Si ta luftoj celulitin?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Si ta zgjidhim këtë problemin e celulitit, sepse unë stërvitem kaq shumë, por përsëri nuk shoh ndonjë rezultat siç do doja. Ju, çfarë më sugjeroni?

Mario instruktor:

- Për celulitin është folur kaq shumë nga specialistë të të gjitha fushave të mjekësisë, dietologjisë e fitnesit dhe është arritur në konkluzionin e qartë që duhet shumë punë, sepse tashmë ajo konsiderohet si sëmundje. Për të eliminuar ose së paku për të reduktuar sadopak celulitin, duhet të filloni me kufizimin e pirjes së duhanit dhe alkoolit, të pini sa më shumë ujë që është i varfër nga sodiumi, të hani perime e fruta të freskëta, mundësisht, të përmbajnë shumë ujë dhe antioksidantë, domethënë, që kanë vitaminën A, C dhe E, zink dhe selen). Të paktën një ose dy herë në javë, në varësi të mundësive, duhet t’i bëni skrab lëkurës tuaj, aty ku keni celulit; kjo ndihmon që gjaku të qarkullojë më mirë. Pra, kini parasysh se sëmundja e celulitit do: Regjim ushqimor të saktë, stërvitje, masazh me skrab e vajra natyralë, si dhe evitim të alkoolit dhe cigares. Të gjitha këto duhen bërë bashkë, sepse nuk mjafton vetëm dieta apo ushtrimet, siç thoni ju. Këshillohet, përgjithësisht të hani 5 vakte në ditë të pasura me proteina, karbohidrate komplekse dhe perime. Më shumë kini parasysh që të mbizotërojnë perime të tilla si: luleradhiqja, çikoret e karçofi, sepse kanë efekte detoksifikuese dhe ribalancojnë metabolizmin e yndyrnave. Po kështu, bëjnë mirë edhe perimet e frutat e freskëta, si: Sallata jeshile, lakrat, kungulli i njomë, kastravecat, shalqini, qershitë e luleshtrydhet sepse kanë shumë antioksidues dhe janë të pasura me ujë.

- Ushtrimet pastaj japin një ndihmë shumë të madhe, sepse përmirësojnë tonin muskular e qarkullimin e gjakut. Është ideale që ushtrimet e cardio-fitnesit të bëhen duke u alternuar me pesha. Masazhi ka një rol të rëndësishëm në luftën kundër celulitit, sepse përmirëson mikroqarkullimin kapilar dhe limfatik. Limfa është një lëng i pasur me proteina, që u ofron oksigjen dhe ushqim qelizave. Një qarkullim limfatik shumë i ngadalë shkakton vështirësi në prodhimin e kolagjenit dhe elastinës, komponentët kryesorë të indeve lidhës, duke krijuar kështu celulit. Një mikroqarkullim i dobët është i barabartë me një furnizim të dobët të gjakut, duke çuar në problemet e të ushqyerit të dobët, mungesa të oksigjenit dhe vështirësi në eliminimin e toksinave, me akumulimin e materieve të padëshiruara. Produkte të tjera natyrore që ju vijnë në ndihmë në luftën e celulitit janë: Çaji jeshil, kafja (por pa e tepruar), çaji me leshterik, lëng ananasi, luleradhiqja, lëngu i rrushit (qoftë edhe në formën e uthullës, duke e përdorur në sallatëra të ndryshme), uthulla e mollës, gështenjat dhe tërfili i ëmbël. Uroj t’ju kemi ndihmuar sadopak.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.