Më morën 3 mijë euro për një punë në shtet!

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

- Kanë kërkuar 4 mijë euro.

A i bën dot? Nëse po, vendi i punë është i yti! - U mpiva menjëherë. Ku t’i gjeja? - Megjithatë, - vazhdoi ai. - Do takohemi pasdite dhe fol vetë me të.

- Dakord. - i thashë shkurt me gjysëm zëri.

Pasdite u takuam. Ishte shoku, miku i tij dhe sekseri. U ulëm të pimë kafe. Ata filluan me kërkesat e tyre. Jo duhet master, jo të tjerët mund të kenë nota më të mira... E kuptova se diçka luhej, megjithatë kisha shumë nevojë për këtë punë. I dëgjova me vëmendje dhe në fund, u thashë:

- Do të mundohem t’i gjej lekët. Nesë ju e ulni pak çmimin, unë i bëj shpejt. 4 mijë nuk mundem. Me 3 mijë jam gati kur të doni.

Ata shikuan njëri-tjetrin dhe ranë dakord.

Po ku t’i merrja lekët? Do merrja kredi, por më duhej një vërtetim pune. I thashë shefit me të cilin punoja kur u futa në privat e ai, se si e bëri, nuk e di. Ishte i shkathët për këto gjëra. I bëra të gjitha dokumentet dhe mora kredinë. Të gjitha këto, pa i thënë asgjë gruas.

I thirra në telefon dhe u takuam përsëri.

- Sa shpejt i bëre! - më tha miku i shokut.

- Mora kredi se vetë nuk kisha.

- Të lumtë! - tha ai i kënaqur se do merrte edhe ai pjesën e vet, me siguri. I falënderova, ua dhashë lekët dhe të nesërmen, do paraqitesha në punë. Nuk i filmova, edhe pse kisha një telefon sepse kisha shumë besim te shoku. Kështu, fillova punën të nesërmen. Ishte një ambient i bukur dhe puna ishte shumë e lehtë e komode. Edhe gruaja u kënaq, pavarësisht se nuk e dinte se si kisha hyrë. Punoja dhe paralelisht, paguaja kredinë. Pra, i rregullova gjërat. Kështu, punova për disa kohë, kur një ditë më sollën një asistente. Ajo ishte një vajzë e re që sapo kishte mbaruar shkollën. Nuk do paguhej, por vetëm do merrte eksperiencë. Dukej se kishte patur një mik të fortë. Nejse. Unë e mësova se si punohej dhe si gjithmonë, ashtu si më kishte ndodhur në të gjitha punët ku kisha punuar, gjeta gjysmën plotësuese që nuk e kisha te gruaja ime, pra, njeriun që më duhej për të folur, qeshur, treguar gjërat e mia. U miqësova shumë me atë vajzë, madje njëherë tentova edhe ta puthja. Ajo nuk hezitoi, por në atë moment trokiti dera dhe mbeti pa përfunduar atë çka nisa. E dija se do të vinte shumë shpejt çasti kur ajo do të më hidhej vetë në krahë, sepse ashtu më kishte ndodhur gjithmonë, mirëpo ky çast nuk erdhi sepse mua më erdhi shkresa se më kishin transferuar, më kishin çuar në një institucion tjetër. U mërzita pak, por më shumë u mërzita kur më thanë arsyen e largimit:

- Këtu punën tënde do ta bëjë asistentja, sepse kemi marrë urdhër që të gjithë punonjësit duhet të kenë mbaruar me mesatare mbi 8 dhe masterin.

- Unë ato nota i kam marrë me djersë në kohën time dhe jo si i kanë marrë këto të rejat sot! - kundërshtova.

- Po ju nuk keni pse të mërziteni. - tha drejtori - mirë do jeni dhe atje ku do të shkoni.

- Pse, për kaq kohë pagova gjithë atë shumë unë?

- Më falni, ju lutem, nuk po ju kuptoj...

- Tani nuk më kuptoni, por kur morët eurot, e kuptuat mirë!

- Unë euro? Unë të kam futur jashtë listës se i bëra nder mikut tim. Sa të tjerë me master më erdhën dhe i refuzova!...

- Më falni, por unë filanit i kam dhënë 3 mijë euro që t’jua sillte juve që të hyja këtu në punë.

- Unë nuk merrem me kështu punësh, prandaj ju lutem dilni nga zyra dhe boshatisni sa më shpejt zyrën, që të mos pengohet puna.

Më vonë kam menduar se ai me siguri kishte marrë një shumë parash, por i erdhi inat se pse i kishin dhënë më pak e i kishin mbajtur të tjerat për vete. Unë dola nga zyra dhe shkova te zyra ime. Aty ishte asistentja së cilës i kisha mësuar gjithçka, pa e ditur se do të më zinte vendin. Ajo u mundua të justifikohej se nuk e dinte që do të ndodhte kjo gjë, por unë nuk e lashë të fliste.

- Isha me fat atë ditë që ra dera dhe... - i thashë shkurt dhe ajo nuk foli më. Tek institucioni tjetër më thanë se nuk kishte vend dhe do të prisja për konkurrimin. Pra, siç u kishte ndodhur dhe të tjerëve para meje. Të “transferojnë”, kur duan të të heqin nga puna...

Unë nuk kisha asnjë provë që kisha dhënë lekët. Takova shokun që më bëri këtë “nder” dhe i thashë: - Po ti, more nga ato lekë? - Ç’po thua kështu? Si mund të ta bëj një gjë të tillë? Edhe mua më erdhi shumë keq... Faji yt, por edhe imi ishte që nuk i filmuam...

Nuk kishte faj ai dhe fjalët që po thoshte ishin të vërteta. Duhej të kishim ndonjë fakt, sidomos kur dhamë aq shumë para, por ishte vonë për ta menduar këtë...

Tani kam mbetur pa punë. Gruaja nuk do t’ia dijë se si ndodhi, sepse e kuptoi se gjithmonë e kisha mashtruar. Tani edhe fëmijët janë rritur dhe më gjykojnë; kanë të drejtë. Pra, gjithë jetën jetova mrekulli dhe tanimë duket se ka ardhur koha t’i paguaj të gjitha padrejtësitë që i bëra gruas.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.