Normale janë shpërthimet e djalit tim?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Djali im është vetëm 5 vjeç, por ka një natyrë shumë të paqëndrueshme. Edhe kur bisedon, flet shumë i nevrikosur dhe mund të ndodhë që edhe të përplasë gjërat. Mos vallë ka ndikuar stresi ynë, sepse po kalojmë një periudhë të vështirë?

Selami Deraj, psikopediatër: -

Në praktikën e përditshme ne ndeshemi me d i s a shqetësime në moshat fëminore, gjer te të rriturit (adoleshentët) si thërrmimi i personalitetit, sjelljet e çorganizuara, problemet e zhvillimit psikik e motorrik si dhe të të folurit. Po ashtu, ka fëmijë me zemërime e sjellje zemërake, shpërthime inati dhe sindromë xhelozuese midis motrave e vëllezërve kur lind për shembull fëmija i dytë, si dhe sindromë karakteriale.

- Shumë fëmijë, sidomos në këto kushte të reja të zhvillimit të vrullshëm dhe problemeve të streseve në familjen shqiptare, kanë shpërthime inati, me të qara dhe bërtitje të dukshme, si dhe zemërime të shfrenuara për arsye të ndryshme. Gjendja e rënduar psikologjike në banesën tuaj mund të jetë shkak i këtyre shqetësimeve dhe problemeve që shfaq djali juaj. Prindërit, sigurisht, tremben e shqetësohen me zemërimet e menjëhershme të fëmijëve të tyre. Të tilla sjellje mund të vihen re në 75 % të fëmijëve të moshës 3-5 vjeç. Kjo zemëratë ama mund të kalojë brenda 5 minutave te shumica e fëmijëve. Zgjatja më shumë e shqetësimit lidhet me problemet emocionale të vuajtjes fëminore. Edhe vuajtjet depresive fëminore mund ta ballafaqojnë fëmijën me gjendje zemëruese, episode qaramane e sjellje të çorganizuara në moshat 5-8 vjeç. Në rëndesat psikologjike të dukshme e me intensitet të lartë, zemërata e sjellja e papërshtatshme mund të zgjasin 25 minuta e më shumë. Edhe disa fëmijë që në popullatë thuhet “u flet goja para mendjes”, manifestojnë gjendje të tilla të shoqëruara me hiperaktivitet. Edhe shkelja e të drejtave të fëmijëve të tjerë, ndeshet në disa fëmijë që manifestojnë edhe dhunë. Vetë dëmtimi, humbja e vetëvlerësimit dhe paaftësia shoqërore e shkollore, mund të jenë të lidhura edhe me fëmijët e trishtuar, të hidhëruar e të zemëruar. Uroj të keni kuptuar diçka nga natyra e djalit tuaj. Në numrat e ardhshëm, do të flasim edhe për disa karakteristika të sjelljeve të ndryshme të fëmijëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.