Të nisin procedurat për shkarkimin e Nishanit!

Intervista - - FAQE 1 -

Petraq Barjami: - Zoti Beqiri, ministri Bushati para disa ditësh deklaroi se ende nuk kanë filluar negociatat me Greqinë për mosmarrëveshjet për çështjen e kufijve detare. A duhet që qeveria e tanishme të rinisë negociatat?

Av. Idajet Beqiri: - Marrëveshja e Shqipërisë me Republikën e Greqisë për çështjen e kufijve detarë është e një rëndësie të posaçme për shtetin shqiptar. Pas aktit të rëndë të tradhtisë kombëtare që bëri dyshja Berisha-Basha me marrëveshjen e parë për ujërat detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilën me të drejtë e konsideroi haptazi të papajtueshme me Kushtetutën tonë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, qeveria aktuale duhet të matet mirë dhe të përgatitet seriozisht për rinisjen e negociatave.

- Mbi ç’baza dhe për çfarë çështjeje mund të (ri)negociojë qeveria për kufijtë detarë me Greqinë?

- Në radhë të parë, qeveria aktuale e ka për detyrë t’i shkojë deri në fund nxjerrjes së përgjegjësisë penale dhe administrative të dyshes Berisha-Basha dhe bashkëpunëtorëve të tyre për krimin e rëndë të tradhtisë kombëtare që kanë kryer. Nuk e kam fjalën që qeveria Rama të kthehet në organ prokurorie, sepse pushteti ekzekutiv nuk mund të shkelë dot Kushtetutën e Republikës për të marrë dhe ushtruar kopetencat kushtetuese të organit të akuzës, Prokurorisë. Por qeveria, në radhë të parë vetë, por edhe nëpërmjet SHISH, nëpërmjet Ambasadës sonë në Athinë etj, duhet ta ushqejë Prokurorinë me materiale, me fakte, me procesverbale bisedimesh, me të dhëna operative, me akte ligjore dhe nënligjore të vendit dhe ato ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, me qëllim që organi i akuzës të çojë para përgjegjësisë penale ata që kryen këtë krim të rëndë kombëtar. Pas kësaj, ose paralelisht me të, të bëhen përgatitjet për të hyrë në një të ardhme në bisedime me Greqinë. Para hyrjes në negociata me Greqinë, qeveria aktuale duhet të hyjë në bisedime, konsultime, debatime dhe rrugëzgjidhje ligjore me profesionistët shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare, posaçërisht të së drejtës së detit, me profesionistë të shquar të kësaj fushe të vendeve perëndimore, miq të Shqipërisë, me praktikat më të mira dhe më të vyera për interesat kombëtare shqiptare të cilat ekzistojnë në vendet e ndryshme të botës, ku ka dete e oqeane dhe ku janë bërë zgjidhje konkrete mes shteteve.

- A është e drejtë kërkesa e Parlamentit tonë që të shkarkojë dy anëtarët e KLD-së që janë zgjedhur nga Parlamenti (i mëparshëm), apo është një marrje kompetencash të Presidentit nga Parlamenti?

- Sistemi gjyqësor është plaga më e rëndë dhe më e mahisura e vendit tonë. Një popull i tërë vuan haptaz padrejtësitë që i shkakton sistemi gjyqësor, vuan varfërinë që po i shkakton ky sistem, i cili i vjedh haptaz shqiptarët dhe i detyron të futen në borxhe të pashlyeshme. Sistemi gjyqësor po i vret çdo ditë pa mëshirë shqiptarët. Shumica dërrmuese e vrasjeve për hakmarrje, vetëgjyqësitë e shumta, një situatë e rëndë konfliktualiteti që sundon gjithë vendin, stresi me përmasa shqetësuese që sundon në vend dhe që ia ka humbur përgjithësisht qetësinë dhe ekuilibrin popullit të këtij vendi, vijnë kryesisht nga sistemi i kalbur dhe i korruptuar i sistemit të drejtësisë në vend. Në këto kushte, Kuvendi i Shqipërisë, si organi i vetëm legjislativ i vendit, në saje të vullnetit të afro dy të tretave të popullit, është i detyruar të bëjë reformën në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, janë bërë disa ndryshime në Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Derisa këtë ligj e votoi një shumicë absolute e Kuvendit të Shqipërisë, do zbatohet. Nënkryetari i KLD, zoti Çefa, nuk erdhi në këtë detyrë prej Kuvendit të mëparshëm në saje të aftësive të posaçme të tij juridike. Erdhi thjeshtë dhe vetëm si “beniamin” i dyshes BerishaTopalli. Nën drejtimin e Nishanit në krye të KLD, Çefa e të tjerë e kthyen “de fakto” KLD në një institucion të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të hapur. Gjithçka, qysh nga emrimet e gjyqtarëve, te transferimet e tyre, qysh nga objektet e kontrollit, te masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, KLD e ka kthyer në “hesap”! Kush paguan më shumë, ai ka më shumë të drejta dhe përfitime në sistemin gjyqësor. Profesionalizmi, integriteti moral, respektimi dhe shenjtëria e ligjit, janë zëvendësuar me “gjinër”! Në këto kushte, Kuvendi i Shqipërisë ose do t’i përgjigjet vullnetit të popullit, shqetësimeve dhe vuajtjeve serioze të tij nga gjyqësori i korruptuar, shqetësimit deri ku nuk mban më të ndërkombëtarëve për sistemin tonë të drejtësisë jashtë binarëve të normalitetit, ose do t’i bëj “fresk” Nishanit dhe Çefës, të cilët e kanë bërë KLD “çerdhen” më të zezë kundër shqiptarëve.

