Nuk krahasohem me Dafinat e tjera...

Intervista - - MUZIKE -

Shquhet për prurje të reja në muzikë… mjafton të mendosh se vetëm në gjashtë muajt e fundit ka lançuar katër videoklipe, të gjitha bashkëpunime me këngëtarë nga Kosova. Ajo u bë e njohur me këngën “Karamelja”, këngë të cilën ajo e vë në piedestalin e karrierës së saj. Në këtë intervistë, Dafina ka folur për zgjedhjen e kaq shumë bashkëpunimeve, për jetën e saj private, lidhjen që sapo ka nisur, por u është përgjigjur edhe pyetjeve të tjera pikante, mbi të gjitha, pa doreza!

Fabjola Kuburi: - Dafina, sapo ke lançuar klipin tënd më të ri, madje disa klipe njëherësh. Pse kjo zgjedhje?

Dafina Dauti: - Po, është shumë e vërtetë, kohët e fundit kam lançuar katër videoklipe dhe secili prej tyre ka një historik më vete. “Prit pak” me Tonin, “S’ka rëndësi” me Baboo Darabuka, “Një natë” me Isën dhe Citin dhe “Gabuam” me Burakun Grupi Fama. Duke i analizuar gjithë atë që po ndodh me shoubizz, po mundohemi të sjellim në treg gjithmonë gjëra të reja. Uroj të jem koherente me publikun dhe shijet e tij.

- Pse kaq shumë bashkëpunime?

- Bashkëpunimet i bëj, disa me përzgjedhjen time dhe të menaxherit, por disa edhe për të ndihmuar artistët e rinj që të futen disi në treg sepse edhe unë vetë isha dikur artiste e re dhe kërkoja mbështetje.

- Cila ka qenë kënga më e suksesshme për ty?

- Ah, kënga “Karamelja”, ka qenë momenti më i bukur i karrierës sime deri tani. Pas asaj kënge, jam edhe më e afirmuar kudo në trojet shqiptare dhe diasporë. Jam më e kërkuar nga publiku dhe, kur këndoj atë këngë, të gjithë këndojnë më mua.

- Ndihesh e vlerësuar nga publiku?

- Shumë e vlerësuar. Çdo këngëtar pret që të jetë i dashur për të, që të mirëpritet qoftë edhe kur këngëtari bën ndonjë lapsus të vogël, ndërsa unë publikut do të mundohem t’i jap gjithmonë këngë dhe klipe të bukura. Unë pres që të paktën publiku im të më përkrahë edhe nëse një nga këngët e mia nuk do të pëlqehet shumë sepse pas asaj, pritet prapë të vijë një këngë e bukur.

- Si është Dafina në përditshmërinë e saj, jashtë muzikës?

- Dafina Dauti është një njeri maksimalisht mirëkuptues dhe di të tolerojë shumë. Po ashtu, jam njeri familjar dhe gjëja më e rëndësishme në jetën time është familja e veçanërisht, vajza ime Elizabeta, që tani është 6 vjeçe.

- Si shpjegohet që Dafinat janë të suksesshme në art?

- Jam shumë krenare për emrin që mbaj, por nuk dua të krahasohem asnjëherë me ato Dafinat e tjera që ti ke ndërmend. (Buzëqesh)

- Kujt ia dedikon muzikën tënde?

- Muzikën e bëj pikërisht për publikun, për ata që më duan dhe për fansat e mi të përhershëm, që unë i dua pa masë.

- Të pëlqejnë ndryshimet e herëpashershme në luk?

- Lukun e kam ndryshuar për t’iu përshtatur kohës apo edhe momentit, qoftë ndonjë videoklipi apo ndonjë sezoni, por si njeri, mbetem gjithmonë ajo Dafina që jam! Më shkojnë gërshetat, apo jo? (Buzëqesh)

- Pushove ndopak gjatë verës që kaluam?

