Astrit Hafizi: Serbët na pŕenë në besë!

Intervista - - FAQE 1 -

Pas 31 vitesh me të njëjtën partnere, ish-trajnerin e Kombëtares Shqiptare, Astrit Hafizin, e kanë “detyruar” që ta ndërrojë atë. Partnerja e tij e re është bukuroshja Ilda Bejleri, të cilën e kemi parë në ekranin e SuperSport. Ky është edhe i vetmi çift sportiv, pjesë e spektaklit të së hënës mbrëma në TV Klan, “Dance vvith me”. Astritit i ka ardhur krejt e papritur ftesa për të qenë pjesë e një spektkali të tillë dhe tashmë, ai si një Fred Aster, nuk vrapon në fushën e blertë, por përkëdhel pistën e vallëzimit, pa top në këmbë... Veshur me tuta dhe atlete, e takoj Astritin në vendin e krimit, pikërisht në pistën e vallëzimit (atë të provave), ku bashkë me Albi Nakon dhe trupën e tij, janë duke bërë prova. Shumë i disiplinuar, Astriti pret të ketë çastet e tij të pushimit që të shkëputet për intervistën. Dhe, ja ku fillojmë..

Enkeleda Kurcani: - Astrit, nuk t’u ndanë stërvitjet gjithë jetën. Si të duket stërvitja në “Dance vvith me”?

Astrit Hafizi: - Kisha menduar se do të ishte shumë e lehtë, por nuk ishte ashtu. Kisha menduar se mjafton dëshira, të kesh pak vesh muzike e pastaj, futesh në ritëm dhe bëhet më e lehtë. E mendoja se do të isha pak a shumë si në dasma, ku unë kam kërcyer vazhdimisht, por koreografia është komplet tjetër gjë dhe këtë e pashë në këtë periudhe 5 mujore, qëkur kemi filluar provat me Albi Nakon dhe trupën e tij të baletit. Shumë gjëra i provova vetë dhe pashë se ishte e vështirë. Madje, në fillim edhe u tremba, e mendova të papërballueshme, por me kalimin e kohës, u ambientova. E vura re që trupin tim ma kishin zili shumë njerëz, sigurisht, për moshën që kam sepse në moshën time, burrat fillojnë e shëndoshen, vënë edhe bark. Mua më ndihmon shumë edhe puna që bëj me fëmijët, pasi bëj stërvitje me ta, ndaj isha në formë kur erdha, por edhe këtu i kam humbur disa kile.

- Bëre rezistencë apo e pranove me të parën propozimin që të erdhi nga Grabocka?

- Të them të drejtën, rezistenca ime ishte e menjëhershme. Isha për “jo”, pasi ishte diçka shumë e papritur për mua, por qenë disa arsye që më bindën; bisedat e Verës dhe koha që kam, pasi po të kisha një impenjim tjetër, nuk do ta kisha bërë. Nga ana tjetër, Vera Grabocka e kishte marrë informacionin për mua dhe nuk kisha si t` i shmangesha. Ajo e dinte që unë kërcej! Duhet të jetë ndonjë i afërt i imi, njerëz të artit që më kanë parë duke kërcyer në momente të ndryshme dhe kanë bërë lidhjen. Kështu pra, nuk e pranova menjëherë, por pastaj ramë dakord. Edhe bashkëshortja ishte dakord. Ajo e dinte që unë e kam pasion, pasi e kemi treguar të dy bashkë gjithë këto vite talentin tonë në kërcim. Vlerësova të gjitha këto dhe thashë: “Ta provoj edhe unë se deri ku mund të shkoj!”.

- Pak fjalë, për Ildën…

- Edhe Ildën e kam pasur një lloj sigurie. Ardhja e saj në këtë spektakël më bëri edhe mua më të ndjeshëm. Ndjeshmëria vjen me një njeri që e njeh prej disa vjetësh, pasi ne kemi shumë vite që punojmë bashkë në Supersport. Pra, kur e mora vesh që do të ishte Ilda partnere, pata edhe një herë më shumë bindjen që të vazhdoja. Kur ke partnere në kërcim një njeri që e njeh, që kërcen pa komplekse, ke një lloj lirshmërie. Kërcimi e do një lidhje apo një lloj kimie, siç thuhet tani. Të gjitha këto kanë ndikuar që të jemi një çift i mirë dhe unë jam i kënaqur me partneren time.