- Shkarkimi i dy anëtarëve të KLD-së nga Parlamenti, a është ekuivalent me shkarkimin e anëtarit të KQZ, Ilirjan Muho, nga Parlamenti i mëparshëm, pasi LSI-ja doli nga maxhoranca e Berishës në prill 2013?

- Një krahasim i tillë nuk mund të bëhet. Nuk mund të krahasohet errësira me dritën. Tjetër gjë është uzurpimi i pushteteve nga një njeri i vetëm, siç ishte Berisha, të cilin fundi i mandatit e gjeti me të gjitha llojet e pushtetit në duart e tij dhe që të gjitha pushtetet i bëri aq pis, sa tani duhen shumë vite dhe shumë lumenj të vrullshëm dhe të kristaltë që ta pastrojnë, tjetër gjë është qeverisja aktuale e cila kërkon të bëjë reforma dhe të pastrojë një herë e mirë pisllëkun 23 vjeçar që është krijuar.

- A është normalitet demokratik që një president i zgjedhur me 71 vota, sikurse Nishani, të rrëzojë sistematikisht ligjet që Parlamenti i ka votuar me votë të cilësuar?

- Presidenti i Republikës Nishani çdo ditë që kalon, nga simboli i unitetin e popullit, është kthyer në një “strofkull” ku gjejnë strehë gjithë pisllëku dëmsjellës i krijuar prej qeverisjes së shkuar të Berishës. Nishani është i paemancipuar. Ai nuk di dhe nuk do të respektojë e të vlerësojë vullnetin e popullit. Berisha, meqë ishte i bindur se në 23 qershor 2013 do të rrëzohej nga pushteti, për të garantuar interesat e tij dhe të familjes së tij “post Berisha”, për të garantuar grabitjet me rrugë korruptive dhe babëzie që i bëri vendit, për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor për një numër të konsiderueshëm krimesh që ka kryer, me një numër qesharak votash të plotësuara me “kaçët” e së majtës, zgjodhi si President të Republikës Nishanin, më të nënshtruarin prej tij. Nishani nuk e kuptoi dhe ende nuk e kupton se pozicioni i tij pas 23 qershorit 2013 duhet të ishte krejt i kundërt nga ai i kohës së qeverisjes së Berishës. Ai duhet të përgjegjësohej për faktin se shumica absolute e shqiptarëve në 23 qershor 2013 votoi kundër Berishës dhe Nishanit. Kjo do të thotë që ai kishte vetëm dy rrugëzgjidhje: Ose të dorëhiqej dhe kështu respektonte rregullat e demokracisë, që do të thotë “popull, votë e tij, vullnet i tij”; Ose do të hidhte pas krahëve vitet e mëparshme të ushtrimit të detyrës kur “e hidhte vallen sipas daulles të Berishës”. Ai zgjodhi mundësinë e parë, domethënë, hodhi pas krahëve të qenurit simbol i unitetit dhe zgjodhi rrugën e “cubit” të shtetit! Presidenti i Republikës nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicioni i tij i errët antireformues dhe antidemokratik. Për këtë shkak, në emër dhe për llogari të një demokracie funksionale, në emër të vullnetit të popullit shqiptar, i cili i dha qeverisjes aktuale në 23

• DREJTORE K/REDAKTORE: ÇIZMJA

• SEKTORI I JASHTËM:

• Agj. Raimonda BUMI,

Blerina

Nevila KRISTO

qershor 2013 më shumë se një milion vota për ta mirëqeverisur e për ta integruar në BE dhe jo për ta mbajtur ende në mjerimin e padurueshëm, Kuvendi i Shqipërisë duhet të nisë procedurat kushtetuese për shkarkimin e Nishanit.

