Julian Gjojdeshi, një tenor te Kënga Magjike:

Do të më votojnë kolegët!

Intervista - - FAQE 1 -

Julian Gjojdeshi mund të jetë një emër i ri në muzikën e lehtë shqiptare, por eksperiencat e tij në muzikën operistike tregojnë për një 29 vjeçar me një karrierë mbresëlënëse. I vendosur për të qëndruar larg gjesteve të bujshme që thërrasin me të madhe “Ja ku jam”, Juliani zgjedh që këtë ta bëjë vetë vokali dhe talenti i tij. Ja, pse, kënga me të cilën konkurron në Kënga Magjike, një ndërthurje midis klasikes dhe modernes, na e tërhoqi vëmendjen të gjithëve. Por, pse vendosi të dilte nga ajo “bota e vogël” e operas, pse e shikon veten si fitues të mundshëm, si dhe shumë pse të tjera, na i thotë Juliani më poshtë...

Alma Buci: - Nuk ndodh shpesh që një tenor të marrë pjesë në një festival të muzikës së lehtë. Çfarë të solli te Kënga Magjike, Julian?

Julian Gjojdeshi: - Është e vërtetë që mund të jetë diçka e rrallë, por unë mendoj që mund të jetë edhe diçka interesante që një tenor mund të bëjë dy zhanre.

- Sigurisht, kjo është dhe arsyeja që po flasim tani bashkë… Jam kurioze të di, pse zgjodhe klasiken?

- Sepse në Akademinë e Arteve ka vetëm muzikë klasike dhe nëse bëhesh një student i kantos, patjetër që do të studiosh muzikë klasike. Në fakt, kam bërë mirë sepse klasikja është baza dhe të ndihmon edhe për modernen.

- Ke bërë vetëm muzikë klasike deri në momentin e shfaqjes në Kënga Magjike, apo jo?

- Dueti me Kastriot Tushën “Për hir të dashurisë”, ishte deri diku nga muzika e lehtë, por ka patur edhe ndonjë rast tjetër kur kam kënduar muzikë të lehtë. Megjithatë, kryesisht kam kënduar si solist në opera brenda dhe jashtë vendit, si tenor në disa shtete.

Nga koncertet do të veçoja koncertin recital në Akademinë e Arteve kur isha student, koncertin në Malin e Zi, atë në Itali, në Gjermani. Koncert gala për nder të Nënë Terezës. Koncertin gala “Tre Tenorët” që zhvillohet çdo vit. Çdo fundvit kam qenë në ballon gala që bëhet me rastin e mbylljes së vitit, ku kam interpretuar arie të ndryshme. Në të gjitha kam qenë solist kryesor se të tjera dytësore ka akoma më shumë. Po ashtu, në periudhën që kam qenë student, kam bërë masterclas me emra të mëdhenj të skenës operistike si Carmen Gonzales, Enzo Tei, Vito Bruneti, Claudio Dezderi etj., përvec pedagogut tim Gaqo Çako i cili ka bërë punën më të madhe tek une sepse ka qenë pedagogu im për 4 vjet.

- Inva Mula, Kastriot Tusha Saimir Pirgu, Josif Gjipali, që të gjithë emra me peshë në këtë fushë, çfarë kanë të përbashkët për ty?

- Talentin e jashtëzakonshëm, falë të cilit na kanë përfaqësuar denjësisht. Janë ambasadorët tanë në botë dhe duhet të krenohemi me ta.

- Cila është e bukura e punës tënde, Julian? Çfarë shijon më së shumti?

- Mundohem që në profesionin tim të shijoj çdo moment dhe çdo detaj sepse unë jam duke bërë atë që kam ëndërruar që i vogël dhe kur njeriu gjen në jetë profesionin që e bën me shumë dëshirë dhe pasion, është gjëja më e bukur. Bashkëpunimi me kolegë dhe emocioni pas skene dhe në skenë, është i papërshkrueshëm.

- Sa e favorshme dhe sa shpërblyese është të jesh këngëtar lirik në Shqipëri?

- Është shumë domethënëse sepse është arti më i vështirë që ekziston në botë është pikërisht opera, kurse shpërblimi monetar është pak dobët. Edhe pse është arti më i vështirë, është më pak i paguari.

bukur- Cili që ështëke marrë komplimentipas skenës?më i

çdo - “Je drejtimnjë artist dhe i me kompletuarnjë vokal në madhështor”.

- 3 shfaqje që duhen parë patjetër, sipas teje...

- Çdo shfaqje e operës të emocionon, por mund të veçoja operën “Tosca”, “Traviata”, “Madam Buterfly” etj.

- Gabimi që nuk do të duhej të bënte dikush në “botën tuaj”?

- Nuk duhet të marrësh përsipër të këndosh opera ose pjesë që nuk përshtaten për vokalin dhe për mundësitë fizike të këngëtarit.

- Roli më i vështirë...

- Vështirë të përgjigjesh sepse në opera çdo gjë është e vështirë dhe çdo operë kërkon impejim maksimal për ta interpretuar. Janë shumë...

- Sa kohë merr përgatitja për një pjesë?

- Varet nga aftësitë e çdo këngëtari për ta përvetësuar partiturën, por

nëse pretendon të bësh diçka dinjitoze, me gjithë vënien regjisoriale në skenë, do të paktën 1 muaj e gjysmë ose 2 muaj punë.

