Dhurata Alijaj: Muzika dhe familja, më të rëndësishmet në jetë

Intervista - - FAQE 1 -

Fabjola Kuburi: - Dhurata, konsiderohesh një nga zërat më të bukur të muzikës popullore, por ne do të donim një prezantim më të gjerë për publikun: Si i hyre botës së muzikës?

DhurataAlijaj: - Dashurinë për muzikën e kam pasur që fëmijë. Prindërit e mi e panë që kisha talent e që mund të këndoja dhe më çonin nëpër festivalet e vogla që organizoheshin. Kam nisur nëpër shfaqje të vogla, sepse edhe vendlindjen e kam nga fshatrat e Laçit dhe prindërit e mi e kishin të vështirë të më dërgonin nëpër shfaqjet e mëdha. Kur kishte koncerte të vogla, merrja pjesë gjithmonë. Daja im, kur isha në klasë të katërt, më thoshte që të vazhdoja Liceun Artistik, por duke qenë se isha më e vogla e familjes, mamasë sime i dukej ekstremi të më linte të shkoja të jetoja në Tiranë dhe nuk pranoi, edhe pse dajën e kisha në Tiranë. Kaluan vitet dhe unë fillova të shkoja nëpër festivale. Ne jemi familje artistësh, sepse fillimisht ka kënduar vëllai im me motrën e madhe dhe më pas, unë...

- Cila ka qenë hera jote e parë në skenë?

- Ka qenë një situatë interesante ajo kur fillova të këndoj. Motra e vëllai do të prezantoheshin me një duet në një festival folklorik në Gjirokastër. E bënë provën e këngës, por ndodhën disa probleme të sistemit të atëhershëm dhe motrës ia morën këngën. Erdhi vëllai në shtëpi dhe unë, që i kisha dëgjuar tek bënin provat, i thashë: “Halil, unë e di atë këngën që do këndoje me motrën” dhe ai u habit që e kisha mësuar. Atëhere isha shumë e vogël dhe nuk mund të shkoja të këndoja,

E qeshur, e thjeshtë dhe e këndshme, këngëtarja Dhurata Alijaj të krijon hapësirë komunikimi të sinqertë. Ndryshe nga skena, në tavolinë, zëri i saj është i butë, i qetë dhe fjalët të prera e të sakta, pa mëdyshje. Në skenë, energjike, me zë të kumbueshëm, si jehona e zërit në malet e origjinës, Dhurata, pa dyshim, do të ngelet një nga këngëtaret popullore më të spikatura të trevave të Veriut. Jo vetëm vokali i saj, por edhe tekstet e këngës, krijojnë një harmoni që i përshtatet më së miri vendit të origjinës. Krenaria për vendlindjen i jep më shumë vërtetësi individualitetit të saj, më shumë respekt në sytë e spektatorëve, më shumë besim tek e ardhmja. Besnike e këngës së mirëfilltë popullore shqiptare, ajo të detyron ta dëgjosh me vëmendje në skenë dhe ta respektosh natyrshëm në jetën e përditshme!

por pas dy vjetësh, kur u bëra 14 vjeçe, i thashë vëllait ta këndonim bashkë atë këngë që do të prezantonte me motrën. Ai më tha se do ta bisedonte njëherë me kompozitorin e madh Ruzhdi Keraj dhe nëse përshtatej, mund ta këndonim bashkë. Shkuam atje dhe profesori, që mbeti i habitur, i tha vëllait: “Ku ka qenë kjo deri tani që e keni mbajtur të fshehur?”. (Buzëqesh) Më pas shkuam në Tiranë te TVSH dhe bëmë një koncert recital të zonës së Kurbinit, i cili doli me sukses. Prej asaj kohe, kam qenë anëtare e grupit folklorik të kësaj zone. Në vitin 1992, shkuam në Moldavi në Bashkimin Sovjetik, ku ndenjëm 24 ditë, bëmë një turne në Bullgari, Rumani e me radhë, më pas në ‘93 në Austri, ku qëndrova 27 ditë. Unë u përshtata me muzikën, muzika me mua dhe... jam këtu ku jam!

