Të nderuar lexues dhe stafi i gazetës “Intervista”! Meqenëse kam lexuar në faqen tuaj të internetit histori të ndryshme, mendova t’ju tregoj historinë time, që ngjan me ndonjë film, por kam patur fatin e mirë apo të keq, nuk di të them, që ta jetoj në kohën më të bukur të rinisë. Në vitet ’90, kur shqiptarët filluan të iknin, unë pata shansin të kisha prindër që për kohën ishin shumë largpamës për të ardhmen e fëmijëve.

Vitet e tranzicionit edhe familjen time nuk e gjetën të pasur, por edhe atyre pak parave që ata kishin ruajtur mënjanë, u ra vlera përnjëherësh. Si shumë familje, ata u munduan të gjenin ngushëllim tek emigrimi. Babai dhe mamaja ime vendosën të na nisnin mua dhe vëllain më të madh se unë, për në Itali. Sigurisht, për dikë që vjen nga një qytet i Veriut dhe nuk ka miq në një qytet bregdetar si Durrësi, gjërat vështirësohen. Përveç vështirësive ekonomike, që ishin ulur këmbëkryq në çdo familje, babait iu desh jo vetëm të gjente njerëz që të na kalonin për në Itali, por edhe t ë i shim t ë sigurtë rrugës, si edhe pasi të mbërrinim. Më në fund, ai u lidh me një kapiten anijeje, i cili jo vetëm i premtoi të na nxirrte në Itali shëndoshë e mirë, por edhe e mbajti premtimin e tij. Unë isha problem më vete për prindërit dhe për vëllain tim; isha në kulmin e moshës, e bukur, e gjallë. Gjithsesi, rruga shkoi mirë dhe sapo zbritëm nga anija, kapiteni ( që s’mund t’ia përmend emrin) na shoqëroi deri te stacioni i trenit ku duhej të hipnim, na tha edhe se pas sa stacionesh duhet të zbrisnim. Kështu, ne arritëm te një kushëri i babait i cili jetonte vetëm. Familjen e kishte në fshat dhe punonte nga mëngjesi deri në darkë për të siguruar diçka për familjen e për vete. Meqenëse ai kishte mësuar pak italisht, na ndihmoi edhe neve për të gjetur punë. Si fillim, gjeta punë unë, si pastruese në një shtëpi. Fatmirësisht, ishin njerëz seriozë. I zoti i shtëpisë ishte arkitekt, e shoqja mjeke dhe kishin dy fëmijë. Djali, Toni, kishte mbaruar shkollën dhe ishte inxhinier, kurse vajza vazhdonte shkollën për Mjekësi. Kjo ishte familja ku do lija mendtë e kokës. Toni ishte shumë simpatik. Përpiqesha të bëja punët sa më shpejt e të bija në sy sa më pak, sepse sapo e shihja, më dridheshin këmbët. Në fakt, kjo situatë zgjati disa muaj. Mamaja e tij ishte shumë e kënaqur me punën time dhe nuk linte rast pa më lavdëruar. Fjalia e saktë që e dëgjova një herë të thoshte ishte: “Megjithëse shqiptare, duket vajzë e rregullt dhe shumë e zgjuar”. Sigurisht që shikohesha me sy tjetër për shkak të “bëmave” që bënin bashkatdhetarët e mi. Pak nga pak, unë vazhdova punën nga me orar i pjesshëm, në me orar të plotë, falë opinionit të mirë që kishin për mua.

Kisha dy vjet që punoja në këtë familje, që më ndihmoi edhe të bëja dokumentet dhe të kisha mundësi të vija në Shqipëri, kur i zoti i shtëpisë më thirri në studion e tij. Shkova pak e trembur se mendova se mund të kisha bërë ndonjë gabim. Në fakt, “gabimi” im kishte qenë tjetër. Sikleti që kisha vazhdimisht kur shikoja Tonin, u kishte rënë në sy edhe prindërve të tij. Edhe vetë Toni kishte filluar të më buzëqeshte më shumë e unë, të skuqesha edhe më shumë.

