I vodha paratë thjesht për fiksim...

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

...Vazhdova punën por tashmë pa prekur asnjë gjë, bëja punët me merakun më të madh, përkujdesesha për vajzën me dashurinë e nënës, jo vetëm e penduar për çka kisha bërë, por edhe me turpin më të madh që isha bërë hajdute.

Ata më kishin besuar fëmijën, kisha një kopje të çelësit të shtëpisë së tyre, rrija tetë orë në shtëpinë e tyre vetëm çdo ditë dhe unë e kisha përmbysur gjithçka. Dhe, më e keqja, nuk e kisha bërë se isha në ndonjë hall të madh ekonomik, po nuk e di se ç’dreqin më kishte kapur pas vjedhjes së fustanit. Në total kisha vjedhur edhe njëqind e tetëdhjetë mijë lekë që i kisha gjetur andej këndej për një periudhë prej një muaji.

Ca kohë më vonë, e zonja e shtëpisë, në mëngjes, më tha që do të shkonte më vonë sepse donte të fliste me mua. E kuptova, çdo gjë ishte kuptuar dhe nuk e di pse nuk m’u shemb tavani apo të më përpinte dheu në atë moment.

- Në fakt, nuk di si ta filloj bisedën me ty! - më tha. – Së pari, dua të të kërkoj falje nëse po të akuzoj pa të drejtë, por nuk di të ketë njeri tjetër që hyn në shtëpinë tonë përveç teje. Do ta filloj me fustanin blu me jakë bebeje, timin, gjëja e parë që kam vërejtur që më mungon. Nuk e di nëse më ka humbur ndonjë gjë tjetër më parë dhe nuk e kam vënë re. Edhe një sasi lekësh, rreth njëqind e tetëdhje e shtatë mijë lekë.

Nuk munda të flisja sepse lotët erdhën para fjalëve.

- Po, unë i kam marrë të gjitha këto dhe të betohem për kokën e tre fëmijëve që nuk kam marrë asgjë tjetër. Nuk e di ç’më zuri me fustanin së pari dhe pastaj me lekët...

Dënesja dhe nuk doja që ajo të më shikonte fare, isha e bindur që nuk është se i vinte keq për mua se po qaja, por ndjente veç përbuzje për një hajdute që i kishte besuar edhe fëmijën.

- A ka ndonjë arsye? Mos jemi sjellë keq me ty? A mund të më japësh një përgjigje për çfarë ka ndodhur në shtëpinë time këto tre muajt e fundit?

- Nuk di të të them arsye, - i thashë, - keni qenë absolutisht korrektë me mua gjatë gjithë kohës që kam punuar këtu. Arsyeja që e fillova me fustanin është arsye prej budallai. Ndërsa po e fusja në dollap, pashë që ishin edhe tre të tjerë të ngjashëm dhe mendova se nuk do ta vije re mungesën. Edhe për paratë, ka qenë e njëjta arsye idiote. Nuk kam vjedhur kurrë dhe nuk e di ç’më zuri. Të lutem, më fal, mos më mbaj më në punë, por mos i thuaj kujt për ç’arsye po më heq nga puna, - i thashë.

Mënyra se si më pyeti e plotësoi të gjithë panoramën e edukatës, kulturës qytetare të atij çifti që në fillim i paragjykova. Me gjithë atë që kisha bërë, ajo prapë gjeti një mënyrë të sjellshme për të ma thënë dhe kjo më vret më shumë. Do kishte qenë më mirë të më kishte fyer dhe nuk do të isha ndier kaq keq. Sigurisht që e lashë punën. Gjëja që më kërkoi ishte të rrija edhe dy javë që vajza të mësohej edhe me gruan tjetër që do ta mbante. Më tha që punëtores tjetër do t’i thoshte se unë po largohesha për arsye shëndetësore meqenëse ia kisha kërkuar të mos i tregoja për vjedhjet e mia. I ktheva fustanin, u përpoqa t’i ktheja edhe paratë, por ajo nuk i pranoi. Arrita të binim dakord që të mos merrja rrogën e fundit, si dhe dy javëshin që do të mësoja punëtoren tjetër dhe këtë, pas këmbënguljes sime të vazhdueshme.

I uroj gjithë të mirat e botës asaj familjeje, besimin e të cilëve unë e shkela... A.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.