Më ka dalë një kokërr në sy

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Ju përshëndes! Ka dy javë që më ka dalë një kokërr në syrin e djathtë, nga brenda poshtë dhe nuk po më largohet. Më kanë thënë që është lyth ( ashtu ngjan) dhe që ikën vetvetiu, por unë kam frikë se po më rritet. Nga se krijohen këto kokrra nga brenda, çfarë i shkakton, a rrezikojnë të rriten dhe a hiqen përfundimisht? Çfarë analizash duhet të bëj? Ku duhet të shkoj? Rezi, 25 vjeçe.

Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: -

E dashur Rezi! Më vjen shumë mirë që po i përgjigjem një adashes sime pasi edhe unë quhem Rezarta. Shqetësimi që ju përcillni në letrën tuaj është plotësisht i zgjidhshëm, por jo me medikamente. Rasti i sëmundjes suaj zgjidhet me intervent, bëhet një mini-intervent në QSUT “Nënë Tereza”, në repartin e Okulistikës. Ju pajiseni me një rekomandim nga unë për në QSUT. Kokrra apo lythi, siç e quani ju, është një infeksion i gjendrrës. Kokrra që pozicionohet afër rrëzës së qerpikut në bregun e kapakut dhe që përfundon me krijimin e një enjtjeje me pus ( qelb) brenda. Formacioni ka formën e një kokrre misri të vogël ose bizeleje dhe në gjuhën e praktikës mjekësore ophtalmologjike përshkruhet si Cholozio. Ai mund të pozicionohet në kapakun e sipërm apo edhe në të poshtmin dhe në përgjithësi, ka lidhje shkakësore me produktet e kozmetikës, si: Lapsi i syve, rimeli, peneli, produktet e kozmetikës të kapakëve të syve, pudrat e syve etj.

- Arsyeja pse shkaktohen më shumë te femrat ka lidhje pikërisht me këta faktorë. Patjetër duhet të hiqni tualetin e syve para gjumit, duke i pastruar sytë fillimisht me solucion për pastrim sysh e me tampon sysh dhe të bëni një larje të plotë të syve me ujë të bollshëm. Kjo do t’ju ndihmonte shumë në moskrijimin e cholozioneve. Nëse do të ishit paraqitur për vizitë mjekësore herët, në fazën e enjtjes, skuqjes dhe dhimbjes së kapakut, sëmundja do të shërohej thjesht me përdorimin e një pomade lokalisht në sy brenda, me përbërje antibiotike e kortizoniku dhe me aplikimin e kompresave të thata të ngrohta. Kjo fazë sëmundjeje tashmë ka kaluar dhe ju, në fazën që jeni, që është formuar kokrra, nuk keni më shanse për t’u shëruar me medikamente pasi është krijuar capsula e cholozionit ( mbulesa e lythit), e cila mund të çahet vetëm me bisturi dhe të zbrazet lythi. Disa ditë më pas mjekohet me antibiotikë topikalë tubet në sy dhe nuk mbetet asnjë shenjë nga operacioni, pasi kryhet nga ana e brendshme e kapakut (mukoza), që është në kontakt me syrin. Përsa i përket pyetjes suaj se çfarë analize mund të bësh, mendoj që e vetmja analizë e nevojshme në këtë rast është lipidograma e cila ekzaminon hollësishëm fraksionet e yndyrnave në gjak dhe mundëson orientimin tonë në të ardhmen për mosrritjen e lipideve në organizëm. Këto kokrra hiqen përfundimisht me ndërhyrje, nuk dalin më në të njëjtin vend, por mund të dalin në kapakët e tjerë përsëri nëse kujdesi juaj për tualetin është jo i mirë. Ju mirëpres për një vizitë dhe një rekomandim për intervent në QSUT “Nënë Tereza”, Tiranë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.