A mund të dal në pension të parakohshëm?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Quhen I. Hoxha emigrant në Milano, i datëlindjes 1951. Në Itali kam punuar me ndërprerje, por më bëhen afërsisht rreth 12 vite pune me kontribute. Në Shqipëri kam një vjetërsi pune me kontribute prej 23 vitesh. Dua të di se kur e plotësoj moshën për pension pleqërie në Shqipëri. Po të dëshiroj të dal tani në pension të parakohshëm, a është e mundur? Po me vjetërsinë që kam në Itali, a përfitoj pension?

- I nderuar letërshkrues, përsa kërkoni në letrën tuaj, sqaroj sa më poshtë: Për të përfituar pension pleqërie sipas nenit 31 të Ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pika 1, theksohet: 1. Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të plotë në moshën 65 vjeç burrat dhe 50 vjeçe gratë, pasi të kenë plotësuar 35 vjet sigurim. Për periudhën e tranzicionit bëhet përjashtim nga ky rregull dhe zbatohet neni 92 i dispozitave tranzitore të këtij ligji”. Në këto kushte, ju e plotësoni moshën për pension pleqërie kur të jeni 65 vjeç, pra, në vitin 2016, por nuk plotësoni vjetërsinë e nevojshme për pension të plotë. Në rast se dëshironi të dilni në pension që konsiderohet pension i reduktuar, kushtet për përfitimin e këtij pensioni përcaktohen në nenin 31/ 1, si më poshtë:

- Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar:

a) kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet sigurimi;

b) kanë mbushur moshën 62 vjeç për burrat e 57 vjeç për gratë, kur mosha e daljes në pension të plotë pleqërie sipas nenit 92 është më e madhe se këto mosha;

c) nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.

- Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfiti- mit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koefiçientin e reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj. Duke qenë se ju keni 23 vite me kontribute në Shqipëri, nuk plotësoni kushtet e përcaktuara në gërmën “a”, ku kërkohet një vjetërsi kontributive prej 35 vitesh, pra, nuk mund të dilni në pension të reduktuar. Në këto kushte, do të prisni deri në vitin 2016 kur të plotësoni moshën për pension për të përfituar sipas kontributeve të derdhura.

- Përsa i përket vjetërsisë kontributive që keni në Itali, sqarojmë: Duke filluar nga 01.01.2012, personat me posedim të një vjetërsie kontributive më 31.12.1995, mund të kenë të drejtën për pension pleqërie, vetëm në një plotësim të një vjetërsie kontributive të barabartë me 20 vite, të njohura si kontribute të derdhura, ose të njohura nga forma të tjera sigurimi. Pra, duke filluar nga 1 janari i vitit 2012, personat, kontributet e të cilëve fillojnë nga 1 janari i vitit 1996, mund të kenë të drejtën për pension pleqërie, mbasi të kenë plotësuar vjetërsinë kontributive prej 20 vitesh, duke plotësuar sigurisht edhe kushtet e moshës së përshkruar më lart. Për këtë kategori personash, mund të përfitohet pension me plotësimin e moshës 70 vjeç dhe me 5 vite kontribute efektive, duke përjashtuar kontributet e njohura si kontribute figurative (shërbimi ushtarak, sëmundje e paaftësisë për punë, leje lindjeje, dhurim gjaku etj.), që nuk përfshihen në shumën e pensionit. Bazuar përsa më sipër, në rast se keni filluar punë me pagesë kontributesh para datës 31.12.1995, do t’ju duhen detyrimisht 20 vite kontribute për t’u përfshirë në kushtet e përfitimit të pensionit, në moshën 67 vjeç. Ndërsa po të keni filluar punë, mbas datës 1.1.1996, mund të përfitoni pension edhe me 5 vite kontributive, por kur të plotësoni moshën 70 vjeç. Ju falënderoj për besimin. Naim Balluku.

Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.