Dua t’i denoncoj shefat se më ofenduan

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje avokat Albani! Unë jam një vajzë që punoj në një Call Center në Tiranë. Në orën 12:00 të datës 07.09.2014 mora turnin e punës e qetë dhe pa asnjë problem. Rreth orës 16:30 del para sallës dhe kërkon vëmendjen e të gjithëve zonja B.I., pas saj zonja L.M. dhe zoti H.E. Ata na u drejtuan duke na thënë: “I. ka harruar telefonin në tualet. Nëse dikush e ka gjetur, ta dorëzojë se pas 10 minutash vjen policia dhe do t’i kontrollojë të gjithë”. Unë u thashë kolegeve që kisha afër: “Shumë mirë kanë bërë, kanë të drejtë që kanë bërë denoncimin dhe kanë marrë nga prokuroria një mandat kontrolli”. Vazhduam punë të qetë. Pas rreth 30 minutash, një tjetër përgjegjëse salle po thërriste një nga një koleget që ta ndiqnin. Mendova se kishte ardhur policia, por të gjitha koleget që ktheheshin, hynin me fytyrë të vrenjtur. Më erdhi edhe mua përgjegjësja e sallës, zonja Z.A., e cila më tha ta ndiqja. Mora të gjitha gjërat e mia personale, çantën, kutinë me mjetet e punës dhe e ndoqa. Te korridori në hyrje të sallës rrinte zonja B.I. Që në momentin që e pashë, e dija se po bënin diçka që nuk kishte kuptim dhe u ndjeva shumë e fyer. Vura çantën në parmak dhe i thashë: “Kontrolloje, hape ti çantën”, për të vërtetuar se nuk kisha të bëja fare me atë vjedhje apo humbje të telefonit. U thashë se “kjo është shkelje ligjore dhe nuk ju lejohet të fusni duart në çantën e punonjësve. Ju nuk jeni personat të cilët kanë të drejtë për ta bërë këtë kontroll”. B.I. dhe R. J. thanë se unë nuk pranoja që t’u bënin kontrollin çantave. Kjo vërteton se ato e kanë bërë gjithçka me dashje për të më fyer dhe krijuar probleme ne ambientin e punës. Megjithatë, ata insistuan dhe për të provuar që nuk isha unë personi që kisha kryer këtë vjedhje, i lejova duke hapur çantën, nxora të gjitha gjërat e mija personale dhe nuk gjetën gjë. Në jetën time nuk jam ndier më e fyer dhe më në pozitë të vështirë se atë ditë! Pasi u ktheva nga kontrolli për në vendin e punës, H.E. më përzuri nga puna. Kjo ishte fyerja më e rëndë që m’u bë, duke qenë se unë gjatë gjithë kohës që punoj pranë kësaj shoqërie, kam treguar korrektësi dhe seriozitet në kryerjen e detyrave të mia të punës. Mbi të gjitha, nuk kam marrë asnjë vërejtje verbale ose me shkrim. U thashë se do t’i çoja në gjykatë për shqetësimin dhe ofendimin që më kishin bërë përpara kolegëve të mi, “nuk keni të drejtë të ushtroni këtë kontroll banal pa praninë e policisë ose prokurorisë”. Hidhet H.E. duke folur me një ton urdhërues dhe të rëndë: “Ik ulu te vendi, bëj çfarë të duash”, më ndoqi deri te vendi i punës duke kaluar dhomën e pushimit deri në sallën tjetër. I thashë: “Mjaft, nuk të lejoj të më trajtosh si kafshë! Kjo që po bëni është e padrejtë dhe jashtëligjshme. U ula në vendin e punës shumë e revoltuar nga sjellja e tij. Njëra nga koleget më thoshte të qetësohesha sepse isha gati në të qarë dhe një tjetër kolege më kapi për qafe duke më thënë që të mos mërzitesha. Fillova punë, por ndihesha vërtet keq dhe kolegët e tjerë më thanë se kisha të drejtë. Jam fyer shumë nga kjo sjellje e drejtuesve të kompanisë, prandaj unë kam dëshirë që t’i drejtohem gjykatës dhe dua të di: Nëse i futem kësaj rruge, a e fitoj gjyqin kundër këtyre personave?

