Më rrihte sepse ishte xheloz i sëmurë!

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Në fakt, ishte ndër të paktat puthje që më jepte, Altini ishte djalë serioz dhe nuk i pëlqente të më çonte cepave, ...

siç bënin të tjerët. Nuk e di a më pëlqeu shtëpia aq shumë, apo përkëdhjeljet e tij në të gjithë trupin që më kanë mbetur në mendje.

- Do të martohemi shumë shpejt, e dashur, - më tha, - se shtëpia nuk lihet bosh.

Dasma jonë u bë pas një muaji. Dhëndrri ishte shumë i bukur, por unë nuse isha një mrekulli, ndoshta edhe ngaqë nuk kisha vënë kurrë tualet në fytyrë dhe Altini e rrezatonte në fytyrë krenarinë që kishte për mua. Qysh të dielëm fjetëm në shtëpinë tonë të re, megjithëse i mungonin orenditë. Kishim blerë vetëm dhomën e gjumit dhe disa enë kuzhine. Sigurisht që gjithçka më dukej e bukur dhe isha e lumtur. Muajin e mjaltit do ta bënim kur të vinte vera sepse ishte fund prilli koha kur u martuam. Jeta bashkëshortore po na ecte mirë dhe pas një viti e gjysëm, unë mora lejen e lindjes. Ditën e dytë të raportit që isha vetëm në shtëpi, më erdhi në ulërimë nga im shoq. U tremba se nuk isha mësuar të më bërtiste dhe mendoj se nuk më qëlloi vetëm për faktin që isha shtatzënë.

- Dhe ato rrobat mos i nder më në tel kur nuk jam unë në shtëpi, sepse ti del në ballkon sapo del komshiu përballë. Laji pasi të vij unë dhe me dritaren e banjos mbyllur! - më tha.

- Çfarë po thua Altin, kush del, çfarë shoh, për kë e ke fjalën? - Me të vërtetë që nuk po kuptoja, unë isha e lumtur me të dhe as që më kishte shkuar në mendje se mund të kishte mashkull tjetër.

- Po ai idioti që të buzëqesh sa herë del në ballkon? Ju kam parë vetë... - tha dhe mu afrua aq shumë sa m’u duk se do më shqyente vetëm me shikim.

Tha kaq dhe u nis për në punë. Kur erdhi pas pune, ishte më i qetë, hëngri drekë dhe tha që do të pushonte. Shkova në dhomë dhe fillova t’i flas vetë e para që ta bindja se nuk e kisha idenë për ato që më ksihte thënë në mëngjes.

- Nuk dua të të dëgjoj, - më tha, - do ta shohim e vendosim pas një muaji këtë punë.

Filloi ferri im. Një muaj nuk dola, përveç ditën që shkova në maternitet për të lindur. Edhe dy muajt e parë pasi linda vajzën nuk dola sepse ishte ftohtë. Edhe në ballkon dilja vetëm kur ishte ai, por nuk ishte e thënë. Kur njeriu mendon për së prapthi nuk mund ta nndryshosh.

- Pse i ke hapur perdet e trasha, apo që të të shohë dashnori? - më tha.

- Jo, Altin, i vetmi mashkull që dua je ti. Dhe nëse ty të duket vetja që je dashnori im, atëherë vazhdo të jesh apo ta mendosh si të të duket për mbarë.

- Ashtu? - tha dhe di vetëm që më bënë sytë xixa nga goditja. Kjo ishte e qëlluara e parë e tim shoqi, por jo e fundit. Më qëlloi shtatë apo tetë herë nuk e di, por di që m’u morën këmbët. Nuk më kishin rrahur prindërit as në fëmijëri e po më rrihte im shoq. E trembur, e shokuar, e fyer, një dhimbje fizike, por një dhimb- je më e tmerrshme shpirtërore më pushtoi të tërën. Në atë gjendje as mund të flisja, vetëm qaja. Shkova në dhomë dhe mora vajzën sepse po qante. U mundova të qetësohesha dhe po shpresoja se ai do të qetësohej, se do ndryshonte.

Gjendja vazhdoi të acarohej gjithmonë e më shumë. Altini filloi të më qëllonte jo më vetëm me shpulla, por edhe me grushta. E tmerrshme gjithë kjo dhunë! Kisha dëgjuar nga plakat që burri edhe të rreh, por kisha dëgjuar për vitet 1940 dhe jo 1985. Altinin e kishte pushtuar një xhelozi e paparë, apo mos vallë e kishte patur dhe thjesht nuk e kishte shprehur? Kështu durova edhe 8 muaj të tjerë, ndërkohë që dhuna filloi të shpeshtohej. Kishte raste që më rrihte edhe dy herë në ditë, por nuk nxirrja zë se mos më dëgjonin komshinjtë. Te prindërit nuk isha ankuar që të mos ua shtoja problemet e tyre, por një natë gjendja arriti kulmi. Ai e filloi me sharje e ndërsa më afrohej, e kuptova që më mori lumi. Goditjet ishin të tmerrshme në të gjithë trupin, shpulla, grushta e kur u rrëzova, filloi edhe me shkelma. Më në fund, pushoi dhe unë mezi u ngrita. Ai hyri në banjë të freskohej për vete... Helbete, e kishte kapur vapa... Ndërkohë, unë mblodha të gjithë forcat, mora vajzën me gjithë jorgan në krahë e me shapka, ika me vrap në shtëpinë e prindërve. Kalova nga rruga tjetër se mendova se do të më ndiqte e do më kthente mbrapsht me dhunë. Në fakt, ai kishte dalë pas meje për të më kapur, por ndonjëherë fati të ndihmon. Ime më u tmerrua kur më pa. Im atë u tërbua, vëllai im thoshte “do shkoj ta vras”. Më kullonin hundët gjak, më ishte çarë vetulla, trupi më ishte skuqur e nxirë në ca vende. Të nesërmen, babai solli një nga ata të policisë të shihte si isha sepse nuk donte që i gjithë qyteti të merrej me pamjen time të mjerueshme dhe bëri denoncimin e kërkesën time për divorc.

Gjyqi mbaroi pas ca muajsh, vajzën ma lanë mua nën kujdestari. Atë e transferuan me punë në një ambulancë të një fshati afër. Fatmirësisht, nuk e lanë në spitalin e qytetit. Pas ca kohësh më dhanë edhe shtëpi dhe sot jetoj vetëm me mamanë time në atë shtëpi. Vajza u rrit e fatmirësisht, e kishte mendjen për shkollë. Sot punon në një studio arkitekture. Megjithëse pas divorcit jeta më ka ecur e qetë, në punë kam qenë gjithmonë mirë, motrat dhe vëllain i kam patur gjithmonë krah, sa herë bie të fle gjumë, më ushtojnë veshët nga fjalët fyese të ish-burrit tim dhe ajo zhurma e shëmtuar e gjuajtjeve të tij të pamëshirshme e pa asnjë arsye, sikur të isha një copë druri dhe jo gruaja e tij, mamaja e vajzës së tij.

Unë po pres që vajza ime të gjejë një shok e të martohet e po ashtu siç ia uroj asaj një burrë të hajrit, ashtu ia uroj cilësdo vajzë që të kenë fat në martesën e saj e të plaken të lumtur së bashku...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.