- Bija ime, mendoj se ty të pëlqen djali im dhe ai të pëlqen ty, por ne duam që e dashura e djalit tonë të ketë një shkollë apo një zanat, nuk mund të pranojmë një pastruese...

U shokova dhe sigurisht, nuk gjeta përgjigje në trurin tim që në atë moment e ndali funksionimin.

- Mendoj se ka një zgjidhje, - tha ai. - Së pari, do të të vë detyrë që brenda 6 muajsh të mbrosh italishten. Do të të shkurtoj orarin e punës, që të kesh mundësi të studiosh. Më pas, do të shohim se në ç’shkollë mund të shkosh.

- Faleminderit për gjithçka, por nëse doni, unë mund të largohem nga puna sapo ju të gjeni një tjetër dhe të mos ju krijoj probleme... - arrita të thoja.

- Në asnjë mënyrë, nuk është kjo ajo që po të kërkoj, ti duhet të vazhdosh një shkollë. Kjo është ajo që duhet të bësh. Je ende vajzë e re dhe, edhe sikur mos të të ecë me Tonin, duhet të kesh pre- tendime për veten.

Me kaq, u mbyll diskutimi dhe pas 2 javësh, ai më solli një formular ku shkruhej se pas 5 muajsh kisha provimin e gjuhës dhe më duhej ta merrja notë të mirë. Ndërkohë që unë iu ktheva librave, Toni kishte filluar edhe të më përqafonte nëpër shtëpi. Sigurisht që më pëlqente dhe në asnjë moment nuk kam parë tek ajo familje abuzimin pse isha vetëm apo pse isha pastruese. Më në fund, pasi mora provimin, sigurisht, me rezultate të larta, familja ku punoja më lajmëroi se kishin gjetur pastruese tjetër dhe se do të më financonin shkollën. Ndërkohë, lidhja me Tonin vazhdoi. Sigurisht, isha në qiellin e shtatë. Nëpër filma kisha parë që meshkujt italianë ishin të ëmbël, por Toni ua kalonte. Më pëlqente çdo përkëdhelje e tij, çdo fjalë e tij. Pas 2 vitesh punë, 6 muaj lidhje apo njohjeje, Toni më kërkoi të flija në shtëpinë e tij. E kisha ëndërruar si çdo vajzë marrëdhënien e parë dhe do të vazhdoj ta kujtoj me shumë mall. Për Tonin ishte surprizë që unë nuk kisha patur të dashur tjetër, ndërkohë që isha 23 vjeçe. Kjo ndikoi që ai të më trajtonte gjithmonë e me më shumë respekt. Jeta po më ecte shumë mirë, më kishte ndritur ylli pa bërë asnjë gjë apo përpjekje shumë të madhe.

Një ditë, ndërsa bënim dashuri, pashë që kishin filluar t’i dilnin puçrra në fytyrë. U habita, por iu ktheva puthjeve të tij të ëmbla. Shumë shpesh po e dëgjoja se ishte i lodhur, se i merrej fryma. E dëgjoja teksa fliste me të ëmën si mjeke dhe ajo i jepte ilaçet. I shihja të dy prindërit e tij që e shihnin sikur po e shihnin për herë të fundit, motra e tij kishte filluar të vinte më shpesh në shtëpi, i dashuri i saj vinte dhe rrinte në heshtje. S’po kuptoja dhe mendoja se ishin të qetë, prandaj dukeshin ashtu të çuditshëm, por kjo situatë “qetësie” nuk do të zgjaste shumë. Një ditë, Tonit i ra të fikët. E ëma u alarmua dhe, pasi ai u bë mirë, e çuam në krevatin e tij në katin e dytë, aty ku banonim ne dy të rinjtë. Pasi fjeti pak, Toni u zgjua dhe më tha se duhej të fliste me mua. Më tha që duhej të mblidhja veten dhe ... (Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.