Zbulohet një dinozaur barngrënës 60 tonësh në Patagoni

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Paleontologu amerikan, Keneth J. Lakovara, ka pozuar pranë një kocke të skeletit gjigand të dinozaurit, Dreadnoughtus schrani, në Argjentinë. Dreadnoughtus schrani është emri që i kanë vënë paleontologët një dinozauri barngrënës, skeleti i të cilit është zbuluar në Patagoni. Ky dinozaur ishte 26 metra i gjatë dhe peshonte 60 ton. Ai ka jetuar para 77 milionë vjetësh në Jug të Amerikës se Jugut dhe peshonte sa 10 elefantë. Ky është skeleti më i plotë i një dinozauri të tillë, që është zbuluar deri më sot. Përshkrimi i tij është publikuar në revistën “Scientific Reports”. Ai i përkiste familjes së titanozaurëve, dinozaurëve barngrënës gjigandë, të cilët ishin me shumicë në epokën e Kretaces së vonshme. Shkencëtarët vlerësojnë se kafsha me qafë shumë të gjatë ishte 26 m e gjatë, pak më shumë se një pishinë sportive (25 m) dhe peshonte 60 ton. «Ai peshonte sa 10 elefantë, ose sa shtatë Tiranosaurus rex, që është edhe më i njohuri», ka thënë Keneth Lacovara, i universitetit Drexel, Filadelfia, SHBA, i cili ka zbuluar skeletin e fosilizuar të kafshës në jug të Patagonisë, Argjentinë. Për më tepër, skeleti tregon se ai ende nuk e kishte përfunduar rritjen, në kohën kur ka vdekur.

Gjatë katër fushatave të gërmimeve, nga vitet 20052009, paleontologët kanë arritur të gjejnë më shumë se 45% të skeletit, që është një përqindje më e lartë sesa skeletet e titanozaurëve të zbuluar më parë. Shkencëtarët kanë gjetur pothuajse gjithë kockat e gjymtyrëve, si femuri, i cili ishte 1.8 m i gjatë dhe humerusin (kockën e krahut) dhe nisur prej kësaj, kanë mundur të bëjnë përllogaritjet e gjatësisë së trupit. Gjigandi i ri është pagëzuar me emrin Dreadnoughtus schrani, ku fjala «dreadnought», në anglishten e vjetër, do të thotë se nuk ka frikë prej asgjëje, ndërsa termi «schrani» i është dhënë për nder të sipërmarrësit Adam Schran, që ka mbështetur kërkimet. Me trupin sa një shtëpi, peshën sa një tufë elefantësh dhe bishtin e fuqishëm, Dreadnoughtus nuk duhet të ketë pasur frikë prej askujt. Për të arritur këtë madhësi, Dreadnoughtus duhet të hante sasi fenomenale bimësh. «Me një qafë 11 metra të gjatë, të ekuilibruar nga një bisht prej 9 metrash, nuk ke nevojë të lëvizësh nga vendi, pasi mund të hash një sasi të madhe ushqimi rreth e rrotull», ka thënë Lakovara.

Patagonia është një zonë e pasur me zbulime paleontologjike. Në epokën e dinozaurëve, pampa argjentinase ishte e mbuluar me pemë mbi 15 m të larta, të afta për të përmbushur nevojat ushqimore të gjigandëve barngrënës. Majin që shkoi, paleontologët argjentinas kishin lajmëruar për zbulimin e një sasie të madhe mbetjesh fosile të një tjetri tiranozauri, që, sipas tyre, mund të peshonte më shumë se 100 ton dhe të ishte afro 40 metra i gjatë, por komuniteti shkencor është treguar skeptik ndaj këtyre vlerësimeve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.