Sali Berisha: Rama është xheloz për arritjet e qeverisjes sime

Intervista - - AKTUALITET -

- Edvin Rama është një kriminel. Ai urdhëroi arrestimin e Fullanit për qëllime mafioze, për të marrë lekët që ka banka, se nuk i kanë dalë 20% që mori e po merr nga tenderat dhe lejet e ndërtimeve. Si, mor, për një egoizëm apo hakmarrje personale rrezikon jetën e njeriut më të shquar të financave?! Po a mund të vihen në ballancë 7 milion dollarë, me jetën e një njeriu? E dini ju që kam qenë unë që i dërgova barna për me i forcu zemrën se Fullani u bë keq vetëm një orë pas arrestimit? Dhe, ja ku po jua them se sikur të mos kisha ndërhy unë në mënyrë miqësore t e t r upi gjykues që ta lironin, ne sot do të ishim pjesëmarrës në funeralin e tij. E përshëndes humanizmin e madh të tre gjyqtarëve që hodhën poshtë me guxim presionin e Edvin Ramës për me eleminu Fullanin...

- Do jepni ju mendim për zgjedhjen e guvernatorit te ri?

- Kurrën e kurrës! Unë nuk kam ndërhy e nuk do të ndërhyj në asnji rast në kompetencat e Presidentit të Republikës. Bujari është një burrë i zgjuar dhe nuk e ngatërron detyrën me miqësinë. Ka dy vjet në detyrë dhe asnjëherë nuk më ka pyetur për vendimet që merr. Është shumë më i pavarur se çdo president tjetër që ka patur vendi ynë në këta 24 vjet demokraci. Dhe, për këtë, unë e falënderoj dhe po jua them tani që do t’i rekomandoj Lulzim Bashës që kur t’i mbarojë mandati i parë, ta propozojë për një mandat të dytë.

- Ju ankoheni se pozita nuk do t’ia dijë fare për opozitën e në veçanti, Rama, ju ka injoruar juve si njëshi i opozitës...

- Dëgjo mue! Unë po të dua, për 24 orë e përmbys Edvin Ramën. A e more vesh që pardje mue mu banë një milion fansa në Facebook? E din ti ç’domethanë një milion fansa? Mjafton që unë t’u baj thirrje që të ngrihen dhe për 24 orë i ke të një milion këtu, në shesh. Po nuk dua vetë tani për tani, sa ta marrë veten Lulzimi në postin e kryetarit të partisë. Pas konsolidimit të postit dhe pasi të mësojë disa sekrete të drejtimit të pushtetit, do ta rrëzojmë Edvin Ramën. Për këtë, të jesh i sigurtë.

– Ju keni bindjen se Lulzimi është i aftë të drejtojë qeverinë me kundërshtar Ramën e Metën? - Është më i zoti nga sa e njihni ju! E dini pse e kam përkrah dhe vazhdoj ta përkrah atë djalë? Ta them unë ty! Lulzimi është njeriu më i sinqertë që kam njohur unë. Qëkur e bëra Ministër të Transportit dhe Telekomunikacionit, ai më erdhi në zyrë dhe, duke qarë, më tha se nuk është mësuar me detyra të vështira, ndaj ta liroja. Unë e kam provu duke e vënë disa herë ministër, si për rrugët, si të brendshëm, të jashtëm dhe ai ka shkëlqyer. Ka zbatuar ç’i thosha unë dhe ç’i kërkoja unë. Edhe tani ban atë që i them unë. Është një djalë brilant! Unë jam zemërbutë se jam kardiolog. Të gjithë njerëzit e sinqertë dhe ata që më kërkojnë falje, i marr pranë dhe u jap mundësi të dytë. Këtë bëra me Imamin, me Pollon, me Edi Selamin, me Cekën, madje edhe me Islamin, që më kërkoi falje për kërcënimin e bërë për thyerje kafkash.

- Akuzoni Ministren Kodheli për helikopterët në ndihmë të policisë, porse ish-Ministri

- Aaaaa! Kjo që ka bërë Mimi është shkelje e betimit ushtarak, nuk e lejon kushtetuta të përdoret ushtria kundër popullit të thjeshtë. Ndërsa për Vasjarin, apo për Çiljetën, unë jam gati të vëmë jo vetëm helikopterët, por të gjithë ushtrinë në dispozicion, sepse ato janë yjet e muzikës shqiptare. Ato venë nëpër dasma dhe i sjellin popullit relaks, gëzim dhe e argëtojnë. Një popull që këndon e vallëzon bëhet i lumtur dhe këto këngëtare ia shtojnë lumturinë. Ta them unë, se kështu është. Në fund të fundit, ç’kanë bërë ata fshatarët e gjorë në Malësi që i tmerrun me helikoptera ushtrie? Kanë mbjellë nga një fije kanabisi, do thoni ju. Po mirë kanë bërë! Unë e lashë Lazaratin të mbjellë e korrë kanabis për 8 vjet e nuk ndërhyra, me bindjen se u rrisja mirëqenien banorëve të vobektë të Lazaratit. Edhe banorët merrnin ndonjë lek, edhe për ne të tjerët ngelej ndonjë thërrime…

- Një pyetje të fundit, zoti Berisha: A bëheni xheloz që Edi Rama brenda një viti është ftuar dhe respektuar nga shumë përsonalitete të shteteve perëndimore dhe lindore?

- Aspak. Ta them unë ty. Përkundrazi, Rama është xhelozuar për mua dhe më imiton në çdo hap që bën. Në Gjermani, kam shku unë përpara tij dhe kam dhanë konferencë shtypi me zonjën Merkel. Në Turqi, kam shku përpara tij. Në Kinë, po ashtu. Madje në Kinë, unë ia kam kaluar sepse ngjita edhe Murin e Madh Kinez e ai nuk guxoi me më sfidu! Në çdo aspekt ta marrësh, është ai që përpiqet të më sfidojë, por pa ia arritur. Mjafton të shikojmë gjendjen në të cilën ndodhet vendi që po shkon drejt greminës, kur unë e rendita mes vendeve me ekonominë më të përparuar në botë. Këtë e shohin të gjithë, veç atyre që nuk duen me e shiku.

KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.