Fatos Ahmati: Këndoj në Angli, por zemrën e kam në atdhe

Intervista - - MUZIKË -

U largua 14 vjet më parë në drejtim të Londrës, ku me zërin brilant arriti të ndërtonte karrierën, por me kokë mënjanë për atdheun e ti j.Nëkëtë intervistë, këngëtari i mirënjohur Fatos Ahmati flet për karrierën e tij në Londër, por edhe këtu në Tiranë. Ai kujton me emocione të thella daljen e parë në skenë me grupin “Dardania” të Tropojës dhe nuk lë pa përmendur dashurinë që i dhuron publiku në Londër…

Era Çela: - Përshëndetje Fatos! Na vjen mirë që sot bëheni pjesë e gazetës sonë…

Fatos Ahmati: - Edhe mua më vjen mirë që m’u dha mundësia përsëri, pas kaq shumë vitesh, të jap një intervistë në mediat e vendit tim të dashur… Faleminderit!

- Ju keni 14 vjet që jetoni në Londër, ku keni ndërtuar karrierën tuaj. Si ndjeheni atje?

- Si në shtëpinë time. Më kanë përkrahur, e kanë dashur gjithmonë muzikën time dhe u jam shumë mirënjohës. Çdo familjar që ndodhet në Londër e falënderoj nga zemra dhe i them se nuk do ta zhgënjej kurrë.

- A është e vështirë për një këngëtar ta ndërtojë karrierën

e tij në Londër?

- E vështirë nuk është, përderisa ke përkrahjen e publikut. Kjo është kryesorja për një artist, qoftë në Londër, në Shqipëri apo kudo tjetër. Sigurisht, si çdo vend, edhe ky ka vështirësitë e veta.

- Kur keni dalë për herë të parë në skenë?

- Ah! Për herë të parë kam dalë në moshën 12 vjeçare, me vëllezërit dhe me xhaxhain tim. Ka qenë një emocion i papërshkrueshëm dhe i paharrueshëm. Pastaj kam punuar për 4-5 vjet me Ansamblin “Dardania” në Tropojë, nën udhëheqjen e Skënder Dorzhlanit, të cilin e përshëndes, kudo që të jetë. Nga ky ansambël kam kujtimet më të

bukura.

- Pse vendosët të largoheshit nga Shqipëria?

- Kisha dëshirë të dilja meqenëse m’u dha rasti të kontribuoja për vendin tim, me zërin tim, në një vend tjetër. Kam kënduar për shumë kohë në Zvicër e Gjermani, derisa vendosa të shkoja në Londër, ku kam shumë të afërm, miq, mikesha dhe shumë fansa të mitë që më mbështesin në çdo hap. Kështu e ndërtova karrierën time në Angli.

- Sa këngë keni në repertorin tuaj?

- Kam dy këngë të realizuara me videoklipe. E para titullohet “Vetëm jam” dhe e dyta është një duet me këngëtaren e mirënjohur Silvana Dollapi “Ma ka lujt djali kapuçin”. Po punoj për përfundimin e këngës sime më të re, që ia kam kushtuar vendlindjes, Tropojës sime të dashur.

- Kaq shumë ju mungon Tropoja?

- Më mungon aq shumë sa nuk gjej fjalë për ta thënë. Më mungon familja, shoqëria dhe të gjithë të afërmit e mi që jetojnë atje, por më shumë se gjithçka më mungon qyteti ku kam kujtimet e mia më të bukura të fëmijërisë.

- Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në këtë këngë?

- Unë këndoj vetëm muzikën e Veriut, të trevës sime dhe ndjehem shumë mirë me këtë muzikë. Bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë janë kompozitori i mirënjohur Alban Fortuna, poeti Armand Trebicka, si dhe Hamit Aliaj, autori i tekstit të këngës që po përfundoj bashkë me klipin e që titullohet “Amanet mor zogu i bjeshkës”. Të gjithë i falënderoj nga zemra për punën e palodhur që kanë bërë me mua.

- Keni menduar ndonjëherë ta lini këngën?

- Kurrë nuk më ka shkuar ndërmend, përkundazi, e dashuroj muzikën çdo ditë e më shumë dhe do të investoj për të më shumë në të ardhmen, pasi jeta ime nuk ka kuptim pa muzikë.

- Kujt ia dedikoni suksesin e arritur?

- Allahut, për zërin e talentin që më ka dhuruar, familjes sime, e cila është gjithmonë pranë meje dhe fansave të mi, që më kanë mbështetur deri këtu ku jam sot.

- Fatos, më thoni, ndjeheni më mirë me publikun në Londër apo me atë në Shqipëri?

- Ah, pyetje e vështirë kjo, që nuk i përgjigjem dot! Nuk mund të bëj dallime midis publikut në Shqipëri dhe atij në Londër. Kur dal në skenë në Londër unë ndjehem njëlloj sikur jam në Shqipëri. Ndjehem shumë mirë në të dyja vendet dhe i falënderoj nga zemra të gjithë ata që më mbështesin.

- A ka ndonjë të veçantë publiku i Londrës?

- E veçantë është se, edhe pse disa prej tyre s’e dinë mirë shqipen, sepse kanë lindur në Londër, sapo më dëgjojnë zërin, fillojnë duartrokitjet dhe kërcejnë bashkë me mua... Një falënderim të veçantë kam këtu për Restorant Tirana 2, ku punoj prej shtatë vjetësh dhe që është restoranti më i suksesshëm në Londër, ashtu si edhe për të gjithë kolegët me të cilët bashkëpunoj.

- Ç’mendim keni për muzikën shqiptare?

- Muzika shqiptare është muzika më e bukur në botë!

- Këtu në Shqipëri, shumë këngëtarë janë xhelozë për njëri-tjetrin. A ndodh në Angli e njëjta gjë?

- Jo, nuk ndodh, por unë, me thënë të drejtën, as në Shqipëri nuk e kam vënë re këtë fenomen pasi mendoj se çdo këngëtar ka fansat e vet e rriskun e vet dhe nuk ka vend për xhelozi.

- Si nis një ditë e zakonshme për Fatosin në Angli?

- Ngrihem herët, pi kafen e mëngjesit e dal në park, ku kam vendin tim që më frymëzon për të ardhur me ide sa më të mira për publikun që më mbështet.

- Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

- Po punoj për këngën time më të re, së bashku me videoklipin...

- Çfarë do t’u thoje të gjithë patriotëve të tu tropojanë?

- Nga thellësia e zemrës sime, do t’u thoja të gjithë tropojanëve të mi kudo që ndodhen: Ju dua shumë dhe gjithmonë do të jem mes jush, me këngën dhe shpirtin tim. Zoti i bekoftë shqiptarët në çdo cep të botës!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.