Xheni Kovaçi

Edhe në ëndërr, këdoj...

Intervista - - FAQE 1 -

Fabjola Kuburi: - Xheni, çfarë duhet të dijë publiku për ty?

Xheni Kovaçi: - Xheni është një vajzë nga Korça që ka jetuar në Greqi për shumë vite. Në Greqi kam marrë pjesë në një festival dhe fitova çmimin e pestë... Kështu filloi edhe karriera ime muzikore.

- Si ka qenë jeta jote mes Greqisë dhe Shqipërisë?

- Kam jetuar 20 vjet në Greqi ku kam bërë edhe shkollën për muzikë. Jeta ime ka qenë me ecejake, kam ardhur në Shqipëri e jam kthyer në Greqi, deri tani që jam kthyer me mendimin për të punuar dhe jetuar këtu.

- Si lindi kënga te ti?

- Që e vogël, kur fillova të kuptoja, këndoja në shtëpi dhe kërceja në majë të gishtave. Të gjithë fëmijët e lagjes më kërkonin e më donin sepse unë imitoja Majkëll Xheksonin, si në këngë, ashtu edhe në performancë. (Buzëqesh)

- A e ke gjetur mikpritjen e duhur këtu, pas kaq vitesh larg Shqipërisë?

- Po, duke qenë se ne shqiptarët jemi mikpritës nga natyra, nuk kishte si të mungonte edhe për mua. Më kanë respektuar shumë dhe jam ndier shumë mirë.

- Çfarë është muzika për ty?

- Është gjithë jeta ime, është bërë pjesë e pan-

dashme e imja!

- Mendon se ky është momenti i Xhenit?

- Do ta kuptoni se kur do të jetë momenti i Xhenit. Jam në punë e sipër me këngën time për atë moment dhe shumë shpejt, do të shikoni rezultatet!

- Sa seriozisht e ke marrë angazhimin me muzikën? Ç’rëndësi ka ajo në jetën tënde?

- Me muzikën jam angazhuar shumë seriozisht sepse kam synime për të arritur në këtë rrugë që kam

nisur dhe do t’i arrij ato.

- Çfarë pret nga publiku një këngëtare si Xheni dhe çfarë i jep Xheni publikut të saj?

- Një këngëtare si unë jep kënaqësinë e të kënduarit me dashuri dhe dëshirë, ndërsa nga publiku pres vetëm duartrokitje. Janë vlerësimi më i bukur që më bën të eci përpara.

- Cili do të ishte reagimi yt nëse nuk do të vlerësoheshe për punën që bën e muzikën që këndon?

- Nuk e di si do reagoja, sepse unë jam vlerësuar gjithmonë për punën që bëj. Këndoj gjithmonë me përkushtim e dashuri... Si mund të mos vlerësohet diçka e bërë me dashuri?!

- Për kë bën muzikë, kush të frymëzon dhe kush e dëgjon muzikën tënde?

- Unë frymëzohem nga gjithçka, por më shumë është nata ajo që më frymëzon. Për ta saktësuar këtë, dua t’ju tregoj një episod të bukur... Melodinë e kësaj këngës që po realizoj tani dhe që do lançohet shumë shpejt për publikun, e kam dëgjuar e ndjerë në ëndërr. Jam zgjuar nga gjumi në katër të mëngjesit dhe e këndova me zë që të mos e harroja, sepse kam dëgjuar edhe pjesë të tjera në ëndërr, por nuk kam mundur t’i konkretizoj. Kjo është shumë bukur dhe muzikë e shpirtit. Ja, sa e dua unë muzikën, saqë edhe në ëndërr këndoj.

- Do të shohim me bashkëpunime apo për solo?

- Unë deri tani kam kënduar solo, por edhe një bashkëpunim në të ardhmen me një këngëtar që të jetë edhe realizimi i arrirë, do ishte një punë e mirë.

- Për çfarë mund të bëhet një bashkëpunim?

- Mund të bëhet për ndërthurrje zhanresh muzikore mes dy apo më shumë këngëtarëve, që është në të mirë të tyre, por edhe në të mirë të publikut sepse nga një bashkëpunim mund të dalë një produkt i këndshëm për veshin e tij, por edhe për syrin, nga realizimi i një klipi cilësor.

- Cila është e veçanta jote në këtë treg të tejmbushur me këngëtare të bukura?

- Unë jam Xheni, jam kjo që jam, këndoj me shpirt dhe e dua muzikën pa fund. Bukuria fizike është një plus për një këngëtare, por talenti është ai që i diferencon artistët.

- Si i kishe marrëdhëniet me pushimet? Në det apo në mal?

- Oh, me pushimet i kisha marrëdhëniet shumë të mira dhe i ndërthura, edhe në det, edhe në mal sepse i dua

shumë të dy...

- Cilat janë për ty fjalët më të vështira për t’u thënë?

- Nuk e di, nuk e kam menduar ndonjëherë sepse jam njeri që i përzgjedh fjalët, e di se kur duhet thënë apo jo diçka dhe në çfarë situate.

- Në momentet kur të vjen të qash, çfarë i thua vetes për ta ndaluar apo thjesht qan?

- Zakonisht, i përballoj situatat dhe nuk qaj shpesh, por kur është për të qarë, edhe do qajmë ndonjëherë sepse ka edhe momente të tilla në jetë kur thjesht duhet të lëmë veten të lirë.

- Të pëlqen më shumë një ditë me diell apo një ditë me shi?

- Jam tip solar dhe e dua shumë diellin, por dua edhe ditët me shi sepse më frymëzojnë. Ditë të tilla mund të nxjerrin në dritë produkte shumë të mira muzikore.

- Çfarë nuk do të kishe falur kurrë?

- Tradhtinë! Është e pamundur të falet diçka si tradhtia.

- Çfarë bën kur ke kohë të lirë? Me se e mbush?

- Kur kam kohë të lirë, edhe pse kam shumë pak, bëj punë shtëpie sepse si nga Korça që jam, jam nikoqire e mirë.

- Ka diçka që të mungon tani?

- Asgjë, jam shumë mirë kështu siç jam!

- Çfarë mund të të sjellë në mendje kujtimet e fëmijërisë?

- Ah, fotot që kam në shtëpi! Kur i shikoj, e kam të gjithë fëmijërinë përpara syve.

- Çfarë ka më shumë rëndësi në jetë?

- Rëndësi ka të dimë se ku po shkojmë... Nga po vijmë e dimë, por duke qenë se jeta është mister, i duhet lënë kohës gjithçka për ta zbuluar.

- Kujt ke patur dëshirë t’i ngjash kur ke qenë e vogël?

- Oh, më pëlqente shumë Majkëll Xheksoni, për ndjenjën që transmetonte në skenë dhe Selin Dion, për zërin e saj të veçantë dhe melodioz.

- Si mendon, dashuria vjen vetë apo duhet ta kërkosh?

- Mendoj se vjen vetë, por nëse vonohet, duhet ta kërkosh vetë. (Buzëqesh)

- Ku do ta shohim Xhenin në të ardhmen?

- Në planet afatshkurtra, kam shumë plane... (Buzëqesh) Ëndërroj të këndoj në skenën e ëndrrave të mia... Pastaj, janë planet afatgjata, që vitet e ardhshme dua të më gjejnë me një familje të bukur, por pa lënë muzikën mënjanë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.