Pas dy vjetësh dashuri, mësova se ishte me SIDA

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga numri i kaluar)

Pasi fjeti pak, Toni u zgjua dhe më tha se duhej të fliste me mua. Më tha që duhej të mblidhja veten dhe të mos trembesha për çka do të dëgjoja.

- Unë jam me SIDA... - më tha.

- Siiiii? Ç’domethënë kjo? Kur e ke marrë vesh?

- Kam 4 vjet që e di, - tha, - por tani sëmundja ka përparuar dhe unë nuk mund të bëj jetën normale si më parë. Gjendja sa vjen e vështirësohet dhe nuk më ka mbetur ende shumë kohë...

- Si nuk të ka mbetur shumë kohë? O Zot!

Me të vërtetë që nuk po lidhja mendimet, fjalët as asnjë gjë. Që Toni të ishte me SIDA, do të thoshte të isha edhe unë. Që ata ishin sjellë në atë mënyrë me mua, domethënë se më kishin shfrytëzuar për të kënaqur djalin e tyre, për t’ia bërë sa më të lehtë sëmundjen që po kalonte. Sërish më këputej filli, nuk mund të mendoja këto gjëra për këta njerëz që ishin sjellë aq mirë me mua.

- E kam ditur para se ti të vije në shtëpinë tonë jo vetëm unë, por edhe prindërit e mi. Motrës i treguam tani në fund. Mendoj se lidhja me ty ma ka zgjatur jetën. Me të vërtetë, je e mrekullueshme dhe më vjen inat që nuk do të jem unë personi që do të të gëzoj. Këto dy vjet që jam me ty, e shijoj çdo çast, mezi pres të mbaroj punë e të vij të prehem në krahët e tu.

- Toni, ti e di që edhe unë të dua çmendurisht po ndoshta s’është e vërtetë, ndoshta analizat nuk kanë qenë të sakta... - belbëzova dhe lotët zunë vendin e fjalëve.

- Dua të të përqafoj, të të puth çdo moment nëse ti nuk e ke problem, nuk dua të të shoh të qash, - më tha, - dua ta vazhdoj lidhjen me ty edhe tani pasi ti e more vesh se çfarë sëmundjeje kam.

- Po SIDA është sëmundje ngjitëse... – i thashë, - domethënë që edhe unë jam sëmurë.

- Jo, shpirt, ne asnjëherë nuk kemi kryer marrëdhënie pa prezervativ. Kjo ka qenë arsyeja pse nuk e kam pranuar, edhe pse ti më luteshe që t a provonim “l ëkurë më lëkurë”, se nuk do të mbeteshe shtatzënë. Të kam ruajtur, të jesh e sigurtë që je mirë, por që ti të rrish më e qetë, do të shkosh nesër me mamanë në spital e të bësh analizat. Ose, nëse nuk je e sigurtë për përgjigjen që do të marrësh me mamanë, të jap paratë dhe shko në një klinikë private ku të duash e mos ma trego emrin e klinikës, që të bindesh se përgjigjja është e saktë. Dua të bindesh që nuk të kam përdorur për faktin se e dija që jam i sëmurë, por të kam dashur. Edhe prindërit e mi, të kanë dashur...

Nuk e di a fjeta apo si fjeta atë natë. Toni nuk më preku sepse akoma nuk i kisha thënë në doja ta vazhdoja lidhjen apo jo. Të nesërmen në mëngjes, shkova me mamanë e tij në spital dhe bëra analizat. Ishte e kotë të shkoja gjëkundi tjetër. Nëse do ta kisha marrë virusin, kjo do të kishte ndodhur tashmë dhe s’kisha ç’të bëja. Duhet të vendosja në do të rrija në atë shtëpi apo do të shkoja te vëllai. Duhet të mblidhja mendjen për në shkollë. Gjithë dëshira për të bërë diçka më iku. Toni, pas dy ditësh, vazhdoi të shkonte në punë, por rrinte më pak orë, ndërsa kur vinte në shtëpi, flinte më shumë. Me mua filloi të sillej si vëlla i mirë, më përkëdhelte dhe përqafonte, por kaq. Kisha nevojë të tmerrshme të ndjeja zjarrin e tij dhe timin që ndizej sapo ai më prekte, por asgjë nuk ishte si më parë.

