Gerta Mahmutaj: Pija, me emrin e tij...

Intervista - - FAQE 1 -

Imazhi i vajzë ssë vogël e të druajtur që merrte pjesë në “Gjeniu i vogël”, është shndërruar sot në atë të një zonjushe të bukur, e cila me vitet ka fituar sigurinë në vetvete, eksperiencat profesionale e kanë rritur artistikisht dhe dëshira për të qenë gjithnjë në kontakt me muzikën, e bën që të shfaqë talentin mbrëmjeve në Crazy Calvin, tashmë si një artiste më e pjekur, në interpretimin e këngëve të ndryshme. Nga “Në ditar një dashuri” te “Dashuri e parë”, nga “Përgjithmonë ata” te “Pija me emrin tënd” që është edhe titulli i këngës më të fundit prej saj, Gerta na surprizon gjithnjë e më tepër. Por, pijen me emrin e kujt ka zgjedhur të pijë? A i refuzon pijet që i ofrohen? Sa i pëlqen jeta e natës dhe cila është situata në të cilën nuk do të donte të ndodhej kurrë në një klab? Këto dhe të tjera, e lëmë të na i rrëfejë më poshtë…

Ariana Bregu: - Gerta, “Pija me emrin tënd” është ndoshta kënga me titullin më interesant në treg… Kujt i shkojnë meritat?

Gerta Mahmutaj: - Duke hedhur idetë për tekstin e këngës, na tërhoqi vëmend- jen një frazë e cila mban pikërisht titullin e këngës dhe, duke u nisur nga kjo e nga emri i John-it dhe nga pija me po të njëjtin emër, menduam të bënim një lidhje të këtillë. Kështu, mendoj se meritat janë të përbashkëta, por më së shumti, të tekstshkruesit (Florian Topra).

- Kënga doli në fund të gushtit, ndoshta jo atëhere kur ishte edhe vala e prurjeve verore me klipe që “shpërthenin” çdo ditë… Pati një arsye për këtë?

- Jo, nuk e kemi menduar këtë. Nuk ka një arsye të veçantë. Atëhere përfundoi realizimi i klipit dhe atëhere u shfaq.

- Një pije me emrin e kujt do ta kishe pirë me fund tani?

- Sigurisht që me emrin e John-it. (Qesh)

- Sa je pjesë e jetës së natës nëpër klabet e Tiranës?

- E vërteta është që nuk e kam mundësinë ta frekuentoj jetën e natës sepse aktualisht këndoj në “Crazy Calvin”, ku së shpejti nis dhe sezoni i ri.

- Të ofrojnë shpesh një pije në klabin ku këndon ose edhe thjesht kur ke dalë për qejfin tënd?

- Kjo ka ndodhur shpesh në rastet kur miqtë e mi kanë pasur dëshirë të më ofrojnë.

- Ky është edhe klipi yt i dytë, pas atij “Dashuri e parë”. Si do ta cilësoje atë?

- Mund të them që kam ardhur në dy mënyra të ndryshme. Tek i pari i referohem ndjenjës së parë të dashurisë, ndërsa i dyti është diçka tjetër.

- Të kënduarit live nëpër klabe është edhe e lodhshme, ndër të tjera?

- Kur dëshira dhe pasioni për këngën janë të mëdha, mund të them që lodhja është e papërfillshme.

- Po koncertet, janë në axhendën tënde?

- Për momentin, jam e angazhuar dhe e përkushtuar ndaj të kënduarit live.

- Situata në të cilën nuk do të doje të ndodheshe në një klab nate?

- Nuk e kam menduar dhe nuk më ka ndodhur të përballem me ndonjë situatë të sikletshme, por njëra ndoshta mund të ishte ndonjë rrëshqitje e vogël gjatë performancës.

- Ka kaluar kohë që nga kënga në duet me vëllain që u bë shpejt mjaft e njohur “Një ditar, një dashuri”. Çfarë drejtimi ka marrë Klejti tani?

