Çfarë tregojmë me mënyrën se si rrimë?

Intervista - - PSIKOLOGJI -

Shumë vetë thonë se kur i lidh duart përpara gjoksit, njeriu ka një hall, mbyllet në vetvete dhe s’do që të ngacmohet nga askush… Në të vërtetë, ai shtrëngon gjoksin, ruan zemrën. Po kur njeriu rri “këmbë mbi këmbë” me këmbë të kryqëzuara, që i shtrëngon me njëratjetrën? Mendohet se me këtë qëndrim, njeriu rehatohet dhe mbron organet e veta gjenitale. Ndërkaq, specialistët thonë se edhe nga ky qëndrim mund të nxjerrësh disa përfundime për gjendjen psikologjike dhe karakterin e bashkëbiseduesit. Ekzistojnë dy lloje të qëndrimit “këmbë mbi këmbë”. I pari është qëndrimi standard dhe i dyti, qëndrimi “kyç”. Le t’i shohim me radhë…

1. Qëndrimi standard,

i zakonshëm

Quhet standard qëndrimi kur njërën këmbë e hedh mbi tjetrën (zakonisht, të djathtën mbi të majtën) dhe i mbledh të dyja nën vete. Ky qëndrim, që është karakteristik për europianët, australianët dhe neozelandezët, tregon një gjendje shpirtërore paksa të nderë, tregon që bashkëbiseduesi merr një pozicion mbrojtës ose të vetëpërmbajtur. Sidoqoftë, ky qëndrim duhet parë në kompleksitet me disa faktorë të tjerë. Kështu, për shembull, njeriut ia ka ënda të rrijë kështu pasi ka ndenjur për një kohë të gjatë në karrige ose në një kolltuk jo shumë të rehatshëm. Njeriu vendoset në një pozicion të tillë instiktivisht edhe kur ka ftohtë. Në rast se kryqëzimi i këmbëve përkon me kryqëzimin e duarve, kjo do të thotë se njeriu që merr këtë pozicion, po mërzitet nga biseda dhe do t’i bëjë bisht asaj. Në rast se një tregtar, për shembull, ka ndërmend të bëjë ndonjë bisedë për biznes ose “allishverishe” të tjera me një njeri që merr një pozicion të tillë, është më mirë ta lërë këtë bisedë për një herë tjetër, sepse bashkëbiseduesi as që ka ndërmend të marrë ndonjë vendim me rëndësi. Ky pozicion është mjaft i përhapur edhe midis grave në shumë vende të botës. Ato qëndrojnë kështu kur duan të shprehin njëfarë kundërshtie ndaj propozi- meve të burrave apo miqve të tyre, shfaqin, si të thuash, njëfarë indiference për bisedën apo propozimin e bërë…

2. Pozicioni amerikan i kryqëzimit të këmbëve në

formë “kyçi”

Në rast se njeriu i vendos këmbët në formë kyçi, domethënë, njëra këmbë mbetet e mbështetur në dysheme, ndërsa tjetra i bie përsipër gjysëm e mbledhur, ky pozicion tregon në shumicën e rasteve se ai njeri ka një shpirt sfidues dhe i pëlqen të hyjë në garë. Ky pozicion është shumë i përhapur në SHBA, veçanërisht midis meshkujve me shpirt të fortë gare dhe rivaliteti. Në rast se bëhet fjalë për të shitur diçka, është e kotë të presësh ndonjë porosi nga njeriu që rri kësisoj. Në këtë pozicion rrinë më shumë gratë që mbajnë pantallona bluxhins.

3. Pozicioni këmbë mbi këmbë “kyç”, shtrënguar

në duart e lidhura

Ky pozicion është karakteristik për njerëzit që kanë një pikëpamje të caktuar, të cilën është e vështirë ta ndryshosh gjatë diskutimeve. Si rregull, këta njerëz ulen duke i hedhur këmbët njëra sipër tjetrës dhe duke i shtrënguar me njërën apo me të dyja duart e lidhura. Ky pozicion tregon se njeriu në ato momente është shumë kokëfortë. Për të thyer rezistencën e një njeriu të tillë duhet një qëndrim i posaçëm, jo standard dhe, në radhë të parë, për ta bindur atë, duhet kohë e gjatë…

4. Kryqëzimi i këmbëve në

pozicionin drejtqëndrimi

Në rast se do t’ju bjerë rasti të ndodheni në ndonjë pritje zyrtare ose mbledhje (gjatë pushimeve në holl), përqendrojeni vëmendjen te ndonjë grup i vogël njerëzish që qëndrojnë me duar të lidhura dhe këmbë të kryqëzuara. Ju me siguri do të vini re se ata, ndryshe nga të tjerët, qëndrojnë paksa në distancë nga njëritjetri. Po të kenë veshur kostum, “do t’i kenë mbërthyer të gjitha kopsat”. Po të bisedoni me ta, do të konstatoni se disa prej tyre, mbase të gjithë, ndodhen për herë të parë në një ambient të tillë.

Pikërisht këtë pozicion mbajnë njerëzit që ndodhen në një mjedis shoqëror për herë të parë, midis njerëzve që nuk i njohin mirë… Krejt e kundërta ndodh me njerëzit e njohur në ambiente të frekuentuara prej tyre edhe më parë. Ata qëndrojnë të shkujdesur, i afrohen njeri-tjetrit, diç i thonë në vesh dhe në grup pëlcet gazi, herë i përmbajtur, herë-herë, shpërthyes. Ata e ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre. Kalon njëfare kohe, njihen me të tjerët dhe grupi i “duarve dhe këmbëve të kryqëzuara” kalojnë nga “pozicioni mbrojtës” në pozicione më të çlirëta, pra, si të thuash, hapen si vaji në lakra. Këtë e tregojnë gjestet e tyre instiktive: Ata hapen, zbërthejnë xhaketat, i lënë duart dhe këmbët në “qejfin” e tyre.

Kërkimet shkencore tregojnë se “teknikat e hapjes” janë pothuajse të njëllojta në të gjitha vendet. Ka shumë vetë që pohojnë se i kryqëzojnë duart dhe këmbët jo nga ndrojtja dhe pasiguria, por nga të ftohtit, ama më të shumtat e herës, këto pohime nuk i përgjigjen së vërtetës. Po ta shikosh hollë, do të vësh re se ka një ndryshim të dukshëm midis “kryqëzimit” të këmbëve dhe duarve nga e ftohta dhe pozicionit që tregon ndrojtje e pasiguri.

Së pari, nëse njeriu dëshiron të ngrohë duart, ai, si rregull, i fut ato nën sqetulla dhe nuk i vendos pëllëmbët e hapura mbi bërryla, sikurse në pozicionet nga ndrojtja apo pasiguria, pra, në pozicionin mbrojtës, si të thuash. Së dyti, njeriu që mërdhin, i pushton llërët me duar dhe këmbët i shtrëngon fort me njëra-tjetrën, sidomos te kyçet, ndërsa në pozicionin tjetër, si duart, si këmbët, qëndrojnë, paksa të lëshuara, më të lira...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.