Krijohet një rrjet social vetëm për të pasurit

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Të pasurit nuk e gjejnë dot vendin e tyre në Facebook. Që t’i gjejë zgjidhje këtij problemi, një amerikan 48 vjeçar, Xhejms Touçi-Peters, kompozitor dhe ish-dirigjent i orkestrës filarmonike të Minesotës, ka lançuar kohët e fundit një rrjet social vetëm për ta, të quajtur Netropolitan. Për të marrë pjesë në këtë klub elitar, duhet të paguash jo pak, por 9000$ (afro 7000 euro) shpenzime regjistrimi, plus 3000$ kuotë çdo vit. Për këtë çmim, klubi elitar nuk ofron gjë, veçse pjesëmarrjen në rrjetin shoqëror, pra, jo mbrëmje gala, as rally me makina, apo ftesa për mbrëmje private... Megjithatë, për këtë çmim, siti u garanton që pjesëtarët nuk do të gjejnë asnjë reklamë dhe një ekip do të jetë i ngarkuar me rregullimin e përmbajtjes së tij. Krijuesit e sitit e quajnë atë si «një klub të rezervuar për ata që kanë më shumë para sesa kohë».

Peters mendon se ka një «nevojë reale për një vend ku mund të evokosh çdo lloj subjekti pa pasur frikë se mund të ngjallësh reagime të tepruara, apo të dhunshme, një vend ku njerëzit mund të ndajnë shijet dhe eksperiencat e përbashkëta». Disa prej tyre « pohojnë se ndjehen të gjykuar për evokimin e disa subjekteve në rrjete të tjera shoqërore, sikur po lavdërohen » . Mbetet të mësohet nëse kjo nevojë ekziston realisht. Në fakt, parimi i krijimit të një siti të tillë nuk është i ri. Para Netropolitanit, janë krijuar edhe rrjete të tjera elitare, pa pasur suksesin e pritur, si “A Small World” (Një botë e vogël), i ashtuquajtur edhe «Myspace i milionerëve», i cili u krijua në vitin 2007 dhe pjesëtarët e tij mund të regjistroheshin vetëm me ftesë. Një vit më pas u krijua edhe Total Prestige, por pa pasur sukses, si edhe site të tjera më pas. Duket sikur të pasurit nuk kanë dëshirë medoemos të rrinë mes tyre!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.