Më rrihte sepse ishte xheloz i sëmurë!

Intervista - - FAQE 1 -

E lexoj këtë rubrikë sepse më pëlqen pa masë, por edhe trishtohem sepse historitë, më së shumti janë të dhimbshme se, për të qenë e sinqertë, kështu ka ardhur jeta: Për shumë njerëz është e trishtë, me dhimbje të vazhdueshme. Jeta ime filloi e këndshme e pa ndonjë trishtim sepse kam patur një familje jo shumë të pasur, por mjaft të dashur. Pasi mbarova gjimnazin, babai mundi nëpërmjet një shokut të tij të siguronte për mua një bursë për kurs infermierie. Dhe, në atë kohë (bëhet fjalë para viteve ’90) ishte mrekulli të ishe infermiere. Edhe kursin e mbarova mirë, por mbi të gjitha kisha zbatuar me shumë korrektësi porosinë më të rëndësishme të mamasë sime: “Kokën lart e sytë poshtë”. Kur u ktheva në shtëpi pasi mbaroi shkolla, dukesha goxha më e rritur jo vetëm nga pamja. Edhe shoqëria me vajza nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë më kishte mësuar shumë gjëra. Fatmirësisht, fillova punë në spitalin e qytetit tim. Megjithëse është spital i vogël, në atë kohë ishte i mirë sepse ishte godinë e re. Në punë me koleget shkoja mirë, sepse shumica më njihnin nga prindërit, pasi si natyrë, nuk jam shumë e gojës. Për dy vjet që isha në punë, vazhdoja të lexoja libra. Më pëlqejnë shumë romanet, të cilat i merrja në bibliotekën e qytetit.

Një nga kolegët e punës ishte një djalë shtatë vjet më i madh se unë kishte lexuar një libër të cilin e kisha lexuar rishtazi dhe duke biseduar për personazhet e librit, filluam goxha më shumë muhabetin. Kështu, fillova t’i tregoja tituj të librave që më kishin pëlqyer më shumë dhe ai i lexonte e kështu ne diskutonim. Shumë shpesh bënim rrugën bashkë edhe me infermiere të tjera dhe bisedat rridhnin lirshëm. Këto lloj diskutimesh i bënim shumë haptazi në punë dhe asgjë nuk binte në sy për keq, sepse mjekët si njerëz intelektualë kënaqeshin që edhe ne infermierët ishim të dashuruar pas librave.

Bisedat e lirshme për librat morën fund sepse Altini një ditë më tha:

- Katerina e romanit është shumë e bukur, po unë të gjitha që ato fjalë të autorit për të, do t’i zgjidhja për ty. Të dua, e dashura ime, të lutem martohu me mua!

Ndërkohë që truri nuk po e përpunonte atë që më tha, edhe nga turpi që më zuri, nuk dija ku të mbaja sytë.

- Të lutem kam kohë që dua të ta them, më thuaj që edhe ty të pëlqej, - ndërkohë në sallën e infermierëve hyri një mjek dhe ai bëri sikur vazhdoi temën për librin që po lexonte.

Pas dy orësh, kur sërish ishim vetë ne të dy, më tha:

- Të shtunën do të jenë prindërit e tu në shtëpi, që të vijë babai im e të të kërkoj dorën zyrtarisht?

- Po, - thashë me gjysmë zëri, - s’di të kenë ndonjë plan.

Dhe e gjithë dita më iku pa e ndier, me trurin që e kisha lëmsh. Si mundej që aq papritur e aq shkoqur të më shprehte dashurinë dhe aq papritur të vendoste të vinte në shtëpi?!

Në shtëpi atë ditë erdhën për vizitë komshiet, siç ishte në atë kohë zakoni që gratë e pallatit mblidheshin herë te njëra e herë të tjetra për të pirë kafenë dhe nuk arrita t’i thoja asgjë mamasë. Edhe truri më ishte bllokuar, bëra ato punët e zakonshme si robot dhe u shtriva shumë shpejt në krevat. Nuk arrita të vija gjumë në sy as atë natë, as të nesërmen. Në punë vazhdonte rutina e përditshme, por shikimi i Arturit sikur më ngrohte shpirtin. Me të vërtetë që filloi të më pëlqente dhe ta krahasoja me personazhet e librave të mi. Ata të librave ishin të vetmit meshkuj që njihja...

E shtuna erdhi shumë shpejt, prindërit e Altinit erdhën dhe prindërit e mi e pritën mirë miqësinë me ta. Ishin familje e rregullt, njerëz punëtorë. E kështu, u fejova për një muaj.

- Të rrimë ca kohë të fejuar, - më tha Altini, - sa të mbarojë ai pallati i ri që ka nisur, se babai im ka një shok në këshill të lagjes e ndoshta përfitojmë të marrim një shtëpi.

Dhe në fakt ashtu ndodhi. Pallati mbaroi dhe ne morëm një hyrje dhomë e kuzhinë. Sapo kishte marrë autorizimin, Altini erdhi më mori në shtëpi gjoja për xhiro.

- Kjo do të jetë parajsa jonë, ti do të më gëzosh me fëmijë, do më gatuash gjëra të mira, e unë do ha jo vetëm ushqimet që do gatuash ti, por do të të ha edhe ty.

Më dha një puthje që edhe sot kur e kujtoj më rrënqethen mishtë, më përqafoi me zjarr e m’u duk sikur do më dilte shpirti. Në fakt, ishte ndër të paktat puthje që më jepte, Altini ishte djalë serioz dhe nuk i pëlqente të më çonte cepave, ...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.