- Po të mos kishte qenë Ilda, kush mund të ishte?

- Nuk e di, këto janë zgjedhjet e stafit të spektaklit. Edhe vetë formati i këtij programi është që të jenë dy personazhe publikë. Nuk e kam menduar vetë ndonjëherë se kë mund të kisha pasur partnere.

- Keni realizuar padjeshka? Arrin ta ngresh Ildën?

- Deri tani, nuk e kemi provuar. Jemi drejt natës së katërt që prej fillimit të spektaklit e ndoshta mund të na vijë radha edhe neve për padjeshka. Besoj se Albi i ndërton koreografitë edhe duke na parë; ai e di edhe se deri ku mund të shkojë secili prej nesh.

- Po me partneren në jetë, sa të shpeshta i keni pasur vallëzimet?

- Mjaft kemi kërcyer... Kemi 31 vite martesë, kështu që kërcimet tona kanë qenë të panumërta. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me vitet, por me pasionin dhe dëshirën për të kërcyer. Sigurisht që nuk kemi kërcyer tango apo vals, por kemi kërcyer kryesisht këngët popullore. Ato janë më të shpeshta edhe në sebepe e gëzime familjare. Tani po i mësoj hapat dhe koreografitë e disiplinave të ndryshme të kërcimit e do t’ia transmetoj edhe bashkëshortes, meqë kohët e fundit, për shkak të impenjimeve, nuk kemi

kërcyer edhe aq shumë.

- Keni filluar të bëni prova në shtëpi për ndonjë tango, apo është shumë herët?

- Është shumë herët. Ajo më ka lënë që ta kryej këtë aktivitet një herë, pastaj do ta gjej kohën dhe mundësinë që të bëjmë prova. Edhe bashkëshortja, Nimfa, ka impenjimet e veta dhe ndodh që të mos gjendedmi në shtëpi me njëri-tjetrin të dy. Por, natën e dymbëdhjetë mbaron spektakli dhe netët në vazhdim, natën e trembëdhjetë, atë të katërmbëdhjetë, etj., do t‘i kërcej me gruan...

- Kërcimi kërkon pasion, por edhe të jep pasion. Besoj se mund të të shkundë pak nga rutina e përditshme. Ta ka bërë ditën më të bukur?

- Patjetër. Dashje padashje, vëmendja të spostohet dhe kalon te kërcimi. Je më i hapur, më i qeshur, më aktiv, më optimist, më i gjallë. Kanë kaluar 5 muaj dhe na mbeten edhe 2 muaj deri në fund të spektaklit, të cilat i kam shijuar shumë. Njerëzit paguajnë për të marrë mësime të tilla kërcimi, kurse unë e kam falas. Duhet ta falënderoj Albi Nakon për punën e tij të shkëlqyer. Tani mund ta them se këtu kam mësuar të kërcej, se kërcimi im ka qenë amatoresk.

- Cila nga disiplinat e kërcimit të ka shijuar më shumë?

- Deri tani, kemi kërcyer ato që janë parë gjatë spektaklit. Është shpejt të them një të preferuar, sepse mund të kem edhe më të bukura në javët në vazhdim, por deri tani, më kanë pëlqyer të gjitha,

secila në formën e saj.

- Ke një këngë tënden që të pëlqen ta kërcesh?

- Jo, nuk kam fiksim ndonjë këngë që duhet ta kërcej, por Uitni Juston më ka pëlqyer gjithnjë; do ishte bukur të kërceja ndonjë këngë të sajën.

- Je në rivalitet me ndonjërin

prej konkurrentëve apo kërcen thjesht për qejfin tënd?

- Unë e kam marrë këtë sfidë me veten dhe për veten. Dua ta shijoj, të argëtohem dhe nuk e shikoj me atë syrin se cili çift është konkurrenti im. Për më tepër që janë të gjithë njerëz shumë të mirë dhe nuk bëj rivalitet me asnjë. Unë e ndjej veten mirë pas një performance të mirë dhe e shijoj bashkë me Ildën.