- Pushimet i kam bërë kryesisht në bregdetet shqiptare, por isha pak kohë edhe në Europë dhe i kam bërë të dyja në të njëjtën kohë, edhe punë, edhe push-

ime.

- Çfarë nuk mund ta thuash dot kurrë?

- Nuk e di... Nuk ma kishte bërë njeri më parë këtë pyetje dhe s’e kam menduar, të jem e sinqertë!

- Ndërkohë, publiku është kurioz për jetën tënde private...

- E di që fansat apo ata që të dëgjojnë kanë qejf të dinë për jetën private. Realisht, jam e lidhur dhe në njëfarë mënyre, jemi duke e provuar së bashku. Se si do të shkojë, nuk i dihet. Nëse e shohim që funksionon, pse jo, edhe do të ketë diçka më shumë. Kaq, për këtë herë...

- Çfarë të pëlqen më shumë te një mashkull?

- Të jetë njeri i qetë, mirëkuptues dhe në të njëjtën kohë, të jetë tamam mashkull. Mashkullit i shkon të jetë burrëror.

- A ke ti një jetë normale, ke shoqëri të zgjeruar apo je përzgjedhëse?

- Jo, jeta normale ndryshon prej asaj profesionale. Unë, realisht, kam shoqëri, por normale, gjithë atë shoqëri që më rrethon e kam të zgjedhur dhe ndihem mirë me miqtë e mi!

- Si e kalon kohën e lirë?

- Si të gjithë njerëzit e tjerë të kryeqytetit të Kosovës.

- Merresh me sport?

- Unë kam qenë studente në degën e Edukatës Fizike, por i vetmi sport që bëj tani herë pas here është fitnesi, asnjë sport tjetër.

- E frekuenton jetën e natës?

- Jeta e natës më pëlqen, por nuk dal shumë. Dal kur e planifikoj me shoqërinë, edhe atëhere, me shoqëri të zgjedhur dhe kur ka organizim special në ndonjërin nga klubet e kryeqytetit.

- Pi alkool apo cigare?

- Alkool pi, por jo në masë të madhe. Edhe cigare po, ama duket sikur i ha, jo sikur i pi. (Buzëqesh)

- Pa doreza, ke rënë ndonjëherë pre e substancave narkotike?

- Jo, asnjëherë s’kam rënë pre e substancave narkotike, sepse çdo njeri normal që di ta kontrollojë veten, nuk besoj se bie pre e këtij fenomeni.

- Cila është këngëtarja jote e preferuar në skenën shqiptare?

- Adelina Ismajli, e kam thënë gjithmonë dhe e them përsëri. Ajo mbetet diva shqiptare e të gjitha kohërave.

- Të shohim gjithmonë e më të tërhequr festivalet muzikore apo kompeticionet e ndryshme. Pse?

- Sepse unë mendoj dy gjëra për këto lloj festivalesh apo kompeticionesh, siç i quani ju. E para, unë mendoj që më shumë, këto organizime u shkojnë për shtat artistëve të rinj që duan të promovojnë veten dhe e dyta, sepse nuk ka ndonjë kompenticion që është komplet real dhe pa ndërhyrje nga jashtë, që të jetë me merita. Mua, kjo mënyrë organizimi, nuk më pëlqen fare.

- Ti shquhesh për prurje të reja në muzikë. Do ndodhë e njëjta gjë edhe në sezonin që vjen, për shembull, për festat e fundvitit?

- Po, janë disa plane për sezonin e fundvitit dhe jam duke punuar. Kemi shumë projekte në dorë, që janë goxha madhore, por të mos flasim para kohë, t’ia lëmë kohës më mirë.

- Çfarë ngelëm pa thënë?

- Nuk mund të lë pa falënderuar fansat e mi që më gjenden gjithmonë afër, gazetën tuaj që gjeti kohë për mua dhe të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Me respekt dhe dashuri, Dafina Dauti.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.