- A është një normalitet juridik dhe kushtetues, që Gjykata Kushtetuese të pezullojë dhe të zhvlerësojë tre ligjet që Parlamenti i ka votuar dhe rivotuar (pasi ato u kthyen nga Presidenti) me votë të cilësuar, kur ndërkohë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë emëruar nga Parlamenti me 71 vota?

- Një pjesë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë në atë pozicion për meritën e vetme se, para se të emëroheshin me 71 votat e Kuvendit të Shqipërisë, kanë bërë “betimin” se do t’i shërbenin me devocion Berishës dhe politikave të tij antiqytetëruese dhe antishqiptare. Gjykata Kushtetuese ka nevojë të madhe të reformohet. Rojet e Kushtetutës duhet të jenë juristët më të shquar, më me përvojë pozitive profesionale, më me integritet moral dhe më të pandikueshëm nga politika dhe çdo lloj ndikimi tjetër. Një pjesë është e tillë në Gjykatën Kushtetuese. Të tjerët, shërbëtorë të Berishës, duhet të ikin.

- Kush duhet ta hetojë Prokurorinë e Përgjithshme që deri tani nuk ka ngritur një akuzë penale ndaj ndonjë zyrtari të lartë të qeverisë për korrupsion?

- Prokurorin e Përgjithshëm e heton, e kontrollon, i kërkon llogari dhe e shkarkon Kuvendi i Shqipërisë. Komisionet e Kuvendit duhet të mirëfunksionojnë dhe të mos ecin në gjurmët e komisioneve hetimore të mëparshme, të cilat ecnin sipas parimit berishist “do të mbulosh krimet e rënda që i janë shkaktuar popullit dhe vendit, ngri një komision hetimor parlamentar”! Kuvendi i Shqipërisë, i cili është organi i vetëm legjislativ dhe përfaqësues i vullnetit të popullit, aq më shumë kur në të ka një qeverisje me shumicë absolute, duhet t’i sjellë në normalitet dhe t’i vërë në krye të detyrës për të punuar dhe vepruar me përkushtim e sipas ligjit, të gjitha institucionet që varen prej tij.

- Kjo heshtje e institucionit të Prokurorisë për mosluftimin e korrupsionit është kapja e saj nga politika? Si e mendoni që Prokurori i Përgjithshem nuk ka ngritur akuzë penale ndaj Kryetares së KQZ-së Lefterie Lleshi për shpërdorim të 4.1 milionë euro për dështimin e projektit elektronik në 23 qershor 2013, edhe pse ka padi ndaj asaj nga PS-ja që në 20 qershor 2013?

- Prokuroria, ashtu si të gjitha institucionet e tjera në vend, janë kontrolluar nga politika e pistë 23 vjeçare në vend. Do shumë punë të rikthehen në rolin dhe funksionin e tyre ligjor dhe kushtetues. Për rrjedhojë, organit të akuzës nuk i del koha të merren me këto krime të rënda, sepse janë të “angazhuara” vetëm me luftën kundër “cironkave” që për të mbijetuar, vjedhin ndonjë “bukë” si Zhan Val Zhani!

- A është vepër penale konfrontimi fizik midis deputetëve në mjediset e Parlamentit?

- Deputetët janë shtetas të republikës së Shqipërisë. Edhe mbi ta vepron Kodi Penal. Në nenin 237 të Kodit Penal ka një nen që titullohet “Goditja për shkak të detyrës” dhe që dënohet nga 100 mijë deri në 10 milion lekë gjobë, ose deri në tre vjet burg.

- Padia penale e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj tre deputetëve është thjesht hetim penal, apo kompromis politik?

