I vodha paratë thjesht për fiksim

Intervista - - FAQE 1 -

Të nderuar lexues dhe drejtues të gazetës! Po ju tregoj një ngjarje që më ka ndodhur para 3 vjetësh, por unë akoma nuk po gjej prehje në shpirtin tim. Shpresoj se duke e ndarë me ju këtë veprim që bëra, do të gjej pak prehje.

Para 5 vitesh isha e papunë. Jo se kam mbaruar ndonjë shkollë dhe kisha çfarë të kërkoja, por gjithsesi, njeriu me shkollë apo pa shkollë do të ushqehet e të jetojë në të gjitha kohërat. Në rininë time, kur sapo mbarova shkollën e mesme, babai, me anën e një miku të tij, më gjeti punë në Artistiken “Migjeni”. Menjëherë i rashë në sy shefes sime si punonjëse e shkëlqyer, jo vetëm për shkak të moshës dhe sepse shikoja shumë mirë, por sepse me të vërtetë kam qenë duarartë. Vazhdojnë të më pëlqejnë gjërat e qëndisura apo të qepura me merak, vazhdoj t’i shoh gjërat me syrin që i kam parë dikur, sigurisht, jo më si një 20 vjeçare, por si 47 vjeçare. Gjithsesi, kur unë mbeta pa punë, një shoqja ime e punës më njohu me një familje që kërkonte t’i mbaja fëmijën dhe të bëja ndonjë punë shtëpie në kohën që vajza e vogël flinte. Nuk ishim shumë keq nga gjendja ekonomike, por kisha nevojë të punoja, ndihesha ende e re.

Kështu, rifillova punë pas njëzet vitesh, pasi i kisha rritur tre fëmijët e mi dhe i kisha nxjerrë në jetë. Bashkëshorti punon si mekanik bashkë me një shokun e tij. Është njeri familjar dhe pa vese. Jam e lumtur në familjen time dhe pata fatin e mirë të punoja në një familje absolutisht mirë. E them sinqerisht se jam unë ajo që nuk e meritoja të punoja në atë familje.

Ata ishin një çift i ri nga Veriu, të dy me shkollë të lartë dhe vajza e tyre po mbushte një vjeçe. Nusja duhet të fillonte punë, se po i mbaronte leja e lindjes dhe dy javë para se të fillonte punë ajo, unë fillova të shkoja në shtëpinë e tyre që vajza e vogël të mësohej me mua dhe unë të mësoja gjërat e shtëpisë. Gjërat që në fillim shkuan shumë mirë, vajza e vogël ishte si drita, e bukur, e dashur, e ëmbël. U miqësua shumë shpejt me mua dhe ky ishte një fat edhe për prindërit e saj që donin të rrinin të qetë, por edhe për mua, që doja të punoja. Kur nusja filloi punë, isha gjithë ditën vetëm me vajzën. Si natyrë e rregullt që isha, i zbatoja shumë mirë të gjitha ç’më kishte thënë, oraret e ngrënies, të gjumit, të xhirove nga liqeni.

Kur shkoja te liqeni, ndërsa vajzën e vogël e zinte gjumi në karrocë, mendoja me veten time se e zonja e shtëpisë më dukej si shumë maniake, më dukej sikur bënte si zonjë e madhe, sikur më shiste mend e kujt pa, mua që isha sqimatare, ajo që vinte nga një fshat i humbur i Veriut! Në fakt, isha unë ajo që nuk kisha qenë në rregull.

Por si zonjë e vërtetë që ishte e zonja e shtëpisë, nuk më la të mendoja shumë gjatë keq për të. Një ditë më pyeti nëse e kisha problem të më jepte disa rroba e gjëra të tjera që nuk i donte ajo vetë.

- Të t’i bëj gati dhe shikoji që këtu në shtëpi. Nëse nuk të pëlqejnë, i hedh unë pastaj në mëngjes, - më tha.

Kur arrita të nesërmen në mëngjes, me shumë ngut më tregoi qeset me rrobat që më kishte bërë gati dhe më tha të zgjidhja çfarë doja për të marrë e të tjerat t’i lija me vete.

Pasi mbarova punët e mëngjesit, ushqeva dhe e nxora vajzën poshtë në diell, e vura në gjumë dhe u drejtova për nga qeset.

