Cilat ushtrime bëhen çdo ditë?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam një pyetje që ka lidhje me ushtrimet. Kam lexuar që mjafton të bësh ushtrime edhe dy herë, tre herë apo katër herë në javë... Po ushtrimet specifike që duhet t’i bësh patjetër çdo ditë dhe që janë të domosdoshme për organizmin e trupin tonë, cilat janë? Faleminderit.

Mario instruktor:

- Pyetja juaj është shumë interesante. Sigurisht që ka ushtrime të cilat është mirë t’i bëni çdo ditë për mirëqenien tuaj fizike, por edhe shëndetësore e shpirtërore. Së pari, zgjatja e trupit duhet bërë çdo ditë, pra, streçingu, ashtu si macet kur ngrihen nga gjumi apo lëvizin. Mjafton të imitoni macen, sidomos kur zgjohet nga gjumi dhe keni bërë streçingun e duhur. Pse janë të domosdoshme zgjatjet? Më poshtë do t’ju themi edhe arsyet: Për shpinën janë të domosdoshme zgjatjet, sepse presupozohet që jeni në punë, ose në shkollë dhe qëndroni shumë ulur në karrige, jo në pozicion të mirë. Atëhere, për të shmangur dëmtimet e shpinës dhe dhimbjet e saj, duhet të bëni streçingun. Një nga ushtrimet e streçingut është: Kapni duart nga mbrapa dhe ngadalë, zgjatini pas vetes, aq sa të mundeni. Merrni frymë thellë dhe lironi kokën mbrapa. Bëjeni këtë ushtrim të paktën tri herë.

- Më pas, bëni zgjatje për shtyllën kurri- zore: Qëndroni në gjunjë, me këmbët poshtë legenit tuaj. Është një pozicion që ngjan me një pozicion në faljen muslimane. Siç jeni në atë pozicion, zgjatuni përpara duke palosur trupin afër gjunjëve dhe krahët zgjatini përpara, gjersa të ndjeni tërheqje. Më pas, ngadalë, kthehuni në pozicionin fillestar.

- Më pas bëni disa ushtrime tip zgjatjeje për barkun. Gjunjëzohuni sërish, vendosni dy duart mbi legenin dhe ngadalë, shtyjeni legenin përpara. Ndërkohë që bëni këtë ushtrim, duhet të ndjeni një tërheqje të fortë në pjesën e parë të këmbëve dhe në pjesën poshtë barkut. Qëndroni në këtë pozicion për afro 30 sekonda, merrni frymë thellë dhe nxirreni frymën ngadalë, duke u relaksuar.

- Edhe për qafën mund të bëni disa zgjatje. Duke qëndruar drejt në këmbë, me njërën dorë kapni kokën dhe tërhiqeni nga ana e djathtë për shembull, aq sa të ndjeni tërheqje të qafës, ndërsa dora tjetër qëndron në bel. Të njëjtën gjë bëni edhe me anën e majtë. Po kështu, mund të bëni përkulje të qafës përpara dhe mbrapa kokës. Bëjeni këtë 3 herë ngadalë, duke marrë frymë thellë dhe duke e nxjerrë ngadalë. Këto janë disa ushtrime të cilat duhet t’i bëni patjetër çdo ditë, ashtu siç pini ujin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.