Ka Kush Kujdeset për Norën...

Intervista - - FAQE 1 -

Duhet thënë e shkruar që Gent Bejko i ka bërë zbor artit; nuk ka lënë gjini të tij pa lëvruar: Regjisor, aktor, prezantues, këngëtar (shto këtu këngët nën dush)... tashmë, edhe balerin! Genti është një ndër personazhet pjesëmarrës në spektaklin “Dance with me” në Tv Klan, ku ka një partnere mjaft bukuroshe në vallëzim (duhet ta dini tashmë), Nora Istrefi. Jo se Genti nuk është bukurosh, por për femrat vjen si më natyrshëm ky konstatim. Të intervistosh personazhe si Genti është fat, pasi në përgjigje ai ka përmbajtje, informacion dhe nota humori. Batutat e Gentit janë 24 karatëshe. Është i lezetshëm shejtani! Binduni vetë...

Enkeleda Kurcani: - Genti, ke ca kohë që vallëzon në pistën e Tv Klan, në “Dance with me”. Si të erdhi propozimi?

Gent Bejko: - Propozimi më erdhi me dron! Si mund të vinte ndryshe? Ishte një propozim nga regjisorja Vera Grabocka, e cila e “mahnitur” nga “shkëlqimi” im, më tundoi dhe zakonisht, asaj nuk para i thotë njeri “Jo”.

- E kërkove ti Norën, apo të ra për pjesë?

- Sipas formatit, janë autorët ata që përzgjedhin dhe kombinojnë çiftet. Me pak fjalë, më ra për pjesë dhe jemi gjendur shumë mirë bashkë. Them se plotësojmë njëri- tjetrin skenikisht.

- Ke pasur më parë raste për të kërcyer me Norën?

- Jo. Jemi takuar në DWM për herë të parë.

- Thuhet se, me dhëndrrin dhe nusen, 40 ditë para dhe 40 ditë pas, duhet pasur kujdes. Nora është nuse e re... Bëre kujdes me të?

- Mos ia qaj hallin, se ka kush kujdeset për Norën! Unë kujdesem vetëm për pjesën skenike, që të jemi sa më shumë në nivelin e duhur përsa i përket kërcimit.

- Po me Xhoin, a jeni çift që bini në sy me kërcimin?

- Jemi. Pse, u shqetësove ti? ( Buzëqesh) Puna është se neve na pëlqen të kërcejmë pa rënë në sy, madje improvizojmë. Mos ia tregoni Albi Nakos këtë, se më “torturon” mjaftueshëm!

- Është bërë Xhoi xheloze për Norën? Se, helbete, Nora marshallah!

- Këtë pyetje ma bëjnë shpeshherë, edhe mua, edhe Xhoit, madje aq shpesh sa nuk i lënë kohë Xhoit të bëhet xheloze. Meqë ra llafi, ato janë bërë shoqe, madje edhe unë jam bërë shok me Robertin e Norës. Kështu që, më vjen keq, po xhelozi s’ka!

- A ka kimi mes jush? Po shkenca të tjera?

- Jo, kemi vetëm zyshën e matematikës! Për sa kohë kërcejmë, këndojmë, qeshim apo lodrojmë, do të thotë se jemi në rregull me të gjitha shkencat e natyrës.

- Sa kohë u kushton provave?

- Kjo varet nga koha në dispozicion e Albit, Klaudias dhe trupës së baletit në Tv Klan, të cilët na janë përkushtuar e vuajnë me ne dhe, kuptohet, edhe nga aftësitë tona përthithëse.

- Ndonjë incident të tipit thyerje, ndrydhje e të tjera, e të tjera, keni pasur?

- Unë pata javën e parë një tërheqje muskulare sepse hyra në prova pa nxemje, por e kalova para se të fillonte spektakli i parë. Thyerje? Të hëngërt goja... gazetën e ditës! Mos na ndill kështu gjërash, moj çupëëë!

- Okej... kalojmë në një pyetje me ngjitje e jo me thyerje. Cili ka qenë kërcimi juaj më i mirë?

