Burri im kriminel, na dënoi me vdekje!

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

- Po, do të të tregoj! - më tha. - Por ajo që do të të tregoj, është e vërtetë shumë e hidhur...

“Epo, do jetë ngatërruar me ndonjë mafioz, do jetë lidhur me ndonjë grua, do më kërkojë divorcin...”. Në të qindtat e sekondës vetëm këto lloj mendimesh më kaluan në mendje. Nuk paskësh qenë as njëra e as tjetra. Sikur të kishin qenë këto lloj të “këqija” që kisha menduar unë! Me të vërtetë ishte e tmerrshme ajo që krimineli-bashkëshorti im më tha.

- Unë jam me SIDA dhe kam shtatë vjet që e di. Kam shtatë vjet që jetoj me këtë ankth...

Nuk e di sa gjatë kam ndenjur pa folur e pa lëvizur, sepse ngriva nga gjithë ajo çka dëgjova.

- Si? Ke 7 vjet që e di që je i infektuar dhe më thua tani?!

- Para shtatë vjetësh, kur ti ishte në Shqipëri, unë herë pas here shkoja me një prostitutë. Gabimi im është se asnjëherë nuk jam mbrojtur nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. E kam marrë vesh 1 muaj para se merrja dokumentet për herë të parë në Itali.

Më kujtohet që, kur erdhi herën e parë, ishte i gëzuar, por më dukej ndryshe. Kjo kishte qenë! Dhe unë kisha dyshuar se mos kishte ndonjë grua tjetër në mes nesh... Por, meqenëse na bëri dokumentet e na mori me vete me djalin, e fjeta mendjen.

- Kur e mora vesh në fillim, mjekët më thanë që isha infektuar me virusin HIV dhe pas shenjave të para do të kalonte një periudhë e gjatë qetësie. Nëse do të mjekohesha, edhe organizmi fillon e lufton vetë. “Do kalojë një periudhë e gjatë qetësie”, më thanë. Por pas kësaj periudhe qetësie organizimi është i lodhur dhe nuk mund ta luftojë vetë. Pastaj fillojnë këto shenjat që kam tani dhe në fund, infeksioni kalon në AIDS. Kjo është gjendja ime tani. Mjekët më paralajmëru- an që të të ruaja ty, por unë nuk mund të lë të të gëzojë një burrë tjetër pasi të vdes unë... - tha ai dhe e mbylli fjalimin e tij të tmerrshëm.

E mpirë siç isha, nuk munda të flisja asnjë gjë. U shtriva, sigurisht, jo në krevatin dopio, por në krevatin e vajzës. Nuk fjeta gjithë natën. Aq e mpirë isha, sa nuk mundesha as të qaja.

Të nesërmen shkova në punë, por as gjysmat e punëve nuk bëra. I thashë të zonjës së shtëpisë se nuk ndjehesha mirë dhe ajo, me shumë dashamirësi, më tha të kthehesha në shtëpi. Prita derisa im shoq erdhi nga puna dhe më në fund, arrita t’ia përplasja të gjitha.

- E kuptoj që nuk mund të pranosh që unë të jem në krah të një burri tjetër, por a mund të më thuash, si munde të mendosh një fëmijë të dënuar me vdekje qysh nga krijimi? Si mendove se mund të bënim fëmijë tjetër, kur ti ishe ndërkohë i infektuar? Mund ta kuptoj se nuk pyet për mua as se vdiqa, as se jetova, por si mund të dënosh një fëmijë, fëmijën tënd?

- Mos më thuaj që nuk pyes për ty, - më tha. - S’e kupton se të dua më shumë se çdo gjë tjetër dhe nuk mund të të lë të jetosh?!

- E kuptoj që s’më lë mua, po pse s’lë vajzën të jetojë. Mirë djalin nuk pyet fare që do ta lëmë jetim, do ta rrisin prindërit e tu, po përse ata duhet të qajnë edhe fëmijën tonë, përse duhet të varrosin tre njerëz të familjes? Përse djali duhet të humbë prindërit dhe motrën? Nuk e kupton kaq i pashpirt je?

Erdhi ora për të marrë fëmijët, djalin nga shkolla e vajzën nga kopshti dhe nuk folëm më. Nuk doja më as ta shikoja, as ta dëgjoja. I thashë të flinte në kuzhinë. Unë fillova të flija me fëmijët.

U ktheva në maniake për të mbajtur djalin sa më larg gjërave që preknim ne, dezinfektoja lugë, pjata e gota, u ktheva në një të çmendur. Nuk e dija se në ç’pikë isha as vetë e as fëmijët.

Një ditë mora guximin dhe shkova në spital për analizat. Pyeta se si veprohej dhe mjekja që kontaktova, më siguroi për anonimitetin, si dhe sajuam një gënjeshtër për fëmijët, kështu që të nesërmen shkova me të dy fëmijët.

E trembur, e rraskapitur, pas dy muajsh, më në fund e mora guximin dhe shkova të merrja përgjigjen. Unë isha në fazën që trupi e lufton vetë dhe më mbetej edhe afërsisht katër ose në rastin më të mirë, pesë vjet që gjendja ime të përkeqësohej. Vajza kishte pak më shumë kohë se unë, do fillonte të përkeqësohej diku nga tetë ose nëntë vjeçe... Fatmirësisht, djali nuk ishte prekur, Zoti kishte bërë mrekulli, se im shoq, që ishte babai i tij, nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta mbrojtur.

Shumë e vendosur për të mbrojtur djalin, i shkrova të gjitha këshillat e mjekes dhe i zbatoj ato me përpikmërinë më të madhe. Im shoq vdiq para dy vjetësh dhe nuk kam derdhur asnjë pikë loti për të. Varrimin e bëmë në Shqipëri dhe, kur shihja vajzën që qante për të atin, shpirti sa s’më plaste.

Ai është fajtori që edhe ajo do të vdesë aq e vogël, pa marrë asgjë nga kjo jetë. Tashmë, kam frikë se sëmundja do të përparojë më shpejt edhe nga reagimi jo i mirë psikologjik. Jetoj në Itali, jam me dy fëmijë dhe bashkëjetoj me tmerrin që edhe unë do të vdes së bashku me të bukurën time, kurse djali im do të mbetet jetim.

Më duhet të filloj të përgatis prindërit e mi, prindërit e bashkëshortit tim për atë që do të ndodhë shumë shpejt, t’u them që ata duhet të më rrisin djallin e ta burrërojnë, t’u them që t’i bëjnë dasëm e të gëzojnë, të kërcejnë e këndojnë për të. Vetëm nëse ata do të më premtojnë këtë, them se do të më kalbë toka më shpejt, do bashkohem me fatkeqen, vajzën time shumë shpejt. Barra, trishtimi e dhimbja që tani e ndjej vetëm unë, do të jetë e tyre...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.