Burri im homoseksual më kërkoi të zë të dashur

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Pasi u takuan prindërit tanë, pasi u pyetën se nga ishin e si ishin që të mos ishim kushërinj, ne vendosëm të shpallnim fejesën. Prindërit e mi u lumturuan sepse me të vërtetë që Klajdi dukej djalë shumë i mirë. Fejesa jonë zgjati tre vjet, sepse një vit ai iku në Hollandë për një master; një vit që m’u duk shumë i gjatë. Qysh pasi u fejuam, sa herë më prekte, ai më thoshte:

- Do të të ruaj për dasmë, të dua të tërën...

Unë skuqesha deri në rrëzë të veshit, ulja sytë e heshtja. Ndërkohë që ishim të fejuar, kaluan tre vite shumë të bukura, por Klajdi më prekte sikur po prekte një princeshë a një lule “mos më prek”. Gjithsesi, ndihesha e llastuar kur isha me të, aq ëmbël sillej.Vendosëm të martoheshim në fillim të korrikut dhe muajin e mjaltit do ta bënim jashtë Shqipërisë. Dasma shkoi shumë bukur dhe unë po prisja me ankth kur të shkonim në shtëpinë tonë. Doja ta puthja, megjithëse isha shumë e turpshme.

- E bukura ime, tani duhet të flasim, - më tha, ndërsa mbylli derën e dhomës së gjumit. U rrënqetha e tëra. Ndërsa m’u afrua, ai hoqi xhaketën dhe filloi të më hiqte kapëset nga flokët. Kaçurrelat e mia binin dhe ai më puthte herë në ballë e herë dorën. - Dua të të them diçka që ti dhe unë bashkë duhet ta mbajmë sekret... - tha më në fund. - Po të dëgjoj! - thashë. - E ëmbla ime, unë jam homoseksual dhe kam të dashur. Ne të dy duhet të bëjmë një pakt me njëritjetrin, që gjithçka të funksionojë siç e kam menduar...

Unë u shokova dhe nuk dija ç’të thosha... vetëm nisa të qaja dhe e pyesja se pse ma kishte bërë këtë...

- Më pëlqeve shumë kur të pashë në dasëm dhe mendoja se mund të ndryshoja preferencat e mia seksuale, por unë nuk të shoh dot ndryshe, veçse si motrën time. Pastaj, nëse do të ndaheshim pasi u fejuam, të gjithë do të mendonin keq për ty. Ti je kaq e mirë, sa më vjen keq se çfarë të bëra ty dhe vetes. Ti e kupton, opinioni... këtu...

- E cila është zgjidhja jote? – e pyeta ndërkohë që dridhesha nga nervat apo dashuria ime e humbur...

- Ne do të vazhdojmë të jemi të martuar. Ndërkohë që unë për kënaqësinë time e kam të dashurin tim, ti je e lirë të zgjedhësh kë të duash për të dashur, të mbetesh edhe shtatzënë dhe fëmijën e rrisim bashkë.

U shokova nga ç’dëgjova natën e parë të martesës sime. Çfarë prisja e çfarë më doli.

- Po shtrihem të fle se jam shumë e lodhur. Do ta mendoj dhe do të të kthej përgjigje... - i thashë. Ndërkohë që Klajdi u afrua të më ndihmonte me fustanin, u largova për t’i dhënë të kuptonte që nuk doja të më prekte.

- Desha vetëm të të ndihmoj... - më tha.

Iku jo vetëm nata e parë, por edhe shumë net të tjera e unë isha as në tokë, as në qiell. Si mund të jetoja në këtë mënyrë? Të ndahesha nuk mundesha sepse unë e doja, e kisha ushqyer veten me aq shumë ndjenja për të, isha e sapomartuar dhe prindërit e mi do të kërkonin të gjenin shkakun. E cili ishte ai? Klajdi më kishte thënë që të mos tregoja.

Klajdi kishte shumë miq në Tiranë dhe sapo u kthyem nga muaji i mjaltit, fillova punë. Një ditë dolëm me Klajdin për kafe dhe në tavolinë na erdhi një djalë tjetër. Sapo e pashë, e kuptova kush ishte. E urreva me gjithë forcën time...

- Të lutem, mos më shiko me aq inat, - më tha. - Mos kërko fajtorë në këtë histori, problemi qëndron se sa do ta përballojmë të gjithë këtë mënyrë jetese. Nuk po të kërkohet vetëm ty të kesh të dashur ilegal. Edhe ne të dy do jemi ilegalë me njëri-tjetrin.

Ndërsa ditët kalonin, Klajdi më merrte gjithmonë me vete, më prezantonte me shokët e tij. Ishte shumë i sjellshëm, kujdesej shumë për mua që të mos më mungonte asgjë. Më në fund, pas një viti e gjysëm që dilnim bashkë me shoqërinë e tij, më kishte pëlqyer njëri që më kishte prezantuar. I thashë Klajdit.

- Epo, do të të mësoj unë se çfarë i pëlqen atij e ta bësh për vete, - më tha.

Problemi më i madh që na doli ishte s’mund ta takoja, ndërkohë që isha e virgjër. E si t’ia bënim? Hajde, u rregullua dhe ajo punë për dreq dhe më në fund, vetë Klajdi na lidhi, kuptohet, pa i rënë në sy shokut të vet. Lidhja jonë vazhdon në të njëjtën mënyrë dhe sot, pas 4 vitesh, vajza ime është bërë 3 vjeçe. Është copa e yllit. Të gjithë thonë që i ka ngjarë Klajdit, por në fakt, ajo është si i babai i saj i vërtetë.

Kur shoku i Klajdit vjen në shtëpinë tonë, unë ndërkohë dal me vajzën shëtitje apo për pazar. Ata të dy më duken të lumtur së bashku dhe sillen shumë mirë me mua e me vajzën. Klajdi e trajton vazën si të jetë fëmija i tij i vërtetë. Aq shumë kujdeset për të, sa habitem si nuk mundi ta sforconte veten dhe të ishte ai babai biologjik i fëmijës sonë dhe jo të më kërkonte të kisha fëmijë me një burrë tjetër. Nuk kuptoj shumë gjëra nga kjo lloj tërheqje seksuale, ose unë jam shumë e shëmtuar, ose me të vërtetë kjo është sëmundje për këta lloj meshkujsh.

Me të dashurin tim takohemi vazhdimisht, por po jetoj si të jem në film e jo si të jetë jeta ime.

Kjo histori ka një të mirë. Kur kemi punë, për vajzën gjithmonë ka person të gatshëm e të lirë që të shkojë ta marrë në kopsht. Babai biologjik kuptohet që kujdeset me shumë dashuri, por nuk arrin të bëjë pyetjen nëse është fëmija i tij, apo jo. Ai kujdeset në mënyrë të fshehtë për mua që jam e dashura e tij, më pyet edhe për vajzën, por pa qenë i sigurtë për ta vazhduar pyetjen më tej.

Klajdi dhe shoku i tij kujdesen për vajzën dhe mua se duan që t’u ruaj sekretin apo se me të vërtetë më duan si motrën e tyre dhe vajzën, si mbesë. Nuk e di sa do të vazhdoj ta bëj këtë lloj jete, me këtë lloj brengre që kam të dashur dhe që s’kam burrë, që babai i vajzës nuk mund të jetë babai i vajzës...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.