- Ti je e martuar dhe ke një vajzë. A ka qenë ndonjëherë bashkëshorti pengesë për karrierën tënde?

- Jo, përkundrazi, familja e bashkëshortit, ose më saktë, vjehrri im, qëkur jam fejuar me Ilirin, më kishte parë duke kënduar me vëllain dhe e kishte shumë merak atë këngë... Ai e ka pas shumë merak që unë të vazhdoj të këndoj dhe ata më kanë mbështetur shumë për të ecur në botën e muzikës. Edhe vajza ime, Enxhi, është pjesë e botës së artit; studion për violinë...

- A ke pengje?

- Pak, vetëm pjesën e Liceut, por këtë e kam rregulluar sepse kam Enxhin në lice. (Buëqesh)

- Kam dëgjuar që ti je një ndër këngëtaret e përzgjedhura për dasmat e Veriut...

- Unë jam vetë nga Veriu dhe ajo që di të bëj më mirë, është të këndoj këngët e Veriut. Kudo ku shkoj, më presin mirë, ndihem si në shtëpinë time dhe ky është një privilegj i madh për mua. Në çdo festë apo gëzim familjar të tyrin unë jam, sidomos në Laç, që është edhe vendlindja ime.

- A të lodh muzika live?

- Është shumë e lodhshme, por edhe lodhja shpërblehet. Lum kujt i ka fal Zoti zërin e bukur për të kënduar live.

- Ti vetë, ndihesh e shpërblyer?

- Sigurisht që po! Kur njerëzit të kërkojnë te jesh pjesë e gëzimeve të tyre familjare, të duartrokasin, vijnë të të urojnë, është nder dhe privilegj shumë i madh.

- Çfarë ndjen kur je në skenën e një koncerti dhe çfarë, kur këndon në një dasmë?

- Skena ka emocionet e saj, sigurisht shumë të forta, por dasma është më e prekshme, sepse ke të bësh drejtpërdrejt me emocionet e njerëzve dhe tek i shikon që gëzojnë, nuk ka fjalë që mund të përshkruajë ndjenjën time. E ndiej si detyrim moral të jap maksimumin për aq kohë sa më kanë përzgjedhur për të qenë pjesë e gëzimit të tyre.

- Në të gjitha dasmat ke dalë me sukses?

- Unë, kur shkoj në një dasmë, shikoj në fillim si më presin e pastaj si do vijojë dasma, ose ka pasur raste kur unë kam shkuar para dasmorëve dhe i pres unë... Kur shohin që jam unë në dasmë, thonë: “Oh, sa mirë, qenka Dhurata!”.

(Buzëqesh)

- Sa ka zgjatur dasma më e madhe ku ke qenë e ftuar?

- Ka patur raste që kemi pasur dy dasma në një ditë dhe mund të ketë hyrë nusja te banketi tjetër pa shkuar unë, aq shumë mund të ketë zgjatur dasma e parë...

- Unë jam vetë nga Veriu dhe di që në dasmat e kësaj zone, hidhen edhe shumë lekë. Ti, e konfirmon këtë?

- Faktikisht, nuk kam qenë ndonjëherë e fiksuar te puna e lekëve, sepse muzikën e kam të lindur, këndoj me shpirt dhe dua që shpirti im të përcillet edhe te dasma. Kur vendos të shkoj në një dasmë, nuk e kam kusht kryesor lekun... Pastaj, dihet, ku ka dasmë ka edhe lekë! (Buzëqesh)

- Kjo tregon që ti je njeri altruist dhe ke botë artisteje...

- Faleminderit, përpiqem ta dua këngën për atë që të dhuron në shpirt e jo për anën financiare.

- A ka diçka që i mungon Dhuratës?

- Nuk ka njeri që nuk i mungon diçka... Edhe mbretit i ka munguar një lugë, por deri tani nuk kam ndonjë peng që nuk e kam realizuar akoma. Relativisht, ndihem e realizuar.