- Prokuroria ishte e detyruar ta bënte hetimin, sepse kishte një kallëzim penal nga deputeti Strazimiri. Për rrjedhojë, nuk mund të shkelte ligjin dhe të anashkalonte nisjen e procedimit penal. Tashmë, është çështje hetimi, çështje fakti, nëse kemi me të vërtetë krimin e goditjes për shkak të detyrës, apo një rrahje të thjeshtë, të cilën e gjykon drejtpërdrejt gjykata. Mua më bën përshtypje fakti se Prokuroria përzieu “kekun me byrekun”! Në një ditë nxori zëdhënësen dhe komunikoi “kekun” e rrahjes së Strazimirit nga dy deputetë të PS, me “byrekun” e përgjegjësisë penale të ndërtimeve pa leje të deputetit të PD-së Veliaj! E bëri këtë për të kthyer PDnë në Kuvendin e Shqipërisë, sepse opozita shqiptare la sallën e parlamentit duke e kthyer në “kauzë” rrahjen e Strazimirit? Dhe, për të demostruar “virgjërinë e paanshmërisë” filloi procedimin penal edhe ndaj një deputeti të PD-së, për të kënaqur palën tjetër, PSnë?!

- A ka prapavijë politike çështja “Fullani”?

- Nuk kishte prapavijë politike derisa çështja shkoi nga organi i akuzës, në Gjykatën e Shkallës së Parë, për t’i dhënë Fullanit masën e sigurisë “burg pa afat”. Edhe vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë nuk kishte prapavijë politike.

- Si i gjykoni reagimet e Berishës për çështjen “Fullani”?

- Një ditë para se çështja të shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, Berisha u ra fort “kambanave të alarmit”. Ai harroi se kishte shkuar në ceremonin përkujtimore mortore të vrasjes së Azem Hajdarit, të cilin, siç e provojnë protagonistët e ngjarjes, e nxori ky vetë në pritë për t’u vrarë, pasi i ktheu bustit të Azemit të ndenjurat, u dha urdhër të prerë shërbëtorëve që ka lënë pas në gjykata, që të mbronin me çdo kusht dhe me çdo mjet Fullanin. Guvernatori i Bankës e ka “në thes” Berishën. Nëse zbërthehej Fullani, me ato që ka bërë Berisha me paratë e popullit, të dala nga Thesari i Shtetit, burgimin e përjetshëm e ka të garantuar.

Por, cilido shqiptar u skandalizua më shumë për faktin që Ministria e Financave dhe Banka e Shtetit Shqiptar, pas shumë diskutimesh paskan gjetur “çelësin e artë”, domethënë “kurrizin e shqiptarëve” për ta përballuar këtë vjedhje kaq të madhe të thesarit të shtetit. Domethënë, kjo vjedhje do përballohet nga taksapaguesit e këtij vendi, me qëllim që të mos dalë defiçitar buxheti i shtetit! Kjo “rrugëzgjidhje” do të thotë se vjedhja e Bankës së Shtetit është një krim shtetëror vazhdues. Domethënë, kishte kohë që qeveria e inkriminuar e Berishës rrëmbente para me kamiona për interesat e tij dhe të klaneve të tij mafioze, por pasojat e saj të rënda qeveria aktuale kërkon t’ua ngarkojë padrejtësisht shqiptarëve. Shqiptarët kanë të drejtë të revoltohen e madje edhe të rebelohen me qëndrimin antiligjor dhe në kundërshtim flagrant me interesat e tyre të Ministrisë së Financave dhe Avokaturës së Shtetit.

Këto dy institucione kanë një përgjegjësi ligjore të rëndë për papërgjegjshmërinë që po tregojnë lidhur me eleminimin ose zvogëlimin e pasojave që i kanë ardhur pasurisë kombëtare dhe xhepave të shqiptarëve prej vjedhjes së Bankës së Shqipërisë.

Vjedhja e Bankës së Shtetit, së paku nga situata hetimore dhe gjyqësore që është evidentuar deri tani, ka autorë, bashkëpunëtorë, si dhe ndihmës, të cilët përmes shpërdorimit të detyrës, kanë bërë të mundur dhe kanë lejuar keqbërësit brenda bankës të vjedhin prej saj më shumë se 1 milion USD. Këta autorë tashmë janë arrestuar apo janë ndaluar. Ata kanë marrë prej organit të akuzës, Prokurorisë së Tiranës, pozitën juridike të personit nën hetim, apo të pandehurit. Në këtë situatë, Ministria e Financave dhe Avokatura e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës, duhet urgjentisht të ndërmerrte masën e sigurimit të padisë civile në proçesin penal. Lekët e vjedhura duhet t’i kthehen Bankës së Shqipërisë. Ato duhet t’u merren personave që i kanë vjedhur nga Banka, si dhe personave të tjerë përgjegjës, të cilët duke shpërdoruar detyrën, e lanë shtegun e vjedhjes në Thesarin e Shtetit të hapur për keqbërësit që i përvetësuan ato. Ka një ligj që rregullon veprimtarinë e Avokaturës së Shtetit, këtij personi juridik publik, në varësi të Ministrit të Drejtësisë. Ky ligj, me numër 10018, datë 13.11.2008, në nenin 5 gërma “a” të tij përcakton qartë se Avokatura e Shtetit ka si funksion përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave pasurore të shtetit shqiptar, pranë gjykatave kombëtare, ndërkombëtare dhe të huaja. Ndërsa në gërmën “ç” të këtij neni theksohet qartë se “Avokatura e Shtetit bashkërendon punën me prokurorinë për mbrojtjen, në gjykim, të interesave të shtetit për çështjet civile, zgjidhja e të cilave bëhet gjatë një procesi penal”.