- Nëse do të duhej ta përshkruaje dashurinë me një opera, cila do të ishte ajo?

- Mendoj se opera “La Boheme”, por fundet e operave në përgjithësi janë tragjike, njëri vdes, kështu që ne shpresojmë të mos ketë nga ato fundet e operave. (Buzëqesh)

- Po nëse femrën e krahasojmë me një opera, si vjen ajo në përfytyrimin tënd?

- Me të gjitha hiret e saj, me egërsinë e saj, me lajkat e saj, me bukurinë e saj absolute.

- E ke gjetur një “opera” të tillë?

- Këtë pjesë le ta lëmë private më mirë. (Qesh)

- Edhe nëse atje jashtë mund të jetë ndonjëra që do të dijë më tepër?

- Që sot do të nis të kërkoj një femër që mund ta ketë emrin e saj të vërtetë Opera dhe do ta studioj me detaje. Kështu, mbase dashurohem me të. (Buzëqesh)

- Si dashuron një tenor?

- Tenorët, në fakt, në skenë, janë përgjithësisht dashnorët më perfektë dhe gjithmonë kanë atë rolin e djalit pas të cilit dashurohen soprano, por mund të them që edhe jashtë skene, tenorët kanë qenë historikisht Don Zhuanë.

- Le t’i lëmë pak tenorët dhe të flasim për ty… Si dashuron Juliani?

- Edhe unë jam tenor. (Buzëqesh)

- Jashtë figurës së artistit, poshtë “rrobave” të një tenori, kush është Juliani? Pasione të tjera të tuat, interesa të tjera...

- Në jetën e përditshme jam shumë sportiv, më pëlqen të kaloj kohë me shoqërinë. Pasion kam aktrimin, më pëlqejnë filmat, teatri. Kur kam kohë, merrem edhe me palestër.

- Si është një ditë e zakonshme

e jotja nga mëngjesi deri në mbrëmje?

- Ditët e mia nuk janë njësoj, por nëse flasim për një ditë të zakonshme, ajo nis me zgjimin rreth orës 7 të mëngjesit ku pasi kryej ritualet e përditshme dhe të zakonshmet, futem në internet të shoh çfarë ndodh në Facebook dhe në të gjithë botën, vishem, dal dhe takimi i parë është me kolegët e operës, pi një kafe dhe futem në opera për të studiuar pjesën që do të më duhet, punoj me vokalin deri nga dreka dhe më pas konsumoj ose drekën e mamasë në shtëpi, ose dal me shoqërinë. Mbasditja kalon zakonisht në palestër ose me ndonjë lojë futboll me shoqërinë. Darka: Ose kinema, ose teatër sepse shkoj shpesh, ose lexoj ndonjë libër dhe rreth orës 12 të natës fle.

- Me çfarë mendimi bie të flesh?

- Ja, të mbaroj ditën… (Qesh)

- Diçka që të mungon?

- Gjumi sepse shpesh bëj dhe jetë nate nëpër clube me muzikë live...

- Jeta e natës, përveçse me argëtimin, shoqërohet edhe me flirtin, aventurën... Ndër të tjera, ndodh edhe të flirtosh?

- Jeta e natës i pranon të gjitha, por qëllimi kryesor është të argëtohemi dhe për të tjerat, ia lëmë çfarë të rezervojë nata.

- Një çast lumturie së fundmi?

- Kur pashë veten të performoja

te Kënga Magjike para pak minutash…

- Çfarë pret realisht nga Kënga Magjike?

- Pres që të pëlqehet kënga e pastaj sigurisht që do të doja maksimalen nga ky festival, sepse është një këngë që meriton shumë. Meriton edhe të votohet nga këngëtarët nëse arrin tek ajo fazë. E falënderoj Gent Myftarajn për punën e madhe që ka bërë me këtë këngë dhe stilisten Miranda Dupi që bëri të mundur veshjen time në fazën e parë.

- Çmimi i parë është synimi yt?

- Pse jo? Nëse është kënga që duhet të jetë fituese, le të jetë.

- Më the që të pëlqejnë filmat. Cili është filmi që të frymëzon sa herë që e sheh?

- Më ka pëlqyer shumë “Titanik”, “Njeriu me shenjë” e shumë të tjerë.

- Një personazh me të cilin e identifikon veten?

- Xhosh Groban, Majkëll Buble, ose Robi Uilliams.

- Çfarë mendon se ndryshon me kohën te njeriu?

- Po përveç rrudhave, mendoj se ndryshon shumë mënyra e të parit të jetës, familjes. Në fakt, nuk di të them shumë sepse unë shumë etapa nuk i kam kaluar akoma. (Buzëqesh)

- Mendon se ka një moshë të caktuar për gjithçka, për dashurinë, familjen, formimin, arritjet?

- Unë mendoj se kur kalon të 50tat duhet të kesh arritur shumë gjëra, por gjithsesi, derisa të ndahemi nga kjo jetë, mendoj se ka për të rregulluar dhe për të shijuar.

- Një talent tjetër, veç këngës...

- Të luaj futboll.

- Muzika është zgjedhja jote e vetme?

- Unë kam studiuar për muzikë kështu që profesioni im i parë është muzika.

- Çfarë duhet të presim tani nga ti? Cili është synimi yt i radhës?

- Të performoj në skenat jashtë dhe brenda Shqipërisë, opera, festivale dhe klipe.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.