Do kem pasoja po t’i operoj tiroidet?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam Sabrija, 65 vjeçe. Kam 30 vjet që vuaj me tiroidet, të cilat i kam shumë të zmadhuara, por shqetësimin më të madh e kam që nuk fle dot gjumë. Më duket sikur më mbysin, kam vajtur në shumë mjekë dhe disa më thonë që duhet t’i operoj, disa thonë jo. Dua t’ju pyes juve: Në qoftë se i operoj, a ka ndonjë problem sidomos në moshën time? A mund të kem pasoja? Pres një përgjigje nga ju. Faleminderit.

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog:

- E nderuar zonja Sabrije! Faleminderit shumë për pyetjen tuaj interesante. Realisht, nëpërmjet shqetësimit tuaj, ju ngrini një problematikë shumë të diskutuar në mjekësi. Në rastin konkret, problemin nëse është e përshtatshme mosha juaj për t’u operuar nga gjendrra tiroide apo jo që në fillim të shpjegimit doja t‘ju thoja se jo gjithmonë mosha kronologjike ose vitet reale janë tregues për një ecuri të caktuar sëmundjeje apo për një ndërhyrje kirurgjikale. E trajtuar në këtë këndvështrim, do të shtoja se mund të jeni në moshë të re dhe trupi juaj shkak i shumë sëmundjeve të caktuara ose një lloj konsumimi jetësor mundet, edhe pse në moshë të re në vite, të jetë relativisht i plakur në funksion apo në veprimtari trupore. Ndaj përsa më sipër, merr shpjegimin e parë shqetësimi se mosha nuk është medoemos një barrierë apo problem për ndërhyrjen kirurgjikale te ju.

- Pavarësisht se ne po i referohemi vetëm një elementi diagnostik, siç është mosha, çështja e zgjidhjes së shqetësimit tuaj duhet parë në kontekstin e përgjithshëm të organizmit dhe në radhë të parë, duhet të vlerësohet funksioni i tiroides. Në qoftë se funksioni i tiroides suaj nuk është i dëmtuar, pra, do të thotë që nuk keni as tepricë, as pakicë të jodit, mbetet pas kësaj të vlerësohet nga mjeku specialist endokrinolog në keni ju nevojë të operoheni, apo jo. Së dyti, mjeku kirurg që do të marrë përsipër interventin, së bashku me mjekun anestezist, do të përcaktojnë nëse gjendja juaj shëndetësore e përballon apo nuk e përballon procesin kirurgjikal. Në eksperiencën time klinike, rastet që interventohen pas moshës 65 vjeçare janë vërtet të rralla, por nuk kanë munguar dhe, për fat të mirë, nuk kanë patur as efekte anësore, pasi ndërhyrja i është besuar kirurgut me përvojë dhe të aftë profesionalisht. Duke u kthyer sërish te rasti juaj, ju vë në dijeni se nëse keni kryer analiza hormonale të gjendrrës tiroide dhe ato kanë rezultuar në vlera normale, nisur edhe nga shumë gjëra të tjera që ju po sqaroni, edhe unë personalisht do isha i mendimit që interventi kirurgjikal është një zgjidhje e mirë në rastin tuaj. Mendoj që kjo ndërhyrje do t’ju ndihmonte shumë juve së pari, duke ju lehtësuar nga problemet fizike që keni, shtypja në pjesën e fytit, vështirësia për të fjetur etj. Së dyti, kjo do t’ju ndihmonte edhe në aspektin e mosçrregullimit funksional të tiroides. Duke elemintuar një masë të madhe fizike, ju lehtësoheni përsa i përket efektit shtypës apo komprimues që ajo ka dhe nga ana tjetër, ulet rreziku që kjo masë, me kalimin e kohës, t’ju krijojë probleme në shëndetin tuaj, nisur nga më të lehtat e deri te më të rëndat. Si përfundim, nëse stafi mjekësor që merret me kurimin tuaj do të vendosë për operacion, ju nuk duhet të refuzoni, por ta kryeni sa më parë. Mos harroni edhe një gjë të fundit: Me realizimin e operacionit nuk është mbyllur gjithçka, por mbyllet një pjesë e rëndësishme e mjekimit tuaj. Me shumë gjasa, kolegët do t’ju rekomandojnë vazhdimin e mjekimeve me hormone të tiroides, pas operacionit. Të shkuara!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.