Bateritë e reja, mund të na kursejnë naftën!

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Shkencëtarët thonë se bateria e një telefoni mund të karikohet për vetëm 2 minuta dhe kjo gjë do të revolucionarizojë smartphone-t dhe makinat elektrike. Kjo do të ishte ëndrra e çdo njeriu që zotëron një smartphone. Studiuesit në Singapor thanë se këto bateri super të shpejta, mund të karikohen në masën 70% për vetëm dy minuta. Ato gjithashtu do të kenë një jetëgjatësi 10 herë më shumë se bateritë aktuale, të cilat me kalimin e kohës, nuk e mbajnë gjatë karikimin e tyre.

Shkencëtarët e Universitetit Nanyang Technology (NTU) thonë se zbulimi i tyre do të ndikojë në shumë industri, sidomos në atë të makinave elektrike, ku konsumatorët stepen nga koha e gjatë e karikimit dhe jetëgjatësia e kufizuar e baterive. Drejtuesit e makinave elektrike do të jenë të aftë t’i japin makinës me vetëm 5 minuta karikim, aq sa nevojitet për të mbushur me naftë makinat aktuale. Gjithashtu mund të pakësohet ndotja e mjedisit nga prodhimi i baterive, sepse këto bateri të reja do të kenë 10 herë më shumë jetëgjatësi sesa ato aktuale, prej litiumi.

Bateritë normale prej litiumi përdoren tani në celularë, tableta e makina elektrike dhe kanë një jetëgjatësi prej 500 ciklesh karikimi. Kjo është e barabartë me 2-3 vjet përdorimi, ku çdo cikël kërkon afro 2 orë për karikimin total të baterisë. Në baterinë e shpikur prej NTU, grafiti tradicional i përdorur për polin negativ (anodën) në bateritë me litium është zëvendësuar me një material të ri prej xheli, të përbërë nga dioksidi i titaniumit. Ky i fundit është një material i bollshëm, i lirë dhe i sigurtë, që gjendet në tokë. Ai përdoret shpesh në ushqime, ose në kremrat kundër diellit, sepse thith rrezet e dëmshme ultravjollcë. Ai gjendet në formë sferike, por ekipi i NTU-së ka gjetur një mënyrë për ta transformuar në nantotuba të vegjël, të cilët janë një mijë herë më të hollë se diametri i flokut të njeriut.

Kjo gjë përshpejton reagimin kimik që ndodh në baterinë e re, duke lejuar një karikim shumë të shpejtë. Profesori Çen dhe ekipi i tij do të kërkojë një grant për të prodhuar një prototip baterie të madhe. Kjo teknologji, tani po blihet nga një kompani, për t’u prodhuar. Profesori Çen mendon se batëritë e reja do të hidhen në treg në dy vjetët që vijnë.

Bateria e re me 10 mijë cikle jete do t’i bëjë drejtuesit e makinave elektrike të kursejnë në koston e zëvendësimit të baterisë, që kushton më shumë se 5000 $. Sipas studimeve, tregu global i baterive me litium mendohet të kushtojë afro 23.4 miliardë $ në vitin 2016. Këto bateri, zakonisht, përdorin shtesa për të lidhur elektrodat me anodën, por bateria e re me dioksid titaniumi eliminon nevojën për këto shtesa, gjë që do të thotë se ajo grumbullon më shumë energji në të njëjtën hapësirë.

Prodhimi i këtyre fijeve prej xheli është shumë i lehtë. Dioksidi i titaniumit dhe hidroksidi i natriumit përzihen së bashku në një temperaturë të caktuar, prandaj edhe prodhuesit e baterive do ta kenë të lehtë ta fusin xhelin e ri në proceset e tyre të prodhimit aktual. Profesori i NTU, Rashid Jazami, që ka qenë bashkëshpikës i baterive të litiumit 30 vjet më parë, ka thënë se shpikja e profesor Çenit është hapi tjetër i madh në teknologjinë e baterive. “Ndërkohë që kostoja e baterive me litiumi është reduktuar dukshëm dhe performanca e tyre është përmirësuar, qëkur firma Sony i nxori në treg në vitin 1991, tregu po hapet drejt aplikimeve të reja”, thotë profesor Jazami, që nuk është përfshirë në projektin e kërkimit të profesor Çenit. “Megjithatë ka ende vend për përmirësim dhe një zonë kyç është densiteti i elektricitetit, sa mund të ruhet në një hapësirë të caktuar, gjë që lidhet drejtpërdret me aftësinë për t’u karikuar shpejt. “Idealisht, koha për karikimin e makinave elektrike duhet të jetë më pak se 15 minuta, gjë që e kanë arritur bateritë e profesor Çenit”, ka përfunduar Jazami.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.