- Po, thuajse kanë kaluar 4 vite që nga pjesëmarrja ime në Këngën Magjike, së bashku me vëllain tim. Klejti, sigurisht, është rritur dhe angazhimet e tij, për momentin, janë shkolla e pasionet e tij, muzika dhe futbolli.

- Ç’shije të ka lënë pjesëmarrja te Kënga Magjike me “Përgjithmonë ata”?

- Pjesëmarrjet e mia te Kënga Magjike kanë qenë gjithmonë të dëshiruara nga unë.

- Po mendon për ndonjë pjesëmarrje në ndonjë prej kompeticioneve që nisin tani shpejt?

- Ndoshta, por për momentin, nuk kam diçka konkrete.

- Si dëgjuese, je më e prirur për këngët shqip apo ato të huaja?

- Më pëlqen dhe e dua muzikën shqip, por më tepër jam e prirur dhe dëgjuese e muzikës së huaj.

- Ikonat që të kanë frymëzuar në mënyrën si bën muzikë?

- Unë jam rritur duke dëgjuar Uitni Juston, Selin Dion, Maraja Keri etj. dhe në fëmijërinë time, këto kanë qenë frymëzimi im, por mund të them se ka mjaft këngëtare, si të huaja ashtu edhe shqiptare, që më inspirojnë.

- Në tregun aktual, duket sikur gjithçka që ndodh është biznes… Cilat cilësi mendon se janë në favorin tënd për të qëndruar mirë në këtë treg?

- Mendoj se talenti është ai që vlerësohet gjithmonë, kudo.

- Sa fanatike je ndaj lukut?

- Luku është një komponent mjaft i rëndësishëm në imazhin e një artisti dhe sigurisht që kërkon vëmendjen e duhur.

- Ç’stil mund të thuash se të pëlqen dhe e ke bërë tëndin?

- Më pëlqen që në skenë të eksploroj e të provoj disa stile, ndaj mund të them se ende nuk e kam një stil të përcaktuar.

- Cila është gjëja që e ke më me shumicë në garderobën tënde?

- Nuk e kam vënë re ndonjëherë se çfarë dominon në garderobën time, por më duket se janë fustanet.

- Ç’të bën për të qeshur?

- Mund të më bëjë për të qeshur diçka shumë e thjeshtë, nuk mund ta përcaktoj me pak fjalë, por e mira është që të rrethohemi nga njerëz që kanë sensin e humorit sepse në ditët e sotme, mungon humori i bukur.

- Diskutimi i fundit me Klejtin...

- Me Klejtin diskutojmë shpesh. (Buzëqesh)

- Mund të thuhet se i ke arritur gjërat që ke dashur deri tani?

- Mund të them se një pjesë të tyre po, por ka ende mjaft punë për të bërë.

- Më mirë të marrësh duartrokitje apo një premtim dashurie?

- Bukur do të ishte t’i marrësh të dyja.

- Për çfarë i ke thënë vetes: “Kjo është hera e fundit që e bëj”?

- Nuk besoj se deri më tani kam bërë diçka për të cilën jam penduar.

- Cili është zakoni nga i cili do të doje të hiqje dorë?

- Nuk mendoj se ndër zakonet e mia është ndonjë nga i cili duhet të heq dorë.

- Filmi vizatimor preferuar...

- Herkuli.

i

- Emocionet më të bukura, kur i ke ndjerë?

- Janë të shumta momentet e bukura që kam kaluar, por ato që ngelen, janë emocionet që më jep skena.

- E jeton jetën me plane afatgjata apo ditë pas dite?

- Ka gjëra të cilat duhen menduar dhe jetuar në mënyrë afatgjatë dhe këto lidhen më shumë me jetën time profesionale.

- Një fenomen që të shqetëson në shoqërinë ku jetojmë...

- Është një pyetje tek e cila nuk do të doja të ndalesha shumë sepse në shoqërinë ku jetojmë, besoj se gjithmonë do të ketë vend për përmirësim.

- Po mendon që tani për këngën e radhës apo është shpejt akoma?

- Nuk po e mendoj sepse kënga e radhës është në zhvillim e sipër.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.