Burri im më kërkoi të zë të dashur

Intervista - - FAQE 1 - (Vijon numrin e ardhshëm)

Të nderuar botues të gazetës “Intervista” dhe ju lexues. Po marr guximin të shkruaj historinë e jetës sime, pasi lexova shkrimin me titull “U martova edhe pse isha impotent”. Them “po marr guximin”, për shumë arsye: E para, sepse mendoj se ndonjëherë kam turp edhe nga vetja që pranova të jetoja me këto kushte dhe e dyta, për arsye anonimiteti. Po me keqardhje po vërej se paska dhe të tjerë që paskan probleme të përafërta me të miat. Nuk është se më gëzon fakti që ka edhe çifte të tjera me probleme, por në njëfarë mënyre them se do të gjej kurajon të përballem me personat që më rrethojnë.

Jam 32 vjeçe dhe kam një punë shumë të mirë. U dashurova kur isha 25 vjeçe. E kalova moshën e adoleshencës dhe kohën kur isha në fakultet mbi libra. Pasi u ktheva në qyetin tim të vogël fillova punë dhe isha mirë, puna nuk më lodhte, marrëdhëniet më familjen i kisha të mira për disa arsye. Isha natyrë e qetë, e dhënë pas librave, jam simpatike, kështu që prindërit e mi nuk e kishin me shumë merak martesën time.

- Është e zgjuar, do të dijë të zgjedhë, - thoshte babai, por fatit nuk i dihet asnjëherë.

Në verën pasi kisha bërë një vit shkollë, do martohej një kushërira ime dhe ne ishim të ftuar në dasmë. Shkuam unë dhe babai, sepse mamaja në atë periudhë ishte në Itali te motra (ajo sapo kishte lindur vajzën fëmijën e dytë). Sapo ishte hequr regjimi i vizave dhe shyqyr mamaja do të shikonte se ku jetonte dhe si jetonte motra.

Unë me babain, pasi u krekosëm si për dasmë, arritëm në lokalin ku ishte darka. Kushërira ime, duke qenë se ishte pothuajse moshatare me mua, më kishte zgjedhur si shoqëruese të sajën, kështu që edhe veshja me shumë lloje fustanesh, të them të drejtën, m’i nxori në pah gjithë hiret e mia. Në dasëm kishte goxha njerëz dhe shumica ishin rini. Ishte me të vërtetë dasmë alegro. Kërceva sa filluan të më dhimbnin këmbët, me kushërinj e njerëz që nuk i njihja, por gjithsesi, isha në një ambient të njohur. Sytë më mbetën te një djalë shumë i bukur, i hollë, i gjatë, i veshur shik, që kërcente shumë bukur. E vura re që edhe atij i pëlqeva se sillej e sillej dhe vinte e kërcente me mua. Aty nga fundi i dasmës, si djalë i shkathët që ishte, gjeti mënyrën dhe më dha numrin e tij të telefonit.

Sigurisht që e pranova me kënaqësi. Nuk isha ndier kurrë kështu. Kisha shkuar edhe në dasma të tjera, kisha kërcyer edhe me djem të tjerë, por nuk isha ndier kurrë kaq mirë. Po mbyllej dasma dhe kushërira ime më tërhoqi me sebepin që ta ndihmoja me fustanin. Pasi u larguam pak nga muzika, më tha:

- Djali më i bukur i dasmës, pyeti për ty. E kam kushëri nga mamaja, kështu që mos ki frikë, ju të dy nuk jeni kushërinj. Është djalë shumë i mirë, i urtë, do ta shohësh, do të shkojë mirë. Të uroj shumë fat, motra ime, - më përqafoi dhe u kthyem sërish në qendër të vëmendjes, duke kërcyer.

Dy ditë pas dasmës, u mendova e shkrova, e rishkrova dhe e fshiva disa herë mesazhin që doja t’i nisja Klajdit. S’po dija ç’të shkruaja, si t’ia filloja e të tjera kështu. Më në fund, mora guximin dhe e mora në telefon.

- Po, urdhëroni, - dëgjova një zë shumë të ëmbël nga ana tjetër e telefonit. Edhe zëri ishte i ëmbël, i dashur e përshtatej me pamjen.

- Jam Dona, - i thashë – jemi takuar të shtunën në darkë, në dasmën e Lilit.

- Oh, sa mirë që më more! Në fakt, fillova t’i humbja shpresat se do të më merrje. Po, mirë je?

- Po përpiqem të marr veten nga lodhja e dasmës.. Në fakt, mund të të kisha telefonuar se nuk është ndonjë lodhje e madhe, po as nuk dija se ç’të të thoja, - i thashë.

- Më vjen mirë që je kaq e sinqertë. Atëhere, nesër unë do jem për një inspektim në qytetin tënd. Ke mundësi të pish kafe me mua? – më zuri gafil kjo pyetje.

- Po do të mundohem, besoj nuk do kem problem të marr leje në punë! - i thashë.

- Atëhere do të të marr sapo të arrijmë, që të të them që arrita dhe sapo të mbaroj edhe unë atë inspektimin tim, se nuk do ta zgjas shumë, të marr që të vendosim se ku mund të ulemi për kafen. Zgjidhe ti vendin se ku, vetëm më thuaj që ta gjej, se nuk orientohem shumë mirë atje unë.

- Dakord, - thashë, – atëhere, mirutakofshim nesër.

Ankthi që më kapi pasi mbylla telefonin ishte më i madh se ai që kisha para se t’i telefonoja. Nata mezi u zvarrit, orët e para në punë i kalova duke luajtur në kompjuter. Telefoni ra dhe ai më tha:

- Mirëmëngjes. Unë arrita dhe mendoj se për një orë e gjysëm mbaroj. Ku do ta pimë atë kafen?

Pasi i dhashë emrin e lokalit, e sqarova për rrugën se nga do kalonte dhe në orën 11.30, kur e kishim lënë, mbërrita te kafja. Sigurisht, kishte mbërritur para meje, dhe... dukej edhe më i bukur se të shtunën në dasmë. Më ikën edhe ato pesë fjalë që kisha menduar se mund të flisja, aq u hutova.

Pasi u ula në tavolinë, ai, jo vetëm që më mbajti me muhabet, por edhe u kënaqëm. Në fund, kur do të ngriheshim, m’u duk sikur e njihja prej vitesh. Kështu, ai filloi vinte një herë në javë e rrinim në kafe gjithmonë e më shumë. Telefoni tashmë ishte bërë mjeti që e mbaja më shumë në dorë. Gjithë kohën, i shkruanim mesazhe njëri-tjetrit, flisnim darkave me orë të tëra.

Pas pak më shumë se tre muajsh që takoheshim, Klajdi më tha se do bënim mirë sikur t’u tregonim prindërve për shoqërinë tonë. Pasi të takoheshin edhe prindërit tanë, do të vendosnim se çfarë do të bënim. Pasi u takuan prindërit tanë, pasi u pyetën se nga ishin e si ishin që të mos ishim kushërinj, ne vendosëm të shpallnim fejesën. Prindërit e mi u lumturuan sepse ...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.