- Nëse do mund të ikësh, unë nuk të vë faj, - më tha një ditë. - Pas tre ditësh, vijnë përgjigjet e analizave dhe mund të largohesh nëse do, megjithëse mua nuk do të më pëlqejë të rri vetëm...

- Dua të bëj dashuri me ty! Sigurisht, me zgjidhjen që ke gjetur vazhdimisht, “prezervativin”, si mbrojtje të sigurtë, sipas teje... - thashë.

Ai shtangu, po më vështronte si hetues për të kuptuar në e kishte dëgjuar mirë, në e kisha seriozisht atë që kisha thënë. Iu afrova dhe sapo zgjata dorën për ta përkëdhelur, ndjeva zjarrin të më ndizej, si gjithmonë. E doja atë djalë dhe nuk mund ta lija të vdiste, nuk mund ta pranoja. Bëmë dashuri, ndenjëm gjithë pasditen në krevat dhe folëm për gjëra të ndryshme, përveçse për spitale. Të nesërmen, dita vazhdoi si gjithmonë, unë në shkollë e ai në punë. Rutina e përditshme u kthye, ai ishte gjithmonë e më pak i fuqishëm, unë gjith- monë e më shumë, në ankth për ikjen e tij e të jem e sinqertë, edhe për përgjigjen e analizave të mia. Të martën mbasdite erdhi mamaja e Tonit e më dha një zarf.

- Këtu është përgjigjja e analizave të tua! Nuk e hapa pasi e mora, që ta lexosh vetë e para.

- Po do të më ndihmosh ta lexoj se nuk e jam e sigurtë që do të di ta lexoj përgjigjen, - i thashë, ndërkohë që Toni m’u afrua e më përqafoi për të më dhënë zemër. Ndjeva që edhe atij zemra po i rrihte më shpejt, ashtu sikurse mua.

- Dakord, - tha ajo. - Negativ, ky këtu është rezultati. Bija ime, nuk ke asgjë për t’u shqetësuar...

Më përqafoi mua e të birin dhe u largua me lot në sy. U qetësova për vete, por nuk po gjeja asnjë fjalë që ta ngushëlloja atë për të birin. As Toni, i cili e pasqyronte tashmë në gjithë qenien e tij melankolinë për fatin e tij të keq. Ndërkohë që Toni bëhej gjithmonë e më keq, unë përpiqesha t’i qëndroja pranë, përpiqesha t’i sillja gëzim si një fëmije që sapo i është ulur temperatura, por edhe ditët që mund t’i sillja ngushëllim mbaruan, sepse ai ra në gjendje kome. Pas 1 viti përpjekjesh të mia për t’i qëndruar pranë, ai ndërroi jetë në spital me prindërit dhe mua që i rrinim te koka.

Tashmë, ai ka vite që ka vdekur dhe megjithëse unë u lidha me një tjetër pas tre vjetësh dhe vazhdoj të jetoj në Itali, nuk e kam harruar për asnjë çast. Ndonjëherë më duket mëkat që mendoj për ish-të dashurin, ndërkohë që jam në krevat me babain e fëmijëve të mi, por ka raste kur më duket mëkat të mos e kujtoj atë djalë që vdiq në lule të rinisë, atë familje që më dha e më mësoi aq shumë për 5 vjet që jetova në shtëpinë e tyre. Gjithsesi, Zoti me një dorë të hedh e me tjetrën të pret. Djalit tim i kam vënë emrin e tij, këtë ua thashë prindërve të tij. U çudita kur edhe bashkëshorti im e pranoi, pa bërë shumë komente.

- Është emër i bukur, italian, kështu që nuk është e thënë që lidhja të jetë se s’bën me ish-in tënd. Pastaj, unë nuk jam xheloz për atë pjesë të jetës tënde... - më tha.

Tani, mendoj se ylli i fatit ndriçon vetëm për mua...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.