Kjo dispozitë ligjore e detyronte Avokaturën e Shtetit që menjëherë, sa doli sasia e lekëve të vjedhura në Bankën e Shtetit, të bashkëpunonte me Prokurorinë e Tiranës, të merrte prej saj të dhënat përkatëse dhe emrat e personave që e kanë vjedhur Bankën, si dhe emrat e personave të tjerë që tashmë janë arrestuar, apo janë marrë nën hetim, ose si të pandehur dhe urgjentisht të kërkonte në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë sigurimin e padisë civile në procesin penal. Kjo do të thotë që të gjithë personave që janë nën hetim, duke filluar nga vjedhësi i vetëdeklaruar Bitraj, e deri tek ishGuvernatori Fullani, duhet t’u sekuestroheshin dhe t’u sekuestrohen sa nuk është vonë të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme deri në përfundimin e procesit penal. Në varësi të ecurisë së procesit penal do të konkludohet pastaj se kush janë personat përgjegjës që do të vuajnë dënimet penal dhe do të shlyejnë solidarisht, ose veçmas, vjedhjen e Bankës së Shtetit.

- Si e argumentoni që PD-ja është kundër ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, analoge e FBI-së, derisa do të ankohet edhe në Gjykatën Kushtetuese?

- Më vjen keq t’a them, por Shqipëria sot është pa opozitë. Një e ashtuquajtur opozitë, si PD-ja, që bën “kauz” të saj në këtë numur të jashtzakonshëm problemesh që ka vendi, rrahjen e Strazimirit, i cili për hir të së vërtetës, me cinizmin e tij, me gojëçthurjen e tij, me antinjerzillëkun e tij, nxitjen e klimës së egërsuar kurdoherë, e kishte bërë veten që të rrihesh mirë, gjithçka mund të jetë, por opozitë jo. Për fatin e keq PD-ja i ka humbur plotësisht lidhjet me interesat e popullit dhe të vendit. Ajo “fluturon” çdo ditë në “detin e hapur” të një antishqiptarizmi të dukshëm, qëllimi i vetëm i së cilës është pengimi më çdo kusht dhe mjet i gjithçkaje që e shëron vendin, që e shëndosh vendin dhe popullin, që i ngre institucionet e shtetit dhe i vë në punë ato në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. PD-në e mori në dorëzim në vitin 1991 Berisha për të kryer “misionin” e vërtetimit të tezës famëkeqe shoviniste të Serbisë se “shqiptarët nuk kanë aftësi qeverisëse”! Dhe për 23 vjet kjo tezë triumfoi në Shqipëri. Kjo është arsyeja që PD-ja vazhdon të mbetet “peng” i Berishës dhe misionit të tij, që e urren për vdekje rilindjen e Shqipërisë, që saboton e vetëm saboton çdo nisëm dhe vepër të mirë të qeverisë aktuale dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

- A mund të jenë të justifikueshme përgjimet e SHISH-it edhe ndaj deputetëve? A kanë kryer vepër penale kreu i SHISH-it në këtë rast?

- SHISH u bë vërtet shërbim informativ shtetëror pas rënies së Berishës dhe Gazidedes nga “revolucioni” i lënë në mes të rrugës në vitin 1997. Me riardhjen e Berishës në qeverisje, sidomos në vitet 20072013, SHISH u rikthye pak a shumë te metodat e veprimit të Gazidedes. Në këtë kuadër, veç shkeljeve flagrante të ligjeve të shtetit dhe të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, nuk mund të presësh gjë tjetër prej këtij lloj SHISH-i që nxori nga varri Berisha.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.