Papa Françesku: “Pengjet e mia nga Shqipëria...”

Intervista - - AKTUALITET -

Papa Françeskun e takova në Vatikan, kur sapo kishte folur për vendin tonë në shërbesën e parë pas largimit nga Shqipëria...

- Më falni, hirësia juaj, që nuk munda t’ju takoja atë ditë që erdhët në vendin tim. Desha mbresat tuaja nga ajo vizitë...

- Ishin aq të shumta mbresat, biri im, sa nuk mund t’i numëroj të tëra, sepse kurrë nuk më kishte ndodhur që për njëmbëdhjetë orë qëndrimi në një vend, të kisha aq shumë surpriza, befasi dhe enigma të pleksura çuditërisht aq ngushtë me njëra-tjetrën, sa nuk arrija dot të dalloja realitetin nga ëndrrat, mitingun nga shërbesa fetare, takimet solemne nga rastësitë...

- Mund të na thoni diçka për takimin tuaj me zotin Nishani?

- Më la mbresa të veçanta ai burrë i urtë, vetëm se u çudita kur gjatë interpretimit të himnit të të dy shteteve tanë, unë i mbaja duart të ulura në shenjë solemniteti si në çdo vend të botës, kurse ai i mbante të kryqëzuara paksa ligshtas në një vend delikat, në fund të barkut! Pasi mbaruan interpretimet e himneve, pyeta shoqëruesin tim dhe ai më sqaroi se zoti Nishani, duke qenë se paskesh qenë ushtarak për shumë vite, kishte alergji nga qëndrimi gatitu, qoftë edhe kur interpretohej himni kombëtar.

- At i Shenjtë, vumë re që ishit pak i mërz-

itur në çastin që ju pritën në Presidencë...

- Jo, biri im, jo, nuk isha i mërzitur, por i hutuar. Më hutoi së pari zoti Nishani, presidenti juaj i nderuar. Ai burrë impozant, serioz, me mustaqe, m’u duk si Zafar al Bashad, por e mblodha mendjen se u kujtova që nuk isha në vendet arabe, por në vendin fqinj dhe mik i Vatikanit. Ju besoj e vutë re se edhe gjatë mbajtjes së fjalës së mrekullueshme poetike të zotit Nishani që zgjati afro një orë, unë isha më kokën poshtë e me sytë me lot. Kurrë në jetën time nuk më kishte mallëngjyer fjalimi i ndonjë kryetari shteti, siç më mallëngjeu kryetari juaj.

- Gjatë asaj dite të lodhshme ju bëtë edhe disa bekime në parakalimin solemn në bulevard...

- Ato bekime më çlodhën, por më gjeti belaja me kërkesat e disa njerëzve të mirë që më kishin zënë pritë në hyrje të fshatit Bubq. E para ishte një grua bjonde së cilës i kishte lëvizur fëmija që në bark kur kishte dëgjuar fjalën e kryetarit të partisë së saj dhe që edhe tani që ishte i rritur, sa herë e dëgjon kryetarin e së ëmës, lëviz nga vendi kudo që të ndodhet, në bukë, në gjumë, mbi oturak në tualet. Pa mbaruar mirë fjalën zonja bjonde, më doli përpara një i ri pa flokë që më tha se e paskeshin rrahur në parlament dhe kërkonte ndëshkim nga Zoti për t’u hakmarrë ndaj atyre që kishin vënë dorë mbi të sepse nuk kishte besim te gjykata juaj për burgosjen e tyre. “Vetëm te dora e Zotit dhe fjala juaj e shenjtë kam besim që ndëshkimi ndaj tyre do të jetë shembullor”, më tha me sytë të mbushur me lot. M’u dhimbs dhe, duke i vënë dorën në

kokën tullace, e bekova.

- At i Shenjtë, Juve ju dhanë edhe simbolin e bashkisë së Tiranës, si shenjë respekti për personalitetet e larta...

- Lëre, lëre, se ai moment nuk do të më hiqet nga mendja asnjëherë, sepse kur po ngjisja shkallët për në altar, më doli një djalë që qeshte me një nuse që nuk e mora vesh se cila ishte, por që desh ra në tokë nga një e qeshur që nuk di se pse e zuri kur iu afrova unë dhe ajo më zgjati një kuti metalike. Për një moment u hutova dhe dyshova se mos unë kisha ndonjë difekt në veshje apo në pamje, por kur pyeta shoqëruesit, më thanë se është kryetari i bashkisë së kryeqytetit dhe donte të më dorëzonte simbolin e bashkisë, por që si ai, si e shoqja që kishte në krah, e kishin si sëmundje familjare që për çdo gjë që thuhet, apo bëhet, qeshin. U çlirova nga sikleti që më zuri kur e pashë atë lloj gajasjeje pa shkak.

- Ju ngelën pengje nga vizita e shkurtër në Shqipëri, Hirësia Juaj?

- Më ngelën shumë pengje. Do të më duheshin më shumë se tre ditë për të dëgjuar e bekuar të gjithë politikanët e mrekullueshëm shqiptarë. Po të mundesha, do veja për një vizitë tek ish- guvernatori Fullani, sepse në letrën që më dërgonte para se të nisesha për në Tiranë, më ftonte për drekë dhe më premtonte një mikpritje ashtu siç dinë vetëm shqiptarët të presin. “Ejani në shtëpinë time, At i Shenjtë, sepse megjithëqë jam i dënuar me arrest shtëpie dhe nuk më lejojnë të takohem me asnjë njeri, Juve nuk mund t’ju pengojnë dhe ju premtoj se do t’ju gatuaj një tavë me peshk, më të shijshme se ajo që i gatova Ramës apo Metës në Gjirin e Lalzit!”, më shkruante me sinqeritet. Koha e kufizuar më pengoi edhe për një takim që nuk e heq dot nga mendja...

- Diçka për momentet e largimit nga vendi i shqiponjave?

- Qe një moment kur isha gati të kthehesha prapa pasi nuk munda të puthja tokën shqiptare kur zbrita në Rinas, sepse ngado që shkelja, mikpritësit kishin shtruar qilima të kuq dhe nuk më zuri syri baltë e bar gjëkundi. Veç u lumturova shumë me largpamësinë e Edi Ramës, i cili më surprizoi duke më dhënë një goxha vazo të mbushur plot me dhé nga dheu i vendit të shqiponjave në çastin që po gatitesha të hipja në avion. Tashmë, sa herë të kem mall për Shqipërinë, do të puth vazon të cilën që çastin kur mbërrita në Vatikan, dhashë urdhër ta vendosnin në dhomën time të pritjes, që ta kem përpara syve natë e ditë!

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.