A është e rrezikshme lija e dhenve për të rriturit?

Intervista - - SHENDET -

Lija e dhenve është një sëmundje ngjitëse, që zakonisht shfaqet në fëmijëri, por ata që nuk e kanë kaluar, mund të infektohen prej saj edhe në moshë të rritur.

Virusi i lisë, i cili bën pjesë në grupin e viruseve që shkaktojnë herpes zosterin (të ashtuquajturin, zjarrin e natës), është një nga 8 viruset e herpesit që infektojnë njeriun. Infeksioni primar shkakton linë e dhenve, sëmundje e cila shfaqet në fëmijëri. Nëse virusi prek të mëdhenjtë, gjendja është më serioze dhe mund të shkaktojë një lloj pneumonie që quhet pneumonia intersticiale.

Jo vetëm kaq, por janë vënë re ndërlikime të tjera te të rriturit dhe sidomos tek ata që kanë probleme me imunitetin, si: Pneumoni, meningit, encefalit, etj. Virusi qëndron në gjendje të fjetur në ganglionet e fundit të shtyllës kurrizore dhe riaktivizimi i tij, që ndodh zakonisht pas moshës 35-45 vjeçare, shkakton herpes zosterin. Njerëzit që kanë pasur sëmundje në të kaluarën, zhvillojnë imunitet dhe nuk mund të preken sërish nga virusi në pjesën tjetër të jetës së tyre. Megjithatë, virusi mbetet në gjumë në trup dhe mund të riaktivizohet në të ardhmen, duke shkaktuar herpesin.

Sëmundja e herpesit zoster karakterizohet nga një dhimbje e papritur dhe e mprehtë (nevralgjia trigeminale) dhe një shpërthim puçrrash në lëkurë, të ngjashme me ato të lisë, por që shfaqen vetëm në zonën ku ndodhen zgjatimet e nervit të prekur. Virusi mund të transmetohet nga gruaja shtatzënë tek embrioni dhe në vazhdim, të shkaktojë anomali gjenetike. Për këtë arsye, doktorët i këshillojnë gratë të bëjnë analizat e nevojshme para se të vendosin të bëjnë fëmijë.

Diagnoza e lisë dhe e herpesit zoster bëhet zakonisht duke u bazuar te historiku i pacientit/es dhe në analizat klinike. Zbulimi direkt i virusit bëhet me anë të analizës së imunofluoreshencës, ELISA, hibridizimit ADN-së apo reaksionit zinxhir polimerazë. Përdoren edhe analizat sierologjike (që bëhen për të parë antitrupat) kryesisht për vërtetimin e infek- timit të hershëm apo të vonshëm.

Virusi përhapet nëpërmjet kollitjes, teshtitjes, ose me anë të kontaktit me veshjet dhe çarçafët e të sëmurit. Simptomat shfaqen 7-21 ditë pas infektimit, ndërkohë që periudha më e rrezikshme për transmetimin e virusit është 1 ditë para se të shfaqen puçrrat dhe në 7 ditët në vazhdim.

Lija ka si simptomë karak- teristike puçrrat e vogla, të kuqe, të cilat shfaqen në zonën e gjoksit, qafë, fytyrë dhe gjymtyrë. Në fillim puçrrat shfaqen në formë enjtjesh të vogla, të cilat më pas mbushen me lëng dhe zmadhohen. Mund të shfaqen edhe në gojë, në kokë, rrotull syve e në organet gjenitale dhe të shkaktojnë dhimbje të mprehta. Pas afro 2 javësh, puçrrat fillojnë të zhduken. Sëmundja nuk është më ngjitëse kur puçrrat përthahen dhe nuk janë shfaqur puçrra të reja brenda 24 orëve. Për fat të keq, virusi mund të transmetohet edhe para daljes së puçrrave.

Fëmijët që janë vaksinuar mund të kalojnë një formë më të lehtë të sëmundjes, që zgjat 3-5 ditë dhe me më pak se 30 puçrra në përgjithësi. Edhe në këtë rast, sëmundja është ngjitëse kur bëhet fjalë për njerëz me probleme imunitare. Kur lija ndodh te njerëzit mbi 13 vjeç që nuk janë vaksinuar, simptomat janë shumë më serioze. Ka raste kur nevojitet edhe shtrim në spital, sepse shfaqen ndërlikime të rrezikshme për jetën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.