Më morën 3000 euro për një punë në shtet!

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues! Historia që do t’ju tregoj, ndryshon nga historitë që mund të keni lexuar në këtë gazetë. Është histori personale dhe nuk ka të bëjë shumë me dashurinë e tradhtirat, por se si më mashtruan, si u tregova naiv dhe tani mbeta në një gjendje që shumë shpejt do të më çojë drejt depresionit.

Unë jam një burrë 53 vjeç. Në jetë kam patur edhe të mira, por edhe të këqija. Në kohën tonë, kishte dhe ekzistonte dashuria e pastër. Unë u martova pak vonë dhe gruan e mora me shkuesi, por meqenëse ajo ishte pa shkollë dhe e re, e kisha të lehtë të jetoja me të. Ajo ishte një shërbëtore e mirë dhe shumë e urtë. Edhe pse nuk u martua me dashuri me mua, më deshi e nuk i shkonte syri për burrë tjetër. Mirëpo pasi rriti fëmijët, ajo vazhdoi shkollën dhe siç thotë populli, “iu hapën sytë”, filloi të krijonte shoqëri me gra intelektuale dhe ndryshoi tërësisht. Ndryshoi në të mirë të saj, sepse edhe ajo nuk ishte lindur për të shërbyer, por për të jetuar jetën në të gjitha aspektet, por ndryshoi në të keqen time. Ajo kuptoi se nuk duhej t’i përkushtohej me mish e me shpirt familjes e aq më pak, mua, që jetoja si princ, me të gjitha shërbimet. Unë nuk isha mësuar të bëja asnjë nga këto punë dhe kështu, ditët përrallore mbaruan.

Menjëherë pas kësaj, më hoqën nga puna e shtetit dhe u futa në privat. Jeta u vështirësua për familjen time jo vetëm nga ana ekonomike, se rroga ishte më e vogël, por edhe sepse duhej të punoja jashtë orarit e gruaja dyshonte se mos e tradhtoja. Në fakt, më parë unë e tradhtoja e ajo nuk kuptonte asgjë, por ju thashë se ato kohë ajo ishte tjetërsuar, nuk e gënjeje dot më. Tani më duhej një tjetër mënyrë.

Menjëherë më hoqën nga puna sepse nuk rrija jashtë orarit dhe mbeta mes katër rrugëve. Çdo ditë dilja të kërkoja punë, por asgjë. Një ditë takova një shok të shkollës. Ai më premtoi se do të më gjente një punë, madje shumë shpejt. Dhe ashtu ndodhi, nuk më gënjeu. Folëm në telefon dhe ai më tha të takoheshim e të pinim kafe e të sqaroheshim. U takuam.

- Një miku im i familjes të ka gjetur një vend të shkëlqyer në zyrë, ashtu siç ke punuar gjithmonë. - Faleminderit ty. - Mua? Po ç’bëra unë? Ai e gjeti vendin.

Në atë kohë, miku e mori në telefon. Ai fliste me të dhe me gisht bënte “okej” nga unë, që do të thoshte se çdo gjë u rregullua. Kur uli telefonin, më tha:

- Çdo gjë është në rregull. Tani po marr dokumentet e tua dhe pasdite do t’ia jap atij mikut. Nesër ai i çon te drejtori e pasnesër, ti fillon punë.

- Faleminderit, unë do të të jap kafen tënde. Ai nuk tha jo. - Të rregullojmë njëherë drejtorin, pastaj flasim.

- Në rregull - i thashë i emocionuar dhe po kështu isha edhe në shtëpi.

Nuk i tregova gruas sepse nuk kisha patur asnjëherë dëshirë t’ia thoja asaj gjërat e mia. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse ajo u largua nga unë në këtë mënyrë, por nuk e kisha edhe aq shumë problem që të shkonim mirë bashkë. Mjaftonte që ajo ishte gruaja dhe aq.

Të nesërmen më telefonoi shoku. Në fakt, vetëm më çonte zile dhe unë që kisha mbushur telefonin, e merrja.

- Kanë kërkuar 4 mijë euro....

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.