- A mendon se edhe vajza do të jetë në të ardhmen një këngëtare e suksesshme?

- Enxhi është 9 vjeçe dhe është në lice për violinë. Asaj i pëlqen muzika e lehtë dhe ajo moderne. Unë dua që ajo të jetë pjesë e artit, por ta zgjedhë vetë drejtimin e saj.

- A mendon se tallavaja e ka prishur pak muzikën shqiptare?

- Nuk mund të thuash e ka prishur, për aq kohë sa njerëzit e duan, e kërcejnë dhe e këndojnë. Do t’u përshtatesh edhe njerëzve... Ndoshta në të ardhmen do duan një tjetër lloj muzike, çdo gjë është me shije.

- A mund të marrin të gjithë këngëtarët të njëjtin vlerësim?

- Faktikisht, peshorja nuk është e ekuilibruar; kjo është relative.

- E gjen veten tërësisht te muzika?

- Unë kam mbaruar shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi dhe kam punuar në arsim për shtatë vjet. Jo se nuk më pëlqen arsimi, edhe atë e dua shumë, por muzikën e kam të lindur. Kam shpritin te muzika.

- Më mirë mësuese apo këngëtare?

- Shiko, unë nuk them se nuk do t’i kthehem mësuesisë, sepse pas disa vitesh e shikoj veten edhe një mësuese të mirë. Kur çoj vajzën në shkollë, më duket sikur do shkoj të jap vetë mësim...

- Enxhi, mëson?

- Është e shkëlqyer! Ka pak më shumë rëndesë, por ia del shumë mirë.

- Ku e sheh veten pas disa vitesh?

- Nuk e di, por di që edhe 10 vjet do punoj me muzikën.

- Shoh që i kushton rëndësi kurimit të imazhit... E bën vetë apo ua lë në dorë të tjerëve?

- Nuk jam shumë e dhënë, por Zoti më ka mbajt me hatër. (Buzëqesh) Kurohem vetë në përgjithësi, shumë pak shkoj nëpër estetiste.

- Sa të ndihmon pamja e jashtme në muzikë?

- Muzika është arti i së bukurës, por unë vazhdoj të jem e mendimit se, sa më thjesht, aq më bukur.

- Do ketë Enxhi një vëlla apo një motër?

- Do ta ketë në të ardhmen, ndoshta shumë shpejt sepse muzika është paksa e vështirë për t’u ndjekur dhe të merr pothuajse gjithë kohën.

- E ke menduar të jetosh jashtë?

- Jo, asnjëherë. Kam kënduar e punuar jashtë, në shumë vende të botës, por shtëpia ime ka qenë dhe do jetë gjithmonë në Shqipëri.

- Planet për të ardhmen...

- Kam dëshirë të bashkëpunoj me Edi Balilin sepse kam bashkëpunuar me Edin në këngët “S’ka si vajzat shqiptare” dhe “Pse u ndamë”, ndërsa me Edmondin te kënga “Gjall’ a vdek nusen t’ma bini”. Këta janë kompozitorët që unë gjej momentin t’i përgëzoj për punën që kanë bërë me këngët e mia dhe të shumë këngëtarëve të tjerë. Këngën e fundit “Gjall’ a vdek nusen t’ma bini” që është këngë tamam e zonës së Kurbinit, e kam realizuar me Edmondin, një këngë që unë e kam kënduar me vëllain, e rikompozuar dhe orkestruar me tekst të të ndjerit Lekë Gega dhe për falënderim dhe shpërblim ndaj publikut tim. Në atë klip kam marrë edhe vajzën, për të treguar që kënga ime do vazhdojë gjatë, edhe nëse unë do ta lë dikur. Vëllai nuk e ka vazhduar më, edhe pse merr pjesë përsëri në ndonjë koncert apo festival.

- Më bëj një mbyllje të bukur të kësaj interviste...

- Ju ruajttë Zoti të gjithëve, kudo që jeni!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.