- Një ndër netët, Nora Istrefi është shprehur se nuk duhen dhënë vlerësimet sipas moshës, por sipas zotësisë. Si t‘u duk kjo shprehja?

- Unë këto gjëra i marr me shumë sportivitet. Nora vetë është artiste, këngëtare shumë e njohur. Nuk është se u preka shumë, pasi në atë moment duhet të prekeshin edhe Sabri Fejzullahu, Marjana Kondi... Por, nuk kam pse të mbetem i prekur, unë nuk është se kam fituar ndonjë natë aty. Nuk më është bërë ndonjë favorizim mua, pra, nuk kam marrë vlerësime

nga juria për shkak të moshës. Në këtë spektakël mund të kërcejë dhe kërcen çdo lloj moshe. Pra, fjalën e Norës, e shikoj një batutë të momentit, të çastit, pasi i kemi marrëdhëniet mjaft të mira.

- Kë shikon ti si balerinin më të mirë aty? Kush e meriton fitoren?

- Nuk e di, sepse kanë kaluiar vetëm tri javë dhe është shumë shpejt. Ilda kërcen mirë, Olta Boka, Xhensila Myrtezaj, Zajmina Vasjari, Nora Istrefi...

- Po... përmende vetëm emrat e femrave!

- Epo, ato bien më shumë në sy gjatë kërcimeve... Edhe partnerët e tyre, mirë janë.

- Robert Aliaj tashmë njihet për komentet e tij trasgresive. Ke rënë pre e ndonjë komenti të tij?

- Bertin e kam njohur nëpërmjet ekranit. Kur e kam takuar personalisht, më ka dhënë përshtypjen se në skenë është ndryshe dhe jashtë saj, është ndryshe. Ato që më thotë ia marr si batutë, se i tillë është edhe pozicioni i tij në spektakël, ai nuk është specialist i kërcimeve. Një herë, pas një performance tonës, më tha: “E ke kërcyer si vallet shkodrane”. Por, ai harron se nuk ka valle shkodrane, ne kemi ahengun shkodran, por jo valle. I doli huq batuta! Si duket e kuptoi më vonë, sepse nuk e përmendi më.

- Nuk mund të të shkëpus fare nga sporti, Astrit. Si do ta komentoje atë që ndodhi në stadiumin “Partizan” në Beograd, në

ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë?

- Nga veprimet që u kryen, serbët treguan një urrejtje shumë të madhe ndaj kombit tonë, madje më shumë sesa e kemi ne ndaj atyre. Qëndrimi që mbajtën lojatrët tanë më ka pëlqyer shumë, m‘u duk patriotik edhe burrëror. Ata duhen marrë si shembull dhe duhen vlerësuar. Unë e kam provuar rëndësinë dhe përgjegjësinë e flamurit shqiptar, e di çfarë do të thotë të kontribuosh për vendin dhe të jesh një krye të grupi të tillë përfaqësues. Ndjenja patriotike rritet më shumë kur je përballë një flamuri tjeter, kjo në aspektin sportiv, pra, të jep më shumë forcë, dëshirë për të fituar. Ne ishim vetëm në Beograd, ishim të ftuar dhe serbët na prenë në besë, na prenë në besë në shtëpinë e tyre. Ne shqiptarët nuk e kemi zakon këtë, ne edhe armikun e kemi pritur e nuk kemi bërë thikë pas shpine. Ata, na prenë në besë!

- Nëse do të kishe qenë në Beograd si trajner i Kombëtares sonë, si do ta kishe menaxhuar situatën?

- Nuk do të kisha bërë asgjë më tepër sesa kanë bërë ata.

- A mendoni se De Biazi e përballoi mirë situatën?

- Mjaft mirë e përballoi, për një trajner të huaj është shumë e vështirë. Por, edhe eksperienca prej kaq kohësh në Shqipëri, atij i ka bërë mirë; është bërë pjesë e grupit.

- Shqipëria tashmë kryeson grupin. Besoni se mund të kualifikohemi?

- Duhet të bazohemi te forca si ekip... Deri në këto momente, gjërat kanë shkuar mirë, por duhet të presim edhe vendimin e UEFAs. Nëse ngjarja do të jetë në favorin tonë, pse të mos arrijmë të shkojmë atje ku kemi ëndërruar prej vitesh?!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.