Mbeta e shushatur me gjërat që zonja më kishte dhënë. Të gjitha ishin shumë të bukura, pothuajse të reja, një palë çarçafë fanellate jo shumë të përdorur dhe një palë veror. Nuk mund të hidhja asnjë gjë, të gjitha ishin shumë të mira. Mallkova veten për ç’kisha menduar për të dhe u përpoqa të mendoja gjakftohtë për sjelljen e saj.

Ndërsa bëja punët e shtëpisë, se vajza vazhdonte të flinte, sytë më kaluan nga rrobat që më kishte dhënë, te raftet e bibliotekës, tek kundrabufeja me gusto në aneks. Të them të drejtën, u binda që unë isha personi që kisha jetuar gjithë jetën në mes të kryeqytetit, por kisha mbetur më katunare, më e pagdhendur. Me vete i kërkova falje të zonjës së shtëpisë dhe u ktheva nga vajza sepse u zgjua. Me këto mendime, e mbulova vajzën me të puthura e përkëdhelje sepse me të vërtetë isha e lumtur për “dhuratën” që kisha marrë në mëngjes.

Ditët në vijim fillova të isha absolutisht më e kujdesshme për të bërë edhe më shumë punë shtëpie. E pashë që ia vlente t’ua shpërbleja në këtë mënyrë mirësjelljen e tyre. Ata ishin shumë të rregullt me pagesën dhe për festa filluan të më jepnin gjithmon- jë një shpërblim të vogël prej tridhjetë mijë lekësh. Pothuajse gjithmonë takohesha vetëm me të zonjën e shtëpisë, sepse bashkëshorti i saj vinte vonë nga puna. Kjo me jepte pak lehtësi në punë se do ndihesha në siklet sikur të ishte dhe ai në shtëpi, ndërsa isha unë. Për dy vite rresht shkoja në punë me shumë dëshirë. Vajza e vogël po rritej e mbarë, edhe ajo më donte e më lumturonte me fjalët e saj gjysma- gjysma, me përkëdheljet e ojnat e saj. Të vetmet ditë që rrija në siklet ishte kur vajza sëmurej e kishte temperaturë. Kisha jo vetëm frikë nga temperatura e lartë, por edhe më dhimbsej vajza. Ndonjëherë mendoja se mos prindërit e saj mendonin se ajo sëmurej se mos nuk isha kujdesur unë, apo ishte djersitur e ftohur me mua. Mendoja gjithfarë gjërash që në fakt prindërit e saj nuk i kishin menduar sepse shikonin reagimin e vajzës kur më shikonte. Çdo mëngjes kur shkoja në shtëpi, ajo më hidhej në qafë, i thoshte “ciao” mamasë e rrinte pa qarë me mua. Por besimi i tyre një ditë do të thyhej dhe i gjithi për fajin tim.

Në këto dy vite punë, çifti shumë shpesh kishin lënë para apo gjëra të shtrenjta në vende të ndryshme që i kisha parë, por asnjëherë nuk i kisha prekur, duke e ditur që nuk janë të miat, derisa një ditë të mbrapshtë, bëra gabimin fatal. Ndërsa hekurosa rrobat dhe i futa në dollap, pashë katër fustane të zonjës që më pëlqyen shumë dhe që ngjanin me njëri-tjetrin. Mendova se nuk do t’i mbante mend dhe vodha njërin prej tyre. Pas disa ditësh, mora njëzet e tre mijë lekë që gjeta poshtë divanit kur lava shtëpinë sepse mendova se nuk e dinin që u kishin rënë aty dhe duke parë që ata ishin rehat, nuk i numëronin paratë. Kështu, vodha dhe disa herë të tjera derisa një ditë e zonja e shtëpisë më pyeti se mos kisha hekurosur një fustan të sajin. E kuptova që bëhej fjalë për atë që kisha marrë unë, por u përpoqa të bëja sikur as nuk e kujtoja se për çfarë bëhej fjalë. Me siguri më ka tradhtuar fytyra, pavarësisht përpjekjes për t’u hequr sikur nuk e dija. Që atë ditë më filloi makthi që edhe sot, pas tre vitesh, nuk më ka kaluar. Vazhdova punën por tashmë pa prekur asnjë gjë, bëja punët me merakun më të madh, përkujdesesha për ...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.