- Opinionet janë të ndryshme, por për mua ka qenë një passo doble.

- Po kërcimi yt preferuar, cili është?

i

- Passo doble, pra! Kryesisht, më pëlqejnë kërcimet epike. Them se kam pak Skënderbe në shpirt!

- Cilat nga çiftet pjesëmarrëse të pëlqejnë më shumë?

- Nuk mund ta them publikisht një gjë të tillë pasi i kam qejf të gjithë dhe shumicën, miq të afërt. Ata afër meje e dinë se për cilin mendoj unë, por nuk dua të ndikoj te juria.

- Si do t‘ i cilësoje tre anëtarët e jurisë?

- Valbona, mbretëreshë e bukurisë që nuk vdes kurrë. Iliri, një talent dhe xhentëllmen. Roberti, ekstravagant, karizmatik i drejtperdrejtë dhe... Piktor.

- Në një nga netët je shprehur që “Femrat ko- mplimentojnë vetëm Norën”. Pse nuk janë marrë me ty?

- Ishte një shaka! Shakaaaa! E tmerrshme! Kur do ta kuptoni humorin serioz, xhanëm?

- Gent, të kemi parë si regjisor, aktor, balerin, prezantues. Nuk është gabim të të quaj shou men… Ah po, edhe këngëtar të ka mbetuer pa e provuar…

- Informacion i pasaktë. Kam kënduar te “100 vite Muzikë”, “Portokalli”, “Top Shou” dhe në dush. Adrian Hila vazhdon të më lutet të këndoj këngët e tij, por mua

nuk më pëlqen Eurovizioni!

- Nuk e shmang dot këtë pyetje për asnjë nga pjesëmarrësit në këtë spektakël. Cili ka qenë dialogu më interesant që ke

pasur me Robert Aliajn?

- Unë me Bertin kemi gjithmonë dialogje interesante. Ngacmohemi shpesh edhe jashtë “Dance with me”, bëjmë batuta dhe respektojmë sensin e masës te njëri- tjetri. Në thelb, DWM është thjesht një shou. Pasi spektakli të mbarojë, ne sërish do ngelemi miq.

- Roberti tha se ka marrë kërcënime nga pjesëmarrësit, për t’u dhënë më shumë pikë. Ti, e ke kërcënuar?

- Kjo është një temë për të cilën nuk mund të flas unë, pasi nuk kam lidhje me këtë pjesë. Roberti është një ndër ata artistë që, në bienale e ekspozita ndërkombëtare, ngre lart emrin tonë, si edhe shumë artistë të tjerë të kombit tonë. Çdo juri ka një anëtar, i cili është disi më “acarues” në formate të tilla. Kaq është ajo që duhet kuptuar.

- Cili është më dorëlëshuari me pikët nga anëtarët e jurisë?

- Zakonisht, Bona, por këtë javë na çuditi Berti!

- Gent, pas këngëve dhe valleve, do t’i kthehesh profesionit tënd. Ku është stacioni yt i radhës? Me çfarë do ta kultivosh artistikisht publikun?

- Shumë shpejt do ta kuptoni. Për momentin, nuk dua të flas. Di të them që do të mundohem të jem gjithmonë ai që kam qenë, sado erëra ndryshimesh të fryjnë, në ndryshim nga ata që shesin sllogane, pa pasur një kod moral real.

- Veç “Dance With me”, në këtë periudhë ka pasur edhe gara të tjera, si për shembull ndeshja Serbi- Shqipëri. Si e përjetove ndeshjen dhe më pas, vendimin e UEFA-s?

- Ndeshjen e përjetova shumë keq, si të gjithë shqiptarët, plot merak për djemtë tanë në atë fushë dhe përsa i përket UEFAs, Europa tregoi edhe njëherë mungesë të theksuar respekti për ata që janë populli më i lashtë i Ballkanit. Vendim politik i ndyrë dhe racist. Tek e fundit, përkufizimin për këtë soj Europe, e kanë dhënë të parët tanë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.