- E nderuar zonjë, fillimisht ju falënderoj shumë që po e bëni problem shqetësimin tuaj për këtë sjellje jo etike, joprofesionale dhe joligjore të drejtuesve të kompanisë ku jeni e punësuar. Ka shumë raste të tilla në kompanitë private, përgjithësisht të mëdha, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Punëmarrësit të cilët janë vendosur në këto vende pune, shpeshherë nuk i kuptojnë detyrat e tyre dhe

Duraj Law Firm Rr. "Kavajës", Pll. "Pienvis", K. 3, No. 11. Tirana-Albania

mendojnë se janë zotuar te vartësit e tyre e mund të bëjnë çfarë të duan me punonjësit që mund t’i kenë në varësi. Ky është një koncept i gabuar. Investitorët e administratorët që kanë këto kompani të mëdha, duhet të bëjnë një përzgjedhje më të kujdesshme të këtyre drejtuesve. Tiparet të cilat duhet të kenë këta drejtues duhet të jenë: Profesionalizmi, korrektësia, etika, zbatimi i rregullores, kodit të punës dhe ligjeve të tjera mbi të cilën mbështetet aktiviteti i këtyre shoqërive tregtare. Në rastin që ju prezantoni, ju këshilloj se kjo që ju po bëni është rruga e duhur. Ju mund t’i drejtoheni gjykatës me kërkesë padi dhe të kërkoni dëmshpërblim për dëmin jopasuror. Si palë paditëse në këtë gjykim do të pretendoni se: “Të paditurit, nëpërmjet veprimeve të tyre dhe deklarimeve që kanë bërë në sy të kolegve të tjerë, më kanë shkaktuar një dëm jopasuror, duke njollosur publikisht emrin dhe personalitetin e tim. Dëmi jopasuror që më është shkaktuar, është kryer me dashje dhe me qëllim të pastër për të më frikësuar mua dhe çdo punëmarrës në këtë shoqëri, ku na trajtojnë si kafshë pune dhe nuk kemi të drejta, por vetëm detyrime. Deklaratat e bëra nga të paditurit në drejtimin tim dhe personalitetin tim janë të pavërteta dhe kanë patur si qëllim cënimin e nderit dhe të dinjitetit. Deklaratat dhe sjelljet e tilla përbëjnë veprime joligjore. Për rrjedhojë ato përbëjnë fyerje për mua si paditese, duke cënuar nderin, personalitetin e mirë që gëzoj dhe shëndetin tim. Në lidhje me dëmin jopasuror që më është sh- kaktuar, të paditurit duhet të detyrohen të paguajnë dëmshpërblimin e kërkuar”.

- Që në preambulën e saj, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, parashikon si një ndër objektivat që synohen të arrihen, ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe garantimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut. Më tej, Pjesa e Parë “Parime themelore” dhe Pjesa e Dytë “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, hedhin bazat për realizimin e këtyre objektivave. Neni 15 i Kushtetutës, përcakton se: Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre”. Pavarësisht kësaj, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nuk janë të pakufizueshme, madje edhe të drejtat dhe liritë vetjake mund t’u nënshtrohen kufizimeve në rrethana të përcaktuara. Është neni 17 i Kushtetutës ai i cili vendos kriteret për kufizimin e tyre, duke ngritur në këtë rast një rezervë të dyfishtë, me natyrë ligjore dhe konvencionale në të njëjtën kohë. Në këtë nen thuhet: “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Nga përmbajtja e kësaj dispozite mund të nxjerrim elementët që duhet të përmbajë filtri i kufizimit të të drejtave dhe lirive themelore. Së pari, kufizimi mund të bëhet vetëm me ligj. Së dyti, ai mund të bëhet vetëm për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të

tjerëve. Së treti, kufizimi duhet të jetë proporcional me gjendjen qe e ka diktuar. Së katërti, ky kufizim nuk duhet të cënojë thelbin e këtyre lirive e të drejtave dhe së pesti, nuk duhet të tejkalojë marzhin e kufizimit të përcaktuar nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (lexo: Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Pasi të jenë respektuar këto kritere, kufizimet mund të zbatohen ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Liria e shprehjes, e parashikuar në nenin 22 të Kushtetutës, “... është një nga shtyllat e shoqërisë demokratike, bazë për zhvillimin e saj dhe kusht për vetë realizimin e individit… Ajo nuk mund të përfshijë vetëm informacionet dhe opinionet e perceptuara pozitivisht, ose të kon- sideruara si të padëmshme, apo indiferente, por edhe të tilla që fyejnë, turbullojnë, apo që janë shqetësim për shtetin ose për një grup të caktuar të shoqërisë. Të tilla janë kriteret e pluralizmit, të tolerancës dhe të hapjes, pa të cilat një shoqëri demokratike nuk mund të ekzistojë” (shih vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar). Përfundimisht, mund t’i kërkoni gjykatës për këtë dëm që personat të kanë shkaktuar të paguajnë një vlerë monetare e cila duhet të jetë në proporcion me dëmin që ju kanë shkaktuar të paditurit. Studio Ligjore “Duraj” ka përvojë në këto çështje. Nëse jeni e interesuar të ndiqni rrugën gjyqësore, jeni e mirëpritur!

Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.