A mund t’i transferoj studimet e mia në Itali?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Quhem Besa dhe po ju shkruaj sepse jam e interesuar për një informacion në lidhje me studimet. Së pari, dua të di për degën e Arkitekturës në Itali. Theksoj se unë studioj në Universitetin e Tiranës për degën Arkitekturë. Së dyti, kam dëshirë t’i transferoj studimet e mia në Itali, pasi sapo mbarova vitin e parë. A është e mundur kjo?

- Përshëndetje Besa! Së pari, dua të theksoj se vitin që kaloi, Ministria Italiane e Arsimit nxori një vendim që studentët e Arkitekturës ta jepnin provimin e pranimit në universitete italiane në muajin shkurt. Kjo gjë ishte ndryshe nga vitet e tjera dhe i gjeti në befasi studentët shqiptarë pasi ndër vite, konkursi i pranimit në Itali është dhënë në muajin shtator. Ata studentë shqiptarë që nuk ishin në dijeni dhe të informuar për këtë ndryshim të papritur, e kanë humbur mundësinë për të aplikuar në kohën e duhur. Prandaj ju sugjeroj që herë pas here të kontrolloni në sitin e ambasadës italiane për njoftime të reja që azhornohen nga muaji në muaj në lidhje me temën e studimeve. Në rastin tjetër, mund të na kontaktoni neve për t’ju mbajtur të informuar me të rejat më të fundit.

- Përsa i përket pyetjes së dytë, universitetet tona shtetërore nuk kanë bërë binjakëzime me universitete përkatëse italiane, prandaj është i vështirë ky transferim, megjithatë shkruajini një email universitetit italian ku doni të transferoheni nëse kanë mundësi t’ju pranojnë apo jo. Ndryshe, ju këshilloj të prisni të mbaroni edhe vitin e tretë këtu, sa të diplomoheni dhe aplikoni më pas për masterin. Ju falënderoj dhe ju mirëpres me pyetje të tjera.

Beskida ALIAJ, koordinatore “INAS–ALBANIA”:

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.