Më afër teje...

Intervista - - MUZIKE -

- Çfarë të bën nervoze?

- Trafiku! Lajmet e kronikave të zeza që janë 24 orë në çdo kanal televiziv, injoranca e theksuar, thashethemexhinjtë që nuk shohin punët e hallet e tyre, por kanë kohë të merren me të tjerët, mosmirënjohësit etj.

- Çfarë të bën ta urresh dikë?

- Nuk ekziston fjala urrejtje tek unë. Nuk urrej askënd dhe nuk besoj se do urrej dikë. Më karakterizon ndjenja e dashurisë që e jap pa kushte, pa dashur të më kthehet domosdoshmërisht mbrapa. Më karakterizon buzëqeshja që gjithashtu e dhuroj për të marrë po aq buzëqeshje, edhe nga njerëz të mërzitur. Nuk arrij deri tek ekstremi i fjalës; urrejtje. Do ishte shumë e rëndë. Mund të arrij derisa të mërzitem, por e kaloj shpejt. Mendoj se jeta ka gjëra shumë më të bukura dhe më të rëndësishme për të cilat jetojmë, kështu që… larg urrejtjes! (Buzëqesh)

- Kënga më me vlerë shpirtërore që ke realizuar deri më tani?

- “Kristalet blu”, jo vetëm se është kompozim i imi, por sepse është një dedikim personal dhe këtu bëhet fjalë për ndjenjë të pastër shpirtërore, për dashurinë më të madhe, mbesën!

- Një gjë për të cilën ke qenë konfuze gjatë karrierës tënde muzikore...

- Kam qenë konfuze kur më është ofruar të nënshkruaj një kontratë midis Sony apo Universal Music dhe nuk dija cilën të zgjidhja. (Qesh) Bëj shaka. Më ka ndodhur të konfuzohem disa herë në vendimet që duhet të merrja, por i kam menduar mirë dhe gjithçka ka shkuar siç duhet.

- Me çfarë e ka edukuar shpirtin Eltina?

- Me muzikë të vërtetë; classical, jazz-blues, rock, baladë. Kam qenë e inspiruar nga artistë që vërtet kanë lënë gjurmë në muzikën botërore si: Uitni Juston, Majkëll Xhekson, Queens, Bob Marlej, The Doors, Eva Kasidi, Ella Fitxherald, Elvis Presli, Nina Simone, Rej Çarls dhe shumë të tjerë. Nuk po i përmend të gjithë...

- Nëpër cilën rrugë ka kaluar formimi yt?

- Ka nisur nga themeli dhe nga rruga ku secili mund të quhet profesionist. Nga muzika klasike, pastaj ka kaluar në jazz, blues e tani në pop, r&b, pop-rock dhe balada.

- “Kurrë” dhe “gjithmonë”, për çfarë vlejnë në botëkuptimin tënd?

- “Kurrë” vlen për të mos thënë asnjëherë “Kurrë“sepse gjithçka mund të ndodhë dhe “gjithmonë“vlen për të provuar gjithçka ku ti beson se ia del. “Kurrë” mos thuaj “nuk ia dola” sepse “gjithçka” është e mundur.

- Çfarë është kalimtare dhe çfarë e qëndrueshme në art?

- Kalimtarë janë ata që nuk bëjnë art të vërtetë dhe shumë shpejt sfumohen si flluska e sapunit, ndërsa e qëndrushme, është e kundërta.

- Një libër apo një pikturë nga e cila impresionohesh gjithnjë...

- Më pëlqen dhe impresionon arti vizual në përgjithësi. Do kisha veçuar pikturën e të famshmit Piter Pol Rubens “Venus dhe Andonis”, “Monaliza” Van Gog ose “Guernica” abstrakte e të famshmit Pikaso.

- Emocionon më shumë një zë që i flet veshit apo një pamje që i flet syrit?

- Të dyja! Një zë që i flet veshit emocionon kaq shumë saqë arrin të krijojë në imazhin e vet, një pamje që i flet syrit.

- Muzika është vetëm për veshin apo edhe për sytë?

- Për të dyja! Muzika është për veshin, por e shoqëruar nga sytë. Veshët e krijojnë dhe e shijojnë, ndërsa sytë i japin formë.

- Për cilat prej arsyeve mendon se natyra na do të jemi vetë i dytë në botë?

- Për të dhuruar dashuri midis njëritjetrit dhe për të lënë trashëgimtarë breza të ardhshëm.

- Ti, je vetë i dytë?

- Në familje, jam më shumë se vetë i dytë! Jemi familje e madhe. (Qesh)

- Çfarë është dashuria në sytë dhe në mendjen tënde?

- Dashuria është një forcë e natyrës e cila nuk mund të blihet as nuk mund të shitet. Nëse e ke, mundohu ta ruash fort dhe të kujdesesh për të.

- Në duart e kujt do ta lije me kënaqësi zërin tënd?

- Veten e kam lënë në duart e vetvetes pasi kam rreth dy vjet që këngët i kompozoj vetë. (Buzëqesh) Do ta lija veten në duart e producentit Jay Z pa u menduar dy herë. Bëj shaka. Kam punuar me shumë kompozitorë të njohur, por të jem e sinqertë, akoma nuk kam gjetur personin e duhur të cilit do t’ia besoja plotësisht zërin tim. Ndërkohë, tekstshkruesin kam vite që e kam gjetur dhe i besoj verbërisht. Është Zhenevjeva Minarolli, motra ime, e cila është dhe autore e disa prej teksteve të këngëve të mia si “Te ti dua te jem”, “Statujë e trishtë”, “Kristalet blu” dhe disa të të tjera, të cilat po i punoj.

- Në ç’pikë do të doje të përsoseshe akoma?

- Jam çdo ditë në kërkim të përsosmërisë, të perfeksionit te vetja. Nuk kënaqem asnjëherë dhe gjithmonë kërkoj. Përpiqem çdo ditë për diçka më mirë.

- Je më e prirur të kapësh cilësitë e mira apo të këqija të të tjerëve?

- Jam person pozitiv.

- Këshilla më e mirë që të kanë dhënë...

- Ji vetvetja! Buzëqesh gjithmonë!

- Si argëtohet Eltina sot?

- Duke udhëtuar nëpër vende të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit tim.

- Një kujtim i ëmbël fëmijërie...

- Sa shumë ka! Kam qenë pak çapkëne e vogël dhe bëja shumë rrëmujë, por një kujtim të ëmbël që do ta kisha risjellë në vëmendje është kur mblidheshim të gjithë familjarisht dhe ishim aq të lumtur pranë njëri-tjetrit, çdo ditë. Tani jeta ka ndryshuar dhe më merr malli për fëmijërinë e familjen, që të mblidhemi edhe njëherë si atëherë! Ndodh të takohemi më rrallë për hir të largësisë sepse gjysma e familjes jeton në SHBA dhe na duhet të shihemi më pak sesa kur ishim të vegjël. Janë shumë të çmuar dhe të shtrenjtë për mua!

- Faleminderit Eltina!

- Shumë faleminderit juve. Si gjithmonë, ishte kënaqësi bashkëbisedimi e ndarja e këtyre momenteve me ju